TIRANE, 4 Dhjetor/ATSH/-Ajo mbahet mend si femra që ndryshoi fytyrën e industrisë së modës. Por ekzistonte një anë e errët e Coco Chanel. Dokumente të reja hedhin dritë se ajo ka qenë një spiune e nazistëve që ndante shtratin me një Gestapo dhe u përpoq të bindte Britaninë që t'i jepte fund luftës. Nazistët zgjodhën Coco Chanel që të negocionte për paqe me Britaninë sepse ajo ishte mikeshë e Winston Churchill. Pikërisht kjo miqësi mund të ketë qenë e vetmja gjë që e shpëtoi nga Rezistenca Franceze pas fundit të luftës. Dokumentat në fjalë, të publikuara në mediat britanike, të gjetura në Ministrinë franceze të Mbrotjes, i përkasin zyrtarëve nazistë. Në to rezulton se Chanel u rekrutua nga inteligjenca militare Naziste, the Abwehr, dhe iu dha numri agjentit F-7124. Këto dokumenta të gjermanisë naziste, hedhin dyshime të forta se pjesë e agjentëve sekretë të nazistëve kanë qenë edhe emra të tjerë të njohur, si këngëtarja Edith Piaf e Maurice Chevalier. Sipas historianëve francezë, lidhja me nazistët mund të jetë dhe arsyeja e lulëzimit të karrierës së tyre. Sa i përket Coco Channel, historiani amerikan Hal Vaughan, thotë se në të vërtetë asaj nuk i interesonte Hitleri apo politika naziste. Ajo ishte e etur për pushtet, rroba të bukura dhe besonte tek biznesi i saj. Coco Chanel, vdiq në Janar të vitit 1971 në moshën 87 - vjeçare. Në atë kohë ajo ishte kthyer në ikonën e modës franceze, dizajnet e së cilës kishin pushtuar botën./a.g/