Shkrimtarja Lea Ypi ka reaguar në rrjete sociale në lidhje me protestat e dhunshme po zhvillohen në Tiranë prej gjashtë ditësh. Ypi thekson se dhuna politike, në mungesë të një strategjie dhe të një projekti të qartë për të ardhmen, rrezikon të kthehet në një përplasje më të madhe.

Këtë kaos të krijuar në kryeqytet Lea Ypi e cilëson një fatkeqësi në shoqërinë shqiptare, teksa thekson se ndryshimi politik nuk mund të kufizohet te zëvendësimi i një individi me një tjetër, por duhet të synojë transformimin e sistemit.

Ajo e cilëson ndërtimin e një demokracie sociale, përballë përqendrimit të pushtetit ekonomik dhe politik, si një projekt të mirëfilltë politik. Sipas Ypit, realizimi i tij përballet me pengesa të shumta, përfshirë faktorët gjeopolitikë, konfliktet e brendshme dhe ndikimin e oligarkisë mbi institucionet.

Sa i përket përgjigjes së policisë gjatë protestave, Ypi shprehet kundër dhunës policore dhe thekson se një shtet i së drejtës nuk duhet të mbështetet te forca për të garantuar rendin.

“Gjithë dhembshurinë dhe mbështetjen time e kanë studentët në protestë, por edhe efektivët e policisë që rrezikojnë jetën për një kafshatë bukë”, shprehet ajo.

Në përfundim, Ypi u drejtohet studentëve, aktivistëve dhe mbështetësve të së majtës, duke i ftuar të rikthehen te protestat paqësore dhe ta shfrytëzojnë mobilizimin qytetar për të ndërtuar një alternativë politike që, sipas saj, i nevojitet Shqipërisë dhe Europës.

Postimi i plotë

Të dashur miq, gazetarë e lexues që më keni shkruar për të më kërkuar një mendim për protestat në Shqipëri: mendimin tim e kam bërë të qartë katër muaj më parë dhe nuk e kam ndryshuar. Po e përsëris, meqë pyetjet vazhdojnë.

Siç e dini shumë mirë, nuk jam ndier ndonjëherë e përfaqësuar nga e majta qeverisëse në Shqipëri dhe nuk ndihem e përfaqësuar as nga e djathta opozitare që i nxit turmat të ndezin zjarre e të hedhin kapsolla në bulevard. Dhuna pa strategji e pa plan për të ardhmen kthehet në vëllavrasje të kotë.

Kjo nuk do të thotë se dhuna për një parim të drejtë është e gabuar në çdo rrethanë. Por dhuna politike justifikohet vetëm kur, së pari, pas saj ka një projekt të bindshëm ndryshimi shoqëror dhe, së dyti, kur dhuna është mënyra e vetme për ta realizuar atë projekt. Kjo ishte Shqipëria në dhjetor 1990.

Tani cili është projekti?

Është fatkeqësi që në shoqërinë shqiptare, 35 vjet pas rënies së komunizmit, i vetmi projekt i ndryshimit të pushtetit shtrohet si zgjedhje ndryshimi pushtetarësh. Zëvendësimi i një individi në pushtet (apo në opozitë) me një individ tjetër nuk është projekt sistemi as kombëtar, është projekt partiak. Janë partitë përkatëse ato që duhet të marrin përgjegjësi.

Zëvendësimi i oligarkisë me demokraci sociale, ky po që është projekt politik. Ky projekt sot për sot është shumë i vështirë për t’u realizuar në Shqipëri (po edhe në botë): ca për arsye gjeopolitike, ca se na ngatërrohet kultura e feja, ca për faj të konflikteve të brendshme, ca se sa më e brishtë të jetë demokracia e sa më agresiv të jetë kapitalizmi, aq më shumë oligarkët arrijnë të blejnë çdo pushtet, çdo politikan, çdo zyrtar (si ata që janë tani aty, ashtu edhe ata që do të vijnë).

Po edhe se duhet punuar më shumë me brezin e vjetër për të kuptuar traumat e së shkuarës e me atë të ri për ta kthyer zemërimin në zgjidhje.

Problemi është se standardet demokratike për t’u kërkuar transparencë udhëheqësve në Shqipëri nuk janë vënë kurrë. Nga njëra anë, sepse i gjithë rendi i ashtuquajtur demokratik është pjellë e PPSH-së, nga gjiri i së cilës dolën drejtuesit e të dyja partive që kanë qeverisur që atëherë. Kultura politike e tyre është kultura e kultit të individit.

Nga ana tjetër, sepse kapitalizmi nuk ka nevojë për demokraci për t’u zhvilluar: tregut privat i mjafton të ketë klientë. Korrupsioni nuk është kurrë shkaku i krizës të rendit politik, është pasojë e nënshtrimit ndaj rendit ekonomik. Në kapitalizëm edhe njeriun më të ndershëm e asgjëson sistemi. Ose e përdor duke e blerë, ose e nxjerr jashtë përdorimit kur nuk e ble dot.

Tani ca përgjigje ndaj pyetjeve që më bëhen shpesh këto ditë.

A e dënoj unë dhunën e policisë?

Sigurisht. Një shtet ku mbizotëron e drejta nuk ka nevojë ta mbajë rendin me shkopa gome. Gjithë dhembshurinë dhe mbështetjen time e kanë studentët në protestë, por edhe efektivët e policisë që rrezikojnë jetën për një kafshatë bukë.

A do ta kisha dhënë dorëheqjen unë po të isha sot në drejtim të Shqipërisë?

Me siguri në qershor. Po mbase edhe pas arrestimit të deputetit apo ministrit të parë. Mbase pas fitores së mandatit të radhës. Mbase pas organizimit të zgjedhjeve në parti. Fundja edhe për të vënë një standart ndryshe, dreqi ta hajë. Këto janë çështje rreth të cilave nuk kam asgjë të re për t’i shtuar debatit që zien në Tiranë. Janë thashetheme për stacionet e portalet të cilëve me siguri u intereson që debati rreth alternativës shoqërore të kthehet në çështje biografie individuale.

Studentëve, lexuesve, miqve, aktivistëve me të cilët na ndajnë bindjet e majta, do t’u kërkoja të rikthehen te protestat paqësore të qershorit, të përdorin hapësirat që krijojnë këto protesta për të ndërtuar alternativën që i duhet Shqipërisë (por edhe Europës) e për të rritur ndikimin e tyre politik sado e vështirë të jetë kjo në Shqipëri.

Do t’u kërkoja të shmangin bashkëudhëtimin, manipulimin e përçarjen nga ata që s’kanë asnjë lidhje me projektin tonë. Duhet këmbëngulje për të ndërtuar të majtën e vërtetë shqiptare, atë për të cilën shumë nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë u dergjën në burg. Duhet shumë punë intelektuale e politike, por mbi të gjitha duhet durim!