Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, priti sot në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me të cilin diskutoi për axhendën evropiane të Kosovës.
Sipas KosovaPress, ministri falënderoi Wieland për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian, po i ofron Kosovës e sidomos në procesin e integrimit evropian, duke qenë një prej institucioneve më përkrahëse në këtë drejtim.
Po ashtu, ai e informoi mbi hapat të cilët po ndërmerr Kosova në këtë proces dhe synimet që brenda këtij viti të vendosë marrëdhënie kontraktuale me BE-në përmes nënshkrimit të MSA-së, si dhe të përmbyllë me sukses dialogun për liberalizimin e vizave.
"Pasi të nënshkruhet, Marrëveshja për Stabilizim-Asociim do të kalojë për miratim në Parlamentin Evropian. Ky institucion ka rolin e vet edhe në pjesën përfundimtare të procesit të liberalizimit të vizave", tha ministri.
Kurse zëvendëspresidenti Wieland ofroi mbështetje në lidhje me axhendën evropiane të Kosovës si dhe inkurajoi që të vazhdohet me reformat e nevojshme që lidhen me procesin integrues./atsh/