Çomo nuk lejohet në KLD, Nishani e
Naço përplasen për emërimet

Çomo nuk lejohet në KLD, Nishani e<br />Naço përplasen për emërimet
TIRANE-  Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka debatuar me Presidentin Bujar Nishani lidhur me emërimet që duhet të bëhen për krerët e gjykatave të Matit, Pogradecit dhe Lushnjës. Naço tha: “Vlerësim i dytë për gjyqtarët”, ndërsa Nishani reagoi: “Mos hidhni baltë kolektive mbi gjyqtarët.
 
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar me debata të ashpëra mes ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe Presidentit Bujar Nishani teksa diskutoheshin emërimet e krerëve të Gjykatave të Matit, Pogradecit dhe Lushnjës. Ministri i Drejtësisë Nasip Naco deklaroi se sistemi i drejtësisë është me probleme, ndërsa kërkon vlerësim të dytë për gjyqtarët në mënyrë që mos bëhen pjesë e korrupsionit. Por Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka hedhur poshtë kërkesën e ministrit. Bujar Nishani apeloi të mos hidhet baltë në mënyrë kolektive, pasi njollosen edhe gjyqtarët të cilët janë kurajozë e profesionalë në punën e tyre. “Nuk meriton trupa jonë gjyqësore që të hedhim baltë ndaj saj pa fund dhe pa arsye.”, u shpreh Nishani gjatë fjalës së tij.

NDRYSHIMET
Vetë Presidenti Bujar Nishani ka pranuar se trupa e gjyqësorit ka nevojë për ndryshime rrënjësore dhe për një reformë të pandërprerë, pasi ka shumë probleme sistemi gjyqësor. “Gjyqtarët dhe sistemi ynë gjyqësor kanë shumë probleme, kanë nevojë për reforma të pandërprera. Në trupën tonë të gjyqtarëve me më shumë se 300 persona, ka edhe gjyqtarë që përfshihen në akte korrupsioni apo që u kanë mohuar drejtësinë qytetarëve dhe që nuk kanë marrë kualifikimin e duhur. Por në këtë trupë ka edhe njerëz të ndershëm, ka profesionistë të mirë, ka njerëz kurajozë, që çdo ditë zhvillojnë seanca dhe japin dënime të ndryshme”, apeloi ai. Për të shtuar më tej, se nuk mund të barazohet kurrsesi, kurajozi me të korruptuarin. “Ka gjyqtarë të cilët larg familjes së tyre, ofrojnë shërbimin e nevojshëm të drejtësisë ndaj qytetarëve shqiptare. Prandaj KLD-ja, politika dhe gjithë institucionet e këtij vendi, kanë detyrimin të angazhohen në reforma që rrisin transparencën e sistemit gjyqësor dhe që i japin integritetin figurës së gjyqtarit”, theksoi Nishani.

REAGIMI I NAÇOS
Pasi dëgjoi relacionin e Komisionit të Shqyrtimit të Kandidaturave, Ministri i Drejtësisë i kërkoi KLD që të mos vazhdonte shqyrtimin e kandidaturave për gjykatatat e sipërpermendura, duke theksuar faktin se një procedurë e tillë binte ndesh me ligjin. Konkretisht, nuk respektohet ligji nr. 9877, datë 18.2.2008, për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Në vijim Ministri, duke u bërë thirrje gjithë anëtarëve të KLD-së, deklaroi se ai në pozicionin e tij si anëtar i KLD do të jetë konseguent në kërkesën e tij për zbatimin e ligjit. Naço shpjegoi edhe arsyet për votën e tij kundër, duke shpjeguar referencat ligjore në mbështetje të qëndrimit të tij. “Nëse ligji thotë se për të emëruar duhet të ketë dy vlerësime të fundit dhe ne si Këshill i Lartë i Drejtësisë nuk e bëjmë këtë, atëherë kjo është shkelje e hapur e ligjit dhe unë nuk do të votoj në asnjë rast shkeljet e ligjit”, tha Naço.
mbledhja e kld me logo
(Në foto: Mbledhja e sotme e KLD-së)

COMO NUK ISHTE NE KLD
Në mbledhjen e sotme të KLD-së duhej të ishte i pranishëm dhe Sokol Çomo, i cili është kandidatura e përzgjedhur nga Kuvendi për postin e anëtarit të KLD-së në vend të Neshat Fanës. Por Çomo nuk ishte i pranishëm.

sokol como
(Në foto: Sokol Çomo duke foluar sot për mediat)
 
Në fillim të mbledhjes u pa Neshat Fana, për të cilin presidenti Nishani dha vlerësimet më të larta.  

“Një jurist me eksperiencë të gjatë me kontributet shumë të mëdh në reformat në sistemin e drejtësisë, dhe një sfidë shumë të madhe në drejtim të shkollës së Magjistraturës. I uroi suksese në favor të së mirës publike” - tha Nishani. Më pas dhe vetë Fana duke falenderuar Nishanin u largua dhe karrigia e tij mbeti bosh deri në fund të mbledhjes.

Presidenti Bujar Nishani porositi zëvendësin e tij në KLD që të njihet me aktet e Kuvendit, për verifikimin e mandatit të anëtarit më të ri Sokol Çomo.
 
Pak orë më vonë, Çomo  bëri një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të KLD-së ku shpreh se u shkel ligji.

" Une jam njoftuar në fakt dje nga Parlamenti i Shqipërisë që jam zgjedhur anëtar i KLD-së dhe në bazë të ligjit nga dita e djeshme ka filluar detyrimi im ligjor për të përmbushur këtë detyrë kushtetuese dhe ligjore. Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte detyrimin ligjor që të ngrinte një komision verifikimi. Kam ardhur për tu vënë në dispozicion të këtij komisioni, nuk është ngritur në dijeninë time ky komision. Arsyet do duhet t'ia merrni vetë organit KLD"- tha Çomo. I pyetur a ka marrë komunikim zyrtar Çomo u përgjigj: "Jo nuk kam marrë asnjë komunikim zyrtar dhe në këto kushte jam i detyruar të largohem"

Redaksia online
(sg/a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Letërsia shqipe mbetet pa mbret

Letërsia shqipe mbetet pa mbret