NYON - Këtë të hënë në orën 14:00 u hodh në selinë e UEFA-s shorti për fazën play-off të Conference League. Në këtë fazë mund të marrin pjesë edhe katër skuadra shqiptare, Dinamo, Egnatia, Shkëndija e Tetovës dhe Drita e Gjilanit, që synojnë fazën e ligës.

Dinamo e Ilir Dajës garon në turin e tretë kualifikues të Conference League dhe në rast se kalon rivalët letonezë të Audas do të përballej në play-off me humbësin e çiftit Pafos vs Salzburg që garojnë në Europa League. Një përballje shumë e fortë për Dinamon që do i duhej një mrekulli për të siguruar fazën e ligës.

Egnatia, e cila garon në turin e tretë kualifikues të Europa League, nëse nuk kalon Shamrock Rovers do të garonte në fazën play-off të Conference League përballë humbësve të çiftit KuPS Kuopio vs U. Craiova, me këta të fundit që ashtu si Egnatia garojnë në Europa League.

Drita e Gjilanit nëse kalon Tre Fiori do të përballej në play-off me fituesin e çiftit Flora Tallinn vs Inter Escaldes. Ndërkohë, Shkëndija e Tetovës luan kundër Hibernian në turin e tretë kualifikues të Conference League dhe në rast suksesi do të përballej në play-off me fituesin e çiftit IFK Goteborg vs Gent.

Ndeshjet e para të fazës play-off do të luhen më 20 gusht dhe të kthimit më 27 gusht.