Një peshk i ngrirë me origjinë nga Turqia, i eksportuar në Shqipëri përmes Greqisë, është identifikuar me nivele të larta të substancave perfluoroalkile (PFAS), mbi kufijtë e lejuar nga ligji. Për këtë arsye, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u ka bërë thirrje qytetarëve të mos e konsumojnë produktin dhe ta kthejnë në pikën e shitjes nëse e kanë blerë.
Alarmi u ngrit fillimisht nga autoritetet italiane përmes sistemit evropian të njoftimit të shpejtë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë (RASFF). Shqipëria është përfshirë në procedurën e ndjekjes, pasi produkti rezulton se është importuar edhe në vendin tonë. Sipas të dhënave, produkti është eksportuar nga kompania greke Vasilis Savramis Co Ltd (Frozen Sea Foods), ndërsa origjina e peshkut është Turqia. Importues në Shqipëri është HRISTO KUCO SH.P.K.
Bëhet fjalë për produktin ATHERINA IQF 10X1kg TURKEY, me numër batch 25/04/2025 dhe datë skadence 25/04/2027.
PFAS janë një grup kimikatesh artificiale që përdoren në procese të ndryshme industriale dhe njihen si "kimikatet e përhershme", sepse shpërbëhen shumë ngadalë dhe mund të grumbullohen në mjedis dhe në organizmin e njeriut. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka vendosur kufij të rreptë për praninë e tyre në ushqime. Kur këta kufij tejkalohen, produkti konsiderohet i pasigurt për konsum.
AKU thekson se në këtë rast niveli i PFAS është mbi limitet ligjore dhe përbën rrezik serioz për shëndetin e njeriut. Autoriteti u kërkon qytetarëve që e kanë blerë këtë produkt të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë pranë pikës së shitjes.









Komente
Komento