/ATSH-ANSA/ - Trjaneri i ekipit kombëtar italian të futbollit, Antonio Conte paralajmëroi sot se futbolli italian po ecte në rrugë të gabuar dhe ishte në rrezikun e një tatëpjete.
Ai theksoi se nuk kishte kohën dhe as nxitjen e duhur që të përpiqej të reformonte lojtarë të talentuar, por me temperament problematik si sulmuesi Mario Balotelli.
"Futbolli italian po shkon në drejtim të gabuar", deklaroi Conte për televizionin publik italian, RAI, në prag të takimit miqësor me Shqipërinë.
"Lojtarët duhet të rizbulojnë dëshirën për t'u stërvitur shumë, përndryshe ky është fillimi i tatëpjetës. Pres nga çdo lojtar një angazhim më të madh", theksoi Conte.
Ai shtoi se nuk do të përpiqej të bënte atë që edhe trajnerë të tjerë nuk e kanë bërë, të ndryshonte sjelljet rebele të Balotellit.
"E kaluara na tregon se këta trajnerë nuk u munduan ta ndryshojnë Balotellin. Kjo i takon atij. Nuk kam kohë për disa gjëra", deklaroi Conte.
Karriera e sulmuesit 24-vjeçar është goditur nga sjelljet e padisiplinuara, zënka me zyrtarë, trajnerë dhe lojtarë dhe disa incidente jashtë fushe.