495 të infektuar të rinj dhe 9 humbje jete janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë nga koronavirusi. Në të gjithë vendin janë 6,562 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin. Viktimë e virusit mbeti edhe piktori Kristi Baba në moshën 30 vjeçare.

Gjatë 24 orëve të fundi janë shëruar 606 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 167,308 që nga fillimi i epidemisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 3732 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 495 qytetarë, në këto bashki: 258 qytetarë në Tiranë, 35 në Fier, 20 në Lushnje, 19 në Kamëz, 15 në Durrës, 14 në Shkodër, 12 në Vlorë, 10 në Mallakastër, Gjirokastër, 9 në Krujë, 8 në Lezhë, Patos, Korçë, Elbasan, 7 në Pogradec, 5 në Sarandë, Librazhd, 4 në Malësi e Madhe, Pukë, Vorë, 3 në Has, Libohovë, Kuçovë, 2 në Kukës, Tropojë, Mirditë, Shijak, Rrogozhinë, Konispol, Tepelenë, 1 në Fushë- Arrëz, Kurbin, Kavajë, Rroskovec, Divjakë, Selenicë, Përmet, Poliçan, Belsh.

Aktualisht në Spitalet COVID po marrin trajtim 153 pacientë, nga të cilët 25 janë në gjendje më të rënduar.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID19, 9 qytetarë: 4 qytetarë nga Tirana 30- 77 vjeç, 1 qytetar nga Berati 59 vjeç, 1 qytetar nga Lezhë 66 vjeç, 1 qytetar nga Saranda 67 vjeç, 1 qytetar nga Gramshi 77 vjeç, 1 qytetar nga Korça 86 vjeç. 

Statistika (14 Tetor 2021)

Raste të reja ditore        495

Të shëruar në 24 orë      606

Të shtruar në spitale       153

Humbje jete në 24 orë    9

Testime ditore                3732

Testime totale              1,250,052

Raste pozitive                176,667

Raste të shëruara           167,308

Raste Aktive                     6,562

Humbje jete                     2,797

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë             3002

Durrës            782

Fier                  666

Shkodër         517

Vlorë               257

Elbasan          281

Lezhë              226

Berat               210

Gjirokastër      207

Kukës             154

Korçë             152

Dibër              108

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:34
Ndërron jetë nga COVID-19 në moshën 30-vjeçare, piktori Kristi Baba! I ati: Në nëntor po bëheshe gati për ekspozitë, ishe jeta, dielli dhe drita e shtëpisë

TIRANË- Në nëntor do të çelte ekspozitën e tij të radhës, por COVID-i ia theu në mes këtë dëshirë, duke i marrë jetën. Piktori i njohur Kristi Baba, nuk ia doli që të fitonte betejën me virusin e pamëshirshëm që e mori në lule të rinisë, në moshën 30-vjeçare. Lajmin e trishtë e dha babai i piktorit, i cili shprehet se ky virus ia shoi çdo ëndërr.

“Me hidhërim të thellë dhe dhimbje të madh ju njoftojmë se djali ynë i vetëm Kristi Baba piktor u nda nga jeta në moshën 30 vjeçare në lulen e rinisë duke mos e fituar  betejën me COVID-in.  Ti për ne ishe jeta dielli ishe ajri ishe drita e shtëpisë. T’u shuan gjithë ëndrrat  e tua dhe përkushtimi që kishe për artin dhe po pregatiteshe për ekspozite në nëntor  që nuk ja arrite”, shkruan babai i tij.

Baba një zë i ri i pikturës moderne shqiptare. Ai deklaronte se piktura nuk mbetet thjesht pikturë kur pasqyrohen ndjesitë në të, ajo kthehet automatikisht në një qenie plot jetë dhe është e aftë të komunikoj me ty, e pavarësisht se shpesh herë i duhet edhe të hesht, ajo arrin të marri frymë ashtu e përgjumur në qetësinë e vet si një krijesë përballe teje.

Kristi Baba ka marrë pjesë edhe në disa ekspozita kolektive si: në galerinë FAB në Universitetin e Arteve “ATELIE 2011”; në Muzeun Historik Kombëtar me një cikël të plote punimesh; po në galerinë FAB në ekspozitën “Të gjithë mbi një qiell” ndërsa më përpara ka hapur po një ekspozitë personale me një koleksion punimesh grafike dhe piktura në teknikën vaj dhe pen.