Këshilli i Europës ka lëshuar një udhëzues për 47 qeveritë në të gjithë Europën për respektimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit gjatë krizës së COVID-19. Dukë përshëndetur këtë qëndrim presidenti i vendit Ilir Meta kërkon që veprimet dhe masat kufizues të vendosen vetëm me ligj. Për Metën çdo ligj i ri duhet të jetë i mbështetur në Kushtetutë.

Ndër të tjera Meta duke iu refruar qëndrimit të Këshillit të Europës thekson: "ky virus po shkatërron shumë jetë dhe shumë gjera të tjera të shtrenjta për ne, por ne nuk duhet ta lejojmë të shkatërrojë vlerat tona themelore dhe shoqëritë tona të lira. Veprimet dhe masat e qeverive, për kufizimin e së drejtës së jetës private, lirisë së ndërgjegjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së organizimit, duhet të vendosen vetëm me ligj, në proporcion me rreziqet dhe për aq kohë sa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit".

Sipas Metës "është me rëndësi që çdo masë kufizuese dhe ligj i ri, të jetë në përputhje vetëm me Kushtetutën dhe me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar. Mbështes qëndrimin për shmangien sado që të jetë e mundur të vendosjes së dënimeve të ashpra penale për moszbatimin e masave kufizuese, pasi siç thekson Këshilli i Europës, ato krijojnë shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të njeriut. Duke i ftuar të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale, theksoj domosdoshmërinë e respektimit të parimeve të demokracisë e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe hierarkisë të ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare".

Ndër të tjera Meta duke iu referuar Këshilli i Europës shprehet se: “Sfida, me të cilën përballen sot shoqëritë tona, është një sfidë e paprecedentë. Edhe pas fazës urgjente të kësaj krize, shoqëritë tona do të duhet të gjejnë mënyrat për të vënë në vend dëmet sociale dhe ekonomike dhe për të rritur më tej besimin tek institucionet tona demokratike. Duhet të nisë një reflektim i gjerë për mbrojtjen e individëve dhe grupeve më të prekshme në shoqëritë tona dhe për mënyrat e ruajtjes së të drejtave të tyre në një model më të qëndrueshëm dhe solidar qeverisjeje”