COVID-19 në SHBA, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë: Shpresojmë të rihapim shumicën e shkollave në prill

COVID-19 në SHBA, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë: Shpresojmë të rihapim shumicën e shkollave në prill

SHBA po përpiqet të rihapë shkollat publike në të gjithë vendin në mes të pandemisë së koronavirusit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha të dielën se shpreson që brenda muajit prill të rikthejë pjesën më të madhe të nxënësve në shkollë me orar të plotë.

"Këtë qëllim kemi, këtë plan kemi," tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki për emisionin "This Week" të rrjetit ABC.

Por ajo tha se përmbushja e qëllimit varet nga miratimi nga Kongresi i projekt-ligjit të presidentit Joe Biden me vlerë 1.9 trilion dollarë për koronavirusin, i cili përfshin ndihmë prej 130 miliardë dollarësh për shkollat.

"Shumë shkolla në të gjithë vendin nuk kanë burime financiare që të paguajnë për përmirësimin e mjediseve, për punësimin e më shumë shoferëve të autobusëve, për punësimin e më shumë mësuesve të përkohshëm në mënyrë që të kemi grupe më të vogla nxënësish në klasë,” tha ajo.

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka dhënë "udhëzime të qarta, të bazuara në shkencë, për dikasteret shkollore mbi gamën e hapave që ata mund të marrin për të qenë të sigurtë. Por çdo shkollë në vend nuk i ka ato fonde dhe burime, ”tha zonja Psaki. "Duhet që qeveria federale ta adresojë këtë."

Dhoma e Përfaqësuesve planifikon të votojë këtë javë mbi paketën e ndihmës së Presidentit Biden me shpresën e miratimit të plotë nga Kongresi deri në mes të marsit.

Aktualisht, 47% e fëmijëve amerikanë nga kopshti deri në klasën e 8-të po ndjekin mësimet në klasë fizikisht; 33% të nxënësve të klasave të 9-të deri në të 12-të shkojnë fizikisht në shkollë për mësim, ndërsa pjesa tjetër janë duke ndjekur mësime nga shtëpia ose në një përzierje të lidhjes me internet nga shtëpia dhe vajtjes në shkollë.

Por një republikan kritik ndaj shumës së paketës së propozuar nga Presidenti Biden për ndihma, ligjvënësi Steve Scalise nga Luiziana, i tha rrjetit ABC, "Ka fonde që janë miratuar më parë,” më shumë se 1 trilion dollarë në fonde të pashpenzuara nga paketat e mëparshme të ndihmës që ai thotë se mund të dërgohen në komunitetet lokale në të gjithë vendin për të ndihmuar rihapjen e shkollave. Ai kritikoi gjithashtu paketën e zotit Biden që nuk specifikon se shkollat duhet të hapen, nëse aprovohen më shumë para./ Marrë nga VOA

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave