Sot 243 viktima në Itali! Në të gjithë botën 3.8 mln raste infeksioni! Suedia: Pandemia nuk ka efekte mbi shoqërinë e paizoluar

Sot 243 viktima në Itali! Në të gjithë botën 3.8 mln raste infeksioni! Suedia: Pandemia nuk ka efekte mbi shoqërinë e paizoluar

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar shifrën 75,000

Sipas të dhënave më të fundit të azhornuara nga Universiteti Johns Hopkins, numri i përgjithshëm i infeksioneve në vend është rritur në 1.252.911 ndërsa vdekjet tani janë më shumë se 75.500.

SHBA mban rekordin e trishtuar të vdekjeve në të gjithë botën, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (30,000), Italia (29.958) dhe Spanja (26,000).

Vetëm në 24 orët e kaluara, në SHBA u regjistruan 2,448 viktima.

Në të gjithë botën, pandemia ka shkaktuar rreth 269 mijë vdekje, ndërsa të infektuarit janë 3.8 milionë dhe janë përhapur në 195 vende.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:04
Covid-19, në Itali 243 viktima dhe 2928 të shëruar në 24 orë!

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar  243 viktima nga koronavirusi për një total prej 30 201.

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 2928 duke e rritur totalin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë në 99203

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 1327 raste të reja pozitiv me Covid-19 për një total prej 217 185 që nga fillimi i pandemisë.

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 609  infeksione të reja dhe 94 viktima. Në Rajon në terapinë intensive ndodhen 400 pacientë

Kurba në Itali është në rënie prej ditësh dhe këtë e konfirmojnë numri i të infektuarve të rinj dhe reduktimi i shtrimeve të pacientëve në spital si dhe ulja e numrit të pacientëve në terapi intensive

Ora 17:51
Britania e Madhe regjistron në 24 orët e fundit 332 viktima nga COVID-19, ndër to dhe një foshnje 6- javëshe

Mbretëria e Bashkuar ka shënuar edhe 332 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit teksa numri total zyrtar shkon në 30 mijë e 947.

Mes viktimave është dhe një foshnje 6 javëshe që bëhet pacienti më i ri që humb jetën nga COVID-19, kurse më i vjetri është një 103- vjeçar.

Ndërkohë që dhe me këto shifra qeveria britanike hedh poshtë një rikthim në normalitet pasi Sekretari i Parë i Shtetit Dominic Raab tha se virusi është ende vdekjeprurës dhe se nuk është mposhtur ende.

Ora 17:21
Covid, Barcelona nga sot ka rihapur plazhet, por me kusht...

Barcelona rihapi sot plazhet e saj, të mbyllura që nga fillimi i izolimit në mes të marsit, që mund të shijohen vetëm nëse praktikohet një sport.

“Janë hapur për të ushtruar një sport individual. Ju nuk mund të shkoni atje për të shëtitur, për t’u ulur, shtrirë ose për piknik”, paralajmëroi këshilltari bashkiak i qytetit, Eloi Badia.

Plazhet, zakonisht shumë të pëlqyera nga turistët, mund të përdoren vetëm midis orës 6:00-10:00 të mëngjesit.

Qytetet e tjera, të tilla si San Sebastian (veri) dhe Valencia (në lindje) tashmë i kanë rihapur me kohë plazhet e tyre për sport.

Duke iu nënshtruar një izolimi të rreptë që nga 14 marsi, 47 milionë spanjollët nisën të shijojnë një lehtësim të masave nga fundi i prillit.

Spanja është një nga vendet më të prekura nga pandemia e koronavirusit, e cila ka vrarë më shumë se 26 000 njerëz në vend.

Hapja e saj graduale dhe e kujdesshme, në katër faza, duhet të vazhdojë deri në fund të qershorit.

Ora 17:17
Paralajmërimi i OKB, Guterres: COVID-19 po shkakton një 'tsunami' ksenofobie

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se pandemia koronavirus vazhdon të shkaktojë “një tsunami urrejtjeje dhe ksenofobie, sharjesh dhe frikësimi”.

Shefi i organizatës thotë se “ndjenjat kundër të huajve janë shtuar në internet dhe në rrugë, ndërsa janë shpërndarë me shpejtës teoritë konspirative antisemite, dhe kanë ndodhur sulme kundër myslimanëve lidhur me COVID-19”.

Guterres shton se emigrantët dhe refugjatët “janë shigjetuar si burim i virusit dhe për pasojë u është mohuar qasja në trajtimet mjekësore”.

  “Me të moshuarit mes personave më të cenuar, janë shfaqur foto-montazhe përçmuese duke sugjeruar se ata janë gjithashtu të parëndësishëm. Gazetarët, dëshmitarët, profesionistët e shëndetësisë, punonjësit humanitarë dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut po shënjestrohen vetëm sepse bëjnë punën e tyre”, bëri apel Sekretari i Përgjithshëm.

Guterres apeloi për një përpjekje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes në nivel global. Sekretari i Përgjithshëm kërkoi nga liderët politikë që të tregojnë solidaritet me të gjithë njerëzit, ndërsa u bëri thirrje mediave, veçanërisht rrjeteve sociale, që të eliminojnë përmbajtjet raciste, përçmuese dhe të dëmshme.

 “U kërkoj të gjithëve, kudo, të ngrihen kundër urrejtjes dhe të trajtojnë njëri-tjetrin me dinjitet dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi për të shpërndarë mirësi”, përfundoi video-mesazhin kreu i OKB-së.

Ora 16:06
Covid, Spanja regjistron 229 të vdekur në 24 orët e fundit, ulet numri i të infektuarve të rinj

Në 24 orët e fundit në Spanjë kanë ndërruar jetë për shkak të COVID-19 229 persona. 15 më pak së një ditë më parë, duke shkuar në 26 299 numri total i vdekjeve. Ndërsa rastet e reja me koronavirus janë shtuar më 1.095, duke shkuar në total 222 857 persona.

Kryeministri Pedro Sanchez ka thënë se secili rajon do të lirojë masat në kohë të ndryshme, varësisht prej shkallës së infektimit.

Prej datës dy maj Spanja la filluar gradualisht lirimin e masave ndaj koronavirusit. Për herë të parë pas më shumë se 2 muaj fëmijëve u lejohej të dilnin jashtë shëtitje me prindërit.

Në Spanjë, një prej vendeve më të prekura nga koronavirusi, kanë menduar edhe për ndarje të bregdetit për grupmosha të caktuara.

Në rajonin e Galicisë, plazhi Silgar do të ndahet në 5 zona të ndryshme, ku në secilën do të krijohen 780 hapësira të ndara nga njëra tjetra me litar, në një distancë prej 1,5 metra.

Turistët do të duhet të qëndrojnë gjatë gjithë kohës brenda sipërfaqes prej 9 metra katrorë. Ndërsa në plazh do të ketë dy hapësira, një për shëtitje dhe lojëra, dhe një tjetër për tualetet dhe dushet publike

Ora 15:53
Përmes masave të lehta kufizuese, Çekia shmang më të keqen nga COVID-19

Republika Çeke ia ka dalë deri më tani të kapërcejë me sukses fazat më të vështira të COVID-19 dhe e gjithë kjo ka ndodhur me masa shumë të lehta kufizuese.

Palestrat dhe dyqanet u hapën këtë javë, ndërsa duke filluar nga 25 maji do të rihapen shumica e aktiviteteve të tjera të biznesit.

Deri më sot, vendi më një popullsi prej 10.6 milionë banorësh ka regjistruar 270 viktima nga COVID-19 dhe mbi 8 mijë raste.

Qytetarët kanë qenë mjaft të lirë që të kryejnë aktivitete në natyrë edhe pse qeveria ka këshilluar për të kundërtën.

Në orën 5 të pasdites, parqet dhe sheshet publike në qytetin lindor Olomouc, i cili është qyteti i gjashtë më i madh në Çeki si dhe i gjendur në një prej rajoneve më të prekur nga epidemia, mbushet me qytetarë që lëvizin me biçikleta, dalin për vrap apo thjesht bëjnë një ecje në diellin e ngrohtë pranveror.

Sipas një sondazhi të Network of European National Panels ku u përfshi Çekia, Sllovakia, Hungaria, Polonia dhe Bullgaria, rezultoi se çekët ishin më të qetë në lidhje me krizën dhe e shihnin vendin e tyre si më pak të prekur krahasuar me shtetet e tjera.

Ka disa prova që sugjerojnë se COVID-19 përhapet më pak në ambiente të jashtme edhe pse komuniteti shkencor nuk e ka konfirmuar këtë, veçanërisht pasi ky është një virus i ri dhe informacionet mbi të janë ende të pakta.

Ora 14:19
Covid/OBSH: Origjina e virusit? Mund të duhet një vit për ta gjetur…

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, mund të duhet të paktën një vit për të përcaktuar origjinën e saktë të pandemisë nga koronavirusi.

Duke folur në Gjenevë, një ekspert i OBSH-së për viruset me origjinë nga kafshët tha se provat e deri tanishme kanë treguar për lakuriqët si burim origjinal i koronavirusit në bashkëveprim me një kafshë tjetër që vepron si një mikpritës i ndërmjetëm.

Organizata përsëriti gjithashtu se nuk kishte parë asnjë provë, të cituar nga presidenti amerikan Donald Trump, se koronavirusi mund të kishte origjinën në një laborator kinez.

Korrespondenti i BBC-së në Gjenevë, Imogen Foulkes, thotë se "Shkencëtarët nuk janë të sigurt se ku filloi saktësisht shpërthimi. Provat tregojnë për një treg në Wuhan, por nga 41 raste të hershme të virusit, vetëm 27 kishin një lidhje të drejtpërdrejtë me tregun".

Virusi duhet të ketë kaluar nga lakuriqët në një kafshë tjetër përpara se të infektojë njerëzit, por se cila kafshë, kjo mbetet e paqartë.

Ora 12:50
Covi, Rusia përsëri me më shumë se 10 mijë raste të reja infeksioni në harkun e 24 orëve

Rusia vijon të shënojë për të gjashtën ditë radhazi më shumë se 10 mijë të prekur të rinj në ditë nga pandemia e koronavirusit, duke i rritur ndjeshëm shifrat totale të të infektuarve.

Në 24 orët e fundit në Rusi u regjistruan 10, 699 persona të tjerë pozitiv ndaj Covid-19, duke e çuar bilancin total të të infektuarve në mbi 187 mijë.

Gjithashtu u regjistruan dhe 98 fatalitete që e çuan numrin e pacientëve që kanë humbur jetën nga koronavirusi në 1723.

Zona më e goditur nga pandemia vijon të jetë ajo e Moskës, ku autoritetet kanë vendosur dhe masat më shtrënguese.

Ora 12:18
Covid, Franca kryen në një javë 700 mijë teste tamponi

Franca është “gati të testojë në mënyrë masive” njerëzit që dyshohen se kanë koronavirus dhe këdo që ka qenë në kontakt me ta nga java e ardhshme, tha ministri i shëndetësisë i vendit.

Olivier Veran tha se Franca do të jetë në gjendje të kryejë 700,000 teste në javë për virusin duke nisur nga e hëna kur të fillojë procesin e parakohshëm të relaksuar izolimin tetë-javor.

Ministri tha se autoritetet – të cilat janë kritikuar shumë për mungesën e testimit në masë – tani kanë kapacitete të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e të gjithë popullatës.

Franca ka qenë një nga vendet më të goditura evropiane, me rreth 26,000 vdekje që nga marsi.

Testimi dhe gjurmimi vlerësohen si çelës për lejimin e vendit për t’u rikthyer në punë, duke identifikuar ata që kanë virusin në mënyrë që ata të izolohen shpejt.

Veran pranoi se mund të ketë pasur një “boshllëk midis teorisë dhe praktikës” së testimit në Francë, me shumë njerëz që kishin recetat e mjekëve për teste por që nuk kishin mundësui për t’i marrë ato.

Por ai këmbënguli se “aftësia jonë për të testuar është sot në nivelin e nevojave tona të vlerësuara”. 

Ora 10:20
Covid/Origjina e koronavirusit, Kina do të pranojë një hetim nga Organizata Botërore e SHëndetësisë

Kina bën me dije se do të mbështesë Organizatën Botërore të Shëndetit në përpjekjet për të zbuluar origjinën e pandemisë, por deklaron se çdo hetim duhet të jetë shkencor dhe jo në një kontekst politik.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën se nuk është treguar transparente në lidhje me origjinën e virusit dhe se dështoi të ndalojë shpërthimin e tij. Pekini ka hedhur poshtë çdo pretendim të tillë. Kohët e fundit autoritetet e këtij vendit hedhin hipotezën  se virusi mund ta ketë patur origjinën jashtë Kinës.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze akuzoi sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo se i kishte sajuar provat e tij “duke krijuar një gënjeshtër për të mbuluar një gënjeshtër tjetër”.

Ora 09:48
Turqia raporton rënie të numrit të viktimave nga COVID-19

Turqia ka vazhduar të raportojë ulje në numrin e vdekjeve si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe numrin e pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv, ndërsa bilanci i të shëruarve në vend arriti në 82.984.

Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca tha në “Twitter” se së shpejti numri i testeve në vend do të arrijë në 1,5 milion, duke shtuar se numri i rasteve me koronavirusin, krahasuar me një ditë më parë ka rënë gjithashtu.

Bilanci i vdekjeve nga pandemia u rrit në 3.641, pasi vendi regjistroi 57 viktima të tjera, më pak së 64 të vdekur një ditë më parë, ndërsa 4.782 u shëruan në 24 orët e kaluara, treguan të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, të shpërndara në rrjetin social nga ministri Koca.

Turqia regjistroi 1.977 raste të reja me virusin, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 133.721.
Gjithashtu, mbi 30.395 teste shtesë janë kryer gjatë 24 orëve të fundit, dhe numri i përgjithshëm i testeve deri më tani ka shkuar në 1,26 milion, sipas ministrit Koca.

Ora 09:33
Covid-19, Australia del nga izolimi prej pandemisë në tri faza

Kryeministri australian, Scott Morrison ka bërë të ditur se si do të rihapet territori që ai drejton nga ditët e fundjavës, pas masave të vëna me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Ai ka bërë të ditur se do të ekzistojnë tri faza, duke nisur të premten nga e para. Aty përfshihet:

-Lejimi i pesë mysafirëve në shtëpi, dhe grumbullimi i 10 njerëzve në ambiente të jashtme

-Restorantet, kafiteritë dhe dyqanet do të rihapen

-Do të vazhdojë puna nga shtëpia nëse iu përshtatet punëtorëve

-Klasat dhe hapësirat për argëtim për fëmijë do të rihapen

-Udhëtimi i brendshëm do të rikthehet

Në fazën e dytë do të përfshihen grumbullimi i më shumë se 20 personave, dhe rihapja e kinemave, palestrave, salloneve të bukurisë.

Faza e tretë ndërkaq parasheh grumbullimin e 100 personave.

Megjithatë marrja e këtyre vendimeve do të varet nga shteti në shtet, varësisht prej masave që kanë në fuqi për mbajtje të distancës fizike. Kuinsllend dhe Territori Verior tashmë kanë nisur të praktikojnë disa prej masave të përmendura.

“Do të ketë shpërthime, do të ketë raste të reja. Jo gjithçka do të shkojë sipas planit”, ka thënë Morrison.

“Mirëpo ne nuk mund të lejojmë që frika e kthimit e kthimit mbrapa të na bllokojë nga shkuarja përpara”, ka thënë mes tjerash ai.

Ora 09:25
Covid, arkitekti suedez i pandemisë: Shkollat mund të mbahen hapur, pandemia nuk ka efekte mbi shoqërinë e paizoluar

Vendimi i Suedisë për të mos ndjekur një bllokim të rreptë njësoj si vendet e tjera europiane normalisht që tërhoqi vëmendje ndërkombëtare dhe sigurisht u shoqërua me polemika.

Anders Tegnell, epidemiologu shtetëror i Suedisë tha për CNBC se “Unë nuk mendoj se dikush është i sigurt për ndonjë strategji, sepse të gjithë po përballemi me diçka të panjohur. Nga ana tjetër, duket se gjërat po funksionojnë. Ne e kemi kaluar pikun e kurbës”

Tegnell shtoi se përvoja e Suedisë tregoi se “shkollat mund të mbahen hapur”. “Kjo gjë nuk ka shkaktuar fare probleme. Nëse mund ta mbajmë shoqërinë e paizoluar në mënyrë të arsyeshme, nuk ka efekte të mëdha.”

Teksa shumë vende fqinje mbyllën kufijtë, shkollat, baret dhe bizneset, në të kundërt, qeveria e Suedisë vendosi të ndërmerrte masa këshilluese.

Tegnell u shpreh se numri i të infektuarve dhe të vdekurve është dukshëm në rënie. Suedia ka mbi 23,000 të infektuar dhe rreth 3000 të vdekur. Gjysma e viktimave janë të moshuar që jetojnë në azile. Suedia kryen rreth 30,000 teste të koronavirusit në javë.

I pyetur nëse Suedia do të ndiqte të njëjtën politikë në një shpërthim të ardhshëm, ai u përgjigj me “më së shumti po”.

Qeveria suedeze i mëshoi punës nga shtëpia nëse ishte e mundur, shmangies së udhëtimeve jo-thelbësore, ndërkohë që restorantet, baret dhe kafenetë qëndruan të hapura dhe u ndaluan mbledhjet me më shumë se 50 njerëz. Shkollat për nxënësit nën 16 vjeç qëndruan të hapura. E përmbledhur, jeta në Suedi ka vazhduar si më parë, thjesht me më pak ritëm.

Duke i krahasuar me vendet e tjera: Suedia, që ka popullsi prej 10 milionë banorë, ka më shumë vdekje se vendet fqinje: Danimarka 10,281 të infektuar dhe 506 vdekje, Norvegjia 7,996 të infektuar dhe 216 vdekje, Finlanda 5,573 të infektuar dhe 252 vdekje. Mirëpo këto vende kanë popullsi më të vogël, rreth 5 milionë banorë secila.

“Ne i kemi krahasuar masat tona me shumë vende të tjera, por duhet të keni parasysh që vendet e tjera patën bllokime më të rrepta sesa ne,” tha Tegnell që krahasoi Suedinë me Belgjikën, e cila ka një popullsi të ngjashme dhe ka rreth 50,781 të infektuar dhe 8,339 të vdekur.
Tegnell u shpreh se i mirëkupton vendimet e vendeve të tjera, megjithatë imuniteti i tufës dhe masat për të bashkëjetuar me virusin, të paktën për Suedinë, rezultuan të suksesshme.

Ora 08:51
Covid/Greqi, vdes nga infeksioni i koronavirusit ish-ministri i Shëndetësisë

Ka ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit ish-ministri i Shëndetësisë së Greqisë, Dimitris Kremastinos

78-vjeçari ndodhej në spital prej më shumë se 1 muaj dhe pati komplikacione në rrugët e frymëmarrjes. 

Kremastinos ishte mjek në profesion. Dimitris Kremastinos ka qenë ministër në qeverinë e Pasok dhe deputet i zonës së Dodekanezit në parlamentin grek.

Njihej si një prej njerëzve në të aftë në fushën e shëndetësisë dhe bëri një reformë të fortë dhe tepër pozitive në shërbimin shëndetësor grek.

Deri tani numri i pbrgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në Greqi është 150

Ora 08:49
Covid/OBSH: Tani është koha e duhur për t'u përgatitur për pandeminë tjetër

“Pandemia e Covid-19 përfundimisht do të kalojë, por nuk do të jetë e mundur të kthehemi në situatën e mëparshme. Ne nuk mund të vazhdojmë ‘të financojmë’ panikun, por duhet të përgatitemi për situatat e tjera të mundshme”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

"Ndërsa ne jemi duke punuar për t'iu përgjigjur kësaj pandemie - nënvizoi ai - ne gjithashtu duhet punojmë më shumë për t'u përgatitur për tjetrën. Tani ne kemi mundësinë për të hedhur themelet për sistemet elastike të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën".

Tedros Adhanom Ghebreyesus tha gjithashtu se "Historia do të gjykojë të gjithëve jo vetëm se si kemi dalë nga kjo pandemi, por edhe për mësimet që kemi nxjerrë dhe veprimet që kemi ndërmarrë pasi të ketë kaluar Covid" shtoi ai.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alb: 08/05/2020 12:29

    Shquperia ne 2 muaj ka kryer 10 mij

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Teatri i Gjilanit me 'Tartufin' në ArTurbina! Studentët e kantos, koncert tek 'Artet'! Primo Shllaku në Shtëpinë Studio Kadare!

Teatri i Gjilanit me 'Tartufin' në ArTurbina! Studentët e kantos, koncert tek 'Artet'! Primo Shllaku në Shtëpinë Studio Kadare!