Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka bërë thirrje sot qytetarëve që të vaksinohen, nëse duan të marrin pjesë në koncerte apo aktivitet masive publike në Tiranë. I pranishëm në Ndoq, ku vizitoi një familje, banesa e të cilëve u rindërtua pas tërmetit, Veliaj u shpreh se në mënyrë që Tirana të hapet 100%, duhet të që qytetarët të vaksinohen.

 “Nëse doni që Tirana të hapet 100%, pra që të lejohet publiku në ndeshjet e futbollit ose në koncerte, duhet të jesh i vaksinuar. Nëse doni të shkoni në aktivitete te Amfiteatri i Liqenit, në sheshin Skënderbej, apo të ndiqni koncertet e Dua Lipës, Rita Orës, s’ka rëndësi kush vjen, duhet të jeni të vaksinuar. Nëse nuk vaksinohesh, nuk ke pse e mban peng qytetin që të kthehet në jetën e tij normale. Sepse i bie që 1% e shoqërisë dikton 99% të të tjerëve. Nëse s’do të vaksinohesh, rri ti në shtëpi dhe beso idiotësitë e portaleve”, tha Veliaj.

Janë një sërë shtetesh në Europë që kanë bërë të detyrushëm vaksinimin për të marrë pjesë në aktivitete publike, për të hyrë në kinema, apo edhe për të darkuar në restorante. Ky vendim është marrë tashmë nga Danimarka Belgjika, Franca e Italia, ndërsa po diskutohet edhe në Greqi.

Këto masa vijnë pas konfirmimit të variantit Delta, që është bërë mbizotërues në shumë vende, prezenca e të cilit është vërtetuar edh enë vendin tonë. Delt aka sjellë një rritje të rasteve të reja me COVID në vend, ku një ditë më parë u regjistruan 132 persona të infektuar.

Ndërkohë vendi vijon edhe me procesin e vaksinimit, ku muaji gusht është shpallur muaji i hapur i vaksinimit për personat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar, ku secili mund të paraqitet me kartën e identitetit. Numri total i vaksinimeve të kryera në vend ka shkuar në 1,229,405

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:08
Familja futet në banesën e rindërtuar, Veliaj: Pas ndërtimit të shtëpive dhe lagjes së re, përfundojmë infrastrukturën arsimore në Ndroq, Pezë dhe Vaqarr

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka insepktuar banesën e familjes Muhamed Trimit në Ndroq që ka hyrë në shtëpinë e re, të rindërtuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Në këtë zonë, njësoj si familja Trimi, janë edhe 100 banesa të reja, ku po punohet për të rritur standardin e jetesës për familjet që do të strehohen në to. Veliaj u shpreh se operacionit të rindërtimit po i afrohet fundit, ndërsa siguroi se krahas shtëpive të reja është menduar për gjithë infrastrukturën ndihmëse dhe ofrimin e shërbimeve pranë komunitetit.

“Po i afrohemi fundit të operacionit shumë të madh për rindërtimin e shtëpive. Pra, po përfundojmë shtëpitë individuale, plus lagjen e re, e pastaj do të përfundojmë gjithë infrastrukturën arsimore në zonën e luginës së Erzenit, këtu në Ndroq, në Pezë dhe në Vaqarr. I themi lamtumirë krizës që na solli tërmeti, për t’u fokusuar tek gjithë energjia e mirë që na duhet për të promovuar më shumë zonën, për t’u fokusuar më shumë te bujqësia, për t’u fokusuar më shumë që këta fëmijë të kenë arritje të jashtëzakonshme edhe në arsim, në shoqëri, në sport. Tani që ikën, i harrojmë kollaj, por atëherë ishte nevoja që të kishim besim te njëri-tjetri, që do vinin ditë më të mira, do vinin kushte më të mira”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.