TIRANËGjykata e Apelit Durrës, e cila gjatë këtyre ditëve të mbuluara nga COVID-19, po zhvillon seanca gjyqësore penale dhe civile, tregon se në asnjë moment nuk ka shkelur vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Aktin-Normativ.

Në një reagim për media, Gjykata e Apelit, shprehet se pavarësisht pezullimit të veprimtarisë së gjykatave, ditën e sotme ishin përcaktuar zhvillimi i disa gjyqeve. “...këto seanca gjyqësore, zhvillohen pa praninë e palëve si dhe seanca gjyqësore që janë në fazën ku janë dëgjuar kërkesat dhe shpjegimet e palëve mbi ankimet përkatëse dhe gjykata duhet të shprehet me vendim, në lidhje me to...”-thotë në reagimin e saj gjykata e Apelit.

Më tej në reagimin e saj gjykata shprehet se: “...natyra e këtyre çështjeve dhe zhvillimi i seancave gjyqësore është në përputhje të plotë me përcaktimet e pikave “2” dhe “3” të vendimeve respektive të KLGJ-së të datës 10 mars 2020, 24 mars 2020 si dhe 6 prill 2020...”.

Referuar akteve të nxjerra nga KLGJ-ja dhe Këshilli i Ministrave dhe pse është pezulluar veprimtaria gjyqësore në tërësi, janë parashikuar se do vijojë gjykimi për çështjet familjare, me objekt gjykimi kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë dhe birësimin, masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për pensionin ushqimor të fëmijës.

Çështjet civile në të cilat nuk kërkohet prania e palëve, nëpërmjet përdorimit të mjeteve të komunikimit elektronik për paraqitjen e akteve procedurale dhe dhënien e vendimit nga gjykata.