VLORËSPAK arriti të zbardhë se, pas 2 atentate mafioze të ndodhura në Vlorë 5 vite më parë, atë të Gentjan Qarrit dhe Bledar Birçajt, fshihet Inez Hajrulla dhe grupi i tij kriminal. Një personazh i njohur, që i ka shpëtuar 3 atentateve, por edhe policisë, që nuk arriti ta arrestojë pavarësisht kontrolleve të shumta në bazat e tij. Grupi kriminal, sipas SPAK ka trafikuar gati 1.2 ton kokainë nga Eku drejt vendeve të BE-së në rrugë detare e tokësore si dhe mbi 700 kg kanabis. Grupi kishte dhe 2 policë, njëri prej të cilëve derisa u arrestua sot, ishte në detyrë. Sipas SPAK oficeri Rezart Kuçi përveçse ka porositur 400 kg kokainë për llogari të tij e ka ndihmuar grupin me të dhëna nga policia.

Bazë e një hetimi të gjerë që SPAK zhvilloi prej vitit 2022 ndaj një grupi të strukturuar kriminal me bazë në Vlorë, ishte zbërthimi i bisedave të koduara në aplikacionin SkyEcc. Përmes tyre, u zbulua se në krye ishte Inez Hajrulla, një personazhi të njohur për autoritetet në Vlorë, i cili i ka shpëtuar 3 atentave, grup i përfshirë në 2 vrasje të bujshme të ndodhura në Vlorë në vitin 2021, në trafik ndërkombëtar të drogës, si dhe në pastrim të parave.

Më 5 mars të 2026-ës, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK caktoi masa arresti për 8 persona. Vetëm 3 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 5 të tjerët u shpallën në kërkim, përfshirë kreun e grupit Inez Hajrulla dhe krahun e tij të djathtë, Ervis Matodashaj. Një sërë kontrollesh në banesa dhe, përfshirë të konsideruarën bazë e Hajrullës, njohur si “7 pallatet Oslo’ te Uji i Ftohtë, por pa rezultat.

Prokuroria e Posaçme zbulon se vrasja e pazbardhur deri më sot e Gentjan Qarrit më 6 shkurt të 2021-shit në Vlorë, është organizuar nga Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit, të cilët kanë ndër vepruar në kohë reale me ekzekutorët.  Grupi organizator ka dhënë udhëzime për sigurimin e makinave të vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilët u larguan autorët. Hajrulla dhe miku i tij, akuzohen për vrasje me paramendim, në bashkëpunim, si grup i strukturuar kriminal, ndërsa ekzekutorët ende nuk dihen.

Për atentatin e dytë mafioz që SPAK arriti të zbardhë, atë të Bledar Birçajt më 10 maj të vitit 2021 në Vlorë, Inez Hajrulla dhe ushtari i tij Ervis Matodashaj akuzohen për sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen. Ata survejonin edhe me kamera lokalin “The Boss” në pronësi të Bledar Birçajt.  Ata kishin të qartë çdo lëvizje të tij me orare si dhe personat që takonte, duke hartuar planin konkret se kur dhe ku do e vrisnin.  

Komunikimet në SkyEcc, i shërbyen hetuesve të arrijnë edhe në gjurmët e disa rasteve të trafikut ndërkombëtar të drogës duke zbuluar se pas sekuestrimit të sasive të mëdha të kokainës në disa shtete, fshihej ky grup kriminal. Në këtë pikë, grupi ka të përfshirë edhe një punonjës të policisë që përdorte edhe SkyEcc, me detyra të larta, e që gjatë kohës që ka trafikuar kokainë ka qenë shef për hetimin e krimeve në Vlorë, në qytetin bazë të këtij grupi kriminal.

SPAK thotë se oficeri i policisë Rezart Kuçi është porositës dhe posedues i 400 kg kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor të 2020-ës dhe të sekuestruar nga autoritetet gjermane. Kjo porosi është bërë bashkë me Arben Memishajn, i shpallur në kërkim, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal. Sipas SPAK, punonjësi i policisë, Kuçi dhe të tjerët, kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.

Prokurorët e Posaçëm kanë prova se oficeri ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal të grupit. Ai ka siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike, ka nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, ka ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin dhe ka përdorur sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal

Edhe kur agjentët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore e arrestuan, Rezart Kuçi, ishte aktualisht në detyrë në radhët e policisë, shef seksioni në policisë shkencore në Kukës.

Po me urdhër të SPAK, në bashkëpunim me autoritetet në Zvicër, atje, ra në pranga, një ish-polici, Hamëz Demushi, por deri më tani nuk është i qartë roli i tij në këtë grup.

Një tjetër episod trafiku kokaine që SPAK gjen përgjegjës anëtarë të këtij grupi kriminal, janë 750 kg kokainë e sekuestruar në portin e Roterdamit në Holandë. Sipas SPAK kjo sasi është porositur në Ekuador nga Flodian Plaku, i cili sot ndodhet në burg për një tjetër vrasje, atë të Gentjan Bejtjes në 2024-ën në Fushë-Krujë, si dhe nga biznesmeni Mendu Duka, ky i fundit në kërkim, dhe persona të tjerë të paidentifikuar.

14 kg kokainë të sekuestruara nga policia greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda, është organizuar nga një tjetër anëtar i grupit Argest Xhezani, i shpallur në kërkim nga SPAK.

URDHËR-ARRESTET
Inez Hajrulla (kërkim)
Ervis Matodashaj (kërkim)
Flodian Plaku (ekzekutuar në burg) 
Rezart Kuçi (ekzekutuar masa nga AMP)
Hamëz Demushi (ekzekutuar masa në Zvicër)
Mendu Duka (në kërkim)
Arben Memishaj (në kërkim)
Argest Xhezani (në kërkim)

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:49
SPAK zbardh detajet/ Ja si grupi i Inez Hajrullës eliminoi Gentjan Qarrin dhe Bledar Birçajn! I vëzhguan dhe ndihmuan autorët të largohen

1772901839_xv.png

Dy viktimat Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj

Grupi i Inez Hajrullës akuzohet nga SPAK për eliminimin e Gentjan Qarrit më 6 shkurt 2021 dhe Bledar Birçajt më 10 maj 2021. SPAK thotë se Hajrulla dhe krahu i tij i djathtë Ervis Matodoshaj, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit, kanë organizuar  dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, me qëllim realizimin e vrasjes së Qarrit.

I njohur ndryshe si Gecja, Gentjan Qarri u vra në Vlorë ndërsa po lëvizte në këmbë në orët e pasdites. Në drejtim të tij u shkrehën plumba kallashnikovi, ndërsa mbeti i vdekur në vend. Ekzekutorët e kësaj vrasje ende nuk janë identifikuar. Ka qenë grupi i Hajrullës, që sipas SPAK, ka bërë të mundur fshehjen e autorëve dhe djegien e mjetit me të cilin ata janë larguar nga vendi i ngjarjes. Hajrulla me krahun e tij të djathtë, Ervis Matodoshajn (të dy ende në kërkim) kanë dhënë udhëzime për monitorimin e 40-vjeçarit, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes ndërsa më pas zhdukën nga vendi i ngjarjes edhe autorët.

Sa i takon vrasjes së Bledar Birçajt më 10 maj 2021, SPAK thotë se grupi i Inez Hajrullës ka siguruar të gjitha kushtet për eliminimin e tij. Edhe kjo vrasje kishte mbetur e pazbardhur dhe shkak dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës. Birçaj u ekzekutua vetëm një muaj pasi u kthye nga Spanja në vendin tonë. Grupi i Hajrullës e kishte vënë në vëzhgim, duke përdorur madje edhe kamera survejimi për të vëhguar lokalin në pronësi të tij “The boss”. SPAK thotë se përmes këtyre kamerave, grupi ka arritur të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat, me të cilët Birçaj shoqërohej, derisa më 10 maj të 2021-shit vunë në jetë planin për ekzekutimin e tij. Në momentin kur Birçaj u zu në pritë ishte në makinë  me njw 20-vjeçar dhe njw polic, të antidrogës Granit Deromema.

Njoftimi i SPAK për zbardhjen e 2 vrasjeve

“Vrasja me paramendim”, parashikuar nga nenin 78, paragrafi 2 i Kodit Penal në dëm të shtetasit Gentjan Qarri më datën 6 shkurt 2021 në qytetin e Vlorës, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit kriminal,“Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 28/4, 333/a dhe 334 paragrafi i parë të Kodit Penal.

Të hetuarit I.H dhe E.M, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal kanë organizuar, ndërvepruar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, me qëllim realizimin e vrasjes dhe kanë dhënë udhëzime operative që kishin të bënin me  monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilin janë larguar autorët.

Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të shtetasi B.B

Nga analiza e komunikimeve, rezulton se I. H. dhe E. M. si dhe shtetas të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, në bashkëpunim me njeri- tjetrin, kanë ndërmarrë një seri veprimesh të qëllimshme, për të realizuar vrasjen e shtetasit B. B. Ata kanë siguruar të gjitha kushtet dhe kanë përdorur mjete teknike, si kamera survejimi dhe kanë vëzhguar lokalin “The boss” në pronësi të shtetasit B. B., për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat, me të cilët shoqërohet. Gjithashtu rezulton se ata kanë hartuar një plan konkret për mënyrën dhe vendin e ekzekutimit. Shtetasi B. B. është ekzekutuar më datë 10 maj 2021, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, në Vlorë.

Ora 16:46
SPAK sqaron rolin e shefit të Policisë që u arrestua sot: I jepte informacione kofidenciale grupit të Hajrullës

1772887156_rezartkuci.jpg

Përmes një komunikate zyrtare, Prokuroria e Posaçme ka sqaruar rolin e Rezart Kuçit, shef seksioni i policisë shkencore në Kukës, i cili u arrestua ditën e sotme nga SPAK. 

Sipas SPAK, polici Rezart Kuçi,  ka ndihmuar grupin e Hajrullës duke siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike; nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore; ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin; përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal dhe përdorur komunikim të koduar në aplikacionin SKYECC.

Në 2025, kur janë ekzekutuar Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj - për të cilët hetuesit e posaçëm besojnë se pas të dyjave vrasjeve fshihet grupi i Inez Hajrullës, një personazhi të njohur për autoritetet në Vlorë - Kuçi ka qenë shef për hetimin e krimeve në Vlorë, dhe ka lëvizur gjatë kohës në disa detyra të tjera, në Lushnje, shef i krimeve në komisariatin numër 1 në Tiranë.

Në njoftimin e SPAK thuhet se Kuçi ishte i një prej porositësve të 400 kilogramëve kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020, të cilat u kapën nga autoritetet gjermane. Punonjësi i policisë Rezart Kuçi, ishte bashkëporositës i sasisë së drogës së bashku me Armen Memishajn që është shpallur në kërkim. Këta të dy kishin bashkëpunuar me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, dhe kishin investuar edhe në mjete lundruese për transportin e drogës.

Punonjësi i policisë Rezart Kuçi, sot shef seksioni në policisë shkencore në Kukës, u arrestua për 3 vepra të rënda penale, shpërdorim të detyrës, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Ora 16:40
Grupi i Hajrullës trafikoi 1.9 tonë drogë nga Ekuadori drejt BE! Shefi i Policisë porositi 400 kg kokainë, por iu kap në Gjermani! U zbuluan nga SkyECC

SPAK e akuzon grupin e Inez Hajrullës edhe për trafikun e 1.9 tonë droge (kokainë e kanabis) drejt vendeve të Bashkimit Europian. Anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, vepronin thuajse në gjithë Europën dhe hetimet e SPAK kanë zbardhur 4 episode të trafikut, mes tyre edhe një porosi prej 400 kg kokaine nga polici Rezart Kuçi.

750 kg kokainë e sekuestruar në Holandë

Flodian Plaku, i njohur ndryshe edhe si Pole Qorri, rezulton se në bashkëpunim me biznesmenin Mendu Duka (ende në kërkim) porositën 750 kilogramë kokainë nga Ekuadori dhe do të trafikohej në vendet e Bashkimit Europian. Sasia e drogës është sekuestruar në portin e Roterdamit në Holandë, ndërsa porositës rezultojnë edhe disa persona të tjerë që deri në këtë fazë të hetimeve nuk janë identifikuar ende nga SPAK. Janë bisedat në SkyECC që kanë çuar SPAK në zbardhjen e episodeve të trafikut të drogës, ku sipas hetimeve ky grup kishte krijuar një mekanizëm financiar të sofistikuar për financimin dhe transportin e drogës.

14 kg kokainë drejt Holandës

Episodi tjetër lidhet me sekuestrimin e 14 kg kokainë në nga Policia Greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda. Nga komunikimet në SkyECC rezulton se në këtë mjet transportohej edhe një ngarkesë tjetër droge me destinacion Italinë, transport i organizuar nga Argest Xhezani (në kërkim) në bashkëpunim me persona të tjerë.

Polici Rezart Kuçi porosit 400 kg kokainë

I përfshirë në trafikun e drogës rezulton edhe vetë Polici, Rezart Kaçi, i cili në kohën kur i ka shërbyer grupit të Inez Hajrullës shërbente si shef krimesh Vlorë. Kaçi jo vetëm që i jepte grupit të Hajrullës informacione për rivalët dhe dekonspironte kontrollet e policisë, por rezulton që ka siguruar edhe logjistikë për trafikun e drogës. Bëhet fjalë për të paktën 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020. Droga u sekuestrua në shtetin gjerman, ndërsa sipas bisedave të zbërthyera nga SkyECC, rezulton se porositës i kësaj sasie është polici Kaçi në bashkëpunim me Arben Memishaj (në kërkim) dhe anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.

Sekuestrimi i 727 kg kanabisi

SPAK ka dokumentuar edhe sekuestrime të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, përfshirë 227 kilogramë të sekuestruara në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020 dhe rreth 500 kilogramë të sekuestruara në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut, në mars 2021, të cilat dyshohet se transportoheshin përmes kamionëve drejt Turqisë përmes Greqisë.

Kliko KËTU për të lexuar njoftimin e plotë të SPAK

Ora 16:04
Goditja e grupit të Inez Hajrullës, trafikuan 1.2 tonë kokainë nga Ekuadori drejt vendeve të BE-së! Policët u jepnin informacione për rivalët

1772871826_aksionvloraspak.jpg

Report Tv zbardh të tjera detaje nga aktiviteti kriminal i grupit të Inez Hajrullës. Anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, vepronin thuajse në gjithë Europën, ku në faza të ndryshme, janë kapur në Roterdam 700 kg kokainë, 500 kg Maqedoni, e disa qindra kilogram të tjerë në Greqi e Hamburg të Gjermanisë apo Belgjikë.

Droga nisej nga Ekuadori dhe kishte destinacion vendet europiane kryesisht Holandën dhe Belgjikën. Mësohet se punonjësit e policisë ishin të përfshirë jo vetëm në aktivitetin e narkotikëve por edhe në ndihmë të grupit kriminal, duke dhënë informacione kundër rivalëve të tyre që kërkoheshin të eliminoheshin.

Ora 15:50
Sot u arrestua si i përfshirë në grupin e Inez Hajrullës, FOTO kur polici Rezart Kuçi vlerësohej për ‘shërbime të dalluara’

Polici Rezart Kuçi, aktualisht shef  seksioni në policisë shkencore në Kukës, u arrestua për 3 vepra të rënda penale, shpërdorim të detyrës, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit të Inez Hajrullës, të fortit të Vlorës, i cili rezulton deri më tani të ketë prositur 2 vrasje dhe bashkë me grupin e tij akuzohen për trafik droge në disa episode.

Ndërsa sot u arrestua për pjesëmarrje në grup kriminal, vetëm 1 vit më parë ai vlerësohej nga Drejtoria e Policisë së Shtetit me certifikatë për shërbime të dalluara.

Ora 13:34
Operacioni i SPAK, arrestohet një ish-polic në Zvicër! Pranga edhe policit Rezart Kuçi, ish-shef i krimeve në Vlorë (FOTO)

SPAK ka lëshuar në total 8 urdhër arreste për grupin e Inez Hajrullës. Mes të arrestuarve, siç bëjnë me dije burime për Report Tv, është edhe një ish polic, Hamëz Demushi, i cili është kapur në Zvicër. Në pranga ka rënë edhe Rezart Kuçi, aktualisht shef i departamentit të Policisë Shkencore në Kukës, ndërsa më herët ka shërbyer në disa komisariate, si Lushnjë, Tiranë, por edhe ish-shef krimesh në Vlorë. Ai akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Burimet sqarojnë se Policisë i ishte dhënë vetëm 7 urdhër arreste dhe nuk i ishte dorëzuar urdhër arresti për Rezart Kuçin, me qëllim që të mos dekonspirohej operacioni.

Ora 13:30
U ekzekutua 1 muaj pasi erdhi nga Spanja, grupi i Inez Hajrullës porositi vrasjen e Bledar Birçajt në Vlorë! SPAK zbardh ngjarjen

Grupi i Inez Hajrullës qëndron edhe pas vrasjes së Bledar Birçajt në Vlorë në 2021, episod tashmë i zbardhur nga SPAK. 40-vjeçari, Bledar Birçaj u vra në një atentat të mirëorganizuar në automjetin e tij “BMW” X5 në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit. Në drejtim të automjetit u qëllua mbi 30 herë, ku 7 plumba i morën jetën.

Në 2021 kur u organizua atentati, Birçaj kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanja, dhe pista e hetimeve ishte përplasja mes bandave për trafik droge. Në makinë me të rezultoi të ishte edhe një 20-vjeçar, si edhe një polic, Granit Deromema, i cili më vonë u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit. 

Emri i Birçajt nuk ishte një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2011 është arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Birçaj ishte edhe një pronar i një lokali në Vlorë.

Një tjetër ngjarje ku ka qenë subjekt institucioneve ligjzbatuese është ajo e vitit 2010, kur Birçaj së bashku me vëllanë e tij kanë dhunuar juristin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, personin me inicialet F. H. Për këtë në atë kohë prokuroria nisi procedim penal në gjendje të lirë për dy të rinjtë.

 

Ora 09:48
Zbardhen 2 vrasje e episode trafiku droge! Urdhër arrest për Inez Hajrullën e Ervis Matodashaj, u shpëtojnë operacionit të SPAK

Inez Hajrulla

SPAK ka lëshuar 7 urdhër arreste, pas zbardhjes të disa ngjarjeve kriminale dhe trafikut të drogës. Mes tyre është lëshuar urdhër arrest për Inez Hajrullën, i njohur ndryshe edhe si i forti i Vlorës. Burime thonë se Hajrulla nuk është gjetur në bazën e tij në Vlorë ku edhe po ushtrohen kontrolle. Mes urdhër arresteve, është edhe emri i Ervis Matodashaj. Të dy i kanë shpëtuar operacionit të SPAK. 

Sipas burimeve të Report Tv, 2 prej personave që është lëshuar urdhër arrest iu është komunikuar në qeli, 3 të tjerë rezultojnë se ndodhen jashtë shtetit. SPAK ka zbardhur 2 vrasje dhe episode të trafikut të drogës.

Ora 09:30
U eliminua me breshëri kallashi 5 vite më parë, SPAK zbardh vrasjen e Gentjan Qarrit

Me urdhër të SPAK janë lëshuar 7 udhërarreste pasi janë zbardhur disa ngjarje kriminale. Mes ngjarjeve të zbardhura është edhe eliminimi i Gentian Qarrit 5 vite më parë, i njohur ndryshe si Gecja.

40-vjeçari Gentjan Qarri po lëvizte në këmbë në orët e pasdites në datën 6 shkurt 2021 në Vlorë. Në drejtim të tij u shkrehën plumba kallashnikovi, ndërsa mbeti i vdekur në vend.

Qarri ishte dënuar më herët për trafikim të lëndëve narkotike në Itali. Autorët dogjën mjetin pranë Pyllit të Sodës dhe humbën gjurmët. Pamjet e kamerave të sigurisë nuk i kanë ndihmuar shumë hetuesit, të cilët kanë arritur të shohin vetëm dy persona të mirëkamufluar që largohen pasi kryen vrasjen.

Ora 09:21
Aksioni i SPAK në Vlorë, RENEA e BKH zbarkojnë te baza e Inez Hajrullës (VIDEO)

Prej orëve të para të mëngjesit, me urdhër të SPAK po zhvillohet një operacion në Vlorë. Burime bëjnë me dije se kontrollet po ushtrohen në zonën e quajtur ‘7 pallatet Oslo’, e njohur ndryshe edhe si baza e Inez Hajrullës.