Milva Ekonomi merr çelësat e Ministrisë së Bujqësisë: E gatshme për të dëgjuar bashkëpunëtorët e mi! Çuçi: Kam besim se do i çojë para punët e nisura

Milva Ekonomi merr çelësat e Ministrisë së Bujqësisë: E gatshme për të dëgjuar bashkëpunëtorët e mi! Çuçi: Kam besim se do i çojë para punët e nisura

Bledi Çuçi i ka dorëzuar pasardhëses së tij Milva Ekonomit çelësat e Ministrisë së Bujqësisë. Ekonomi është zyrtarisht ministrja e re e Bujqësisë, ndërsa gjatë mesazhit të saj të parë u shpreh se do të jetë  gjithmonë e gatshme për të dëgjuar e konsultuar  me bashkëpunëtorët e saj në çdo rast.

"Gjatë marrjes së detyrës nga Bledi Çuçi, u njoha më në detaje me punët e realizuara, por edhe me ata të planifikuara për vitin që vjen. Me ketë rast i sigurova bashkëpunëtorët e mi, se do ta jem gjithmonë e gatshme për t’i dëgjuar e konsultuar në çdo rast për procese të rëndësishme që kanë në fokus rritjen e qëndrueshme të produkteve bujqësore dhe përafrimin me praktikat më të BE, për një Bujqësi Europiane", shkruan ministrja e re e Bujqësisë Milva Ekonomi.

Edhe Bledi Çuçi shprehu besimin se ministrja e re, Milva Ekonomi, do të çojë përpara punët në këtë sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, që kontribuon me mbi 20% në PPB-në e vendit.

I dorëzova sot detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zonjës Milva Ekonomi, koleges dhe bashkëpunëtores sime të vjetër, me të cilën punuam një vit më parë për hartimin e Raportit të Vlerësimit të Nevojave pas Tërmetit të 26 nëntorit. Jam shumë i kënaqur që këto dy vite në drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural arritëm të shtojmë mbështetjen për fermerët dhe të ndërmarrim nisma e reforma me ndikim të madh në zhvillimin rural.

Prej vitit të ardhshëm fermerët do të përfitojnë naftë pa taksa për punimet në bujqësi.

Shërbimi Veterinar po riorganizohet pas ndryshimeve ligjore dhe do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke iu dhënë mundësi mbi 400 veterinerëve të jenë pjesë e këtij shërbimi shumë të rëndësishëm.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është ka hyrë në një fazë ristrukturimi që do të fuqizojë ndjeshëm kontrollin e sigurisë ushqimore në Shqipëri. Ndërsa, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë akreditoi gjatë vitit 2020 plot 49 teste të reja analizash nga 53 të tilla që ka pasur deri në vitin 2019. Kjo do të thotë më shumë besueshmëri për operatorët e biznesit ushqimor dhe konsumatorët.

Edhe në një vit të vështirë për shkak të pandemisë së COVID-19, bujqësia ishte sektori që performoi më mirë. Tregues domethënës dhe provë e pakundërshtueshme e këtij fakti është rritja dyshifrore e eksporteve të produkteve bujqësore. Dhe jo vetëm kaq, por harta e shteteve ku eksportohen produktet tona bujqësore, u zgjerua me tregje të reja.

Sigurisht që këto rezultate konkrete nuk janë të rastësishme, por fryt i politikave mbështetëse të qeverisë. Implementimi i Programit IPARD II është gjithashtu një histori suksesi më vete. Miliona euro të bashkëfinancuara nga BE dhe qeveria shqiptare janë investuar dhe po investohen në sektorin rural dhe agropërpunim, duke hapur vende të reja pune, duke rritur prodhimin dhe konkurrueshmërinë e produkteve tona bujqësore.

Me këtë mbështetje, përfunduam markatën e peshkimit në Shëngjin, një hapësirë e kompletuar me të gjitha kushtet dhe standardet për peshkatarët dhe tregtarët. Po punohet ndërkohë për markatën e Vlorës e më pas do të hapen kantieret për Durrësin e Sarandën.

Shpreh bindjen se ministrja e re, Milva Ekonomi, do të çojë përpara punët në këtë sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë shqipare, që kontribuon me mbi 20% në PPB-në e vendit, si dhe do të dijë të adresojë më së miri sfidat me të cilat ndeshen fermerët, agropërpunuesit, operatorët e biznesit ushqimor dhe konsumatorët.

Nuk dua të bëj zinxhirë lëvdatash, që me siguri as ju s’do të donit t’i lexonit prej meje, por falënderoj nga zemra gjithë bashkëpunëtorët e mi në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për këto dy vite, duke nisur nga zv.ministrat, kabineti, drejtuesit brenda dikasterit dhe institucionet e tjera të varësisë, si dhe çdo punonjës që është përkushtuar në përmbushjen e detyrave funksionale. Pa kontributin tuaj të çmueshëm, nuk do të kishim arritur këto rezultate. Mirënjohje për secilin prej jush! 

Shumë suksese për Milvën!

 


Lajmi kryesor:

Prezantohet ministri i ri i Brendshëm, Bledi Çuçi! Rama: Protestat? Ka nevojë për reflektim! Mbase jemi i vetmi vend ku ka më shumë policë të plagosur se protestues


I.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur