Sot zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve të përgjithshme në Brazil. Qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 dhe mbyllen në 17:00, sipas orës së Brasilias, ose në 22:00 me orën e Shqipërisë.
Nga një popullsi prej rreth 220 milionë banorësh, mbi 158 milionë kanë të drejtë vote. Për shumicën e zgjedhësve, votimi është edhe detyrim. Më shumë se një milion prej tyre jetojnë jashtë vendit.
Për çfarë votohet?
Zgjidhen presidenti dhe zëvendëspresidenti i Republikës, guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e 26 shteteve dhe të Distriktit Federal, si dhe të 513 deputetët. Rinovohen gjithashtu dy të tretat e 81 vendeve të Senatit dhe zgjidhen asambletë ligjvënëse në të gjithë vendin.
Nëse asnjë nga 13 kandidatët për president nuk merr më shumë se gjysmën e votave të vlefshme në raundin e parë, më 25 tetor zhvillohet balotazhi mes dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.
Lula dhe Flavio Bolsonaro: çfarë tregojnë sondazhet?
Pothuajse të gjitha sondazhet parashikojnë një balotazh shumë të ngushtë mes presidentit aktual Luiz Inácio Lula da Silva, nga Partia e Punëtorëve, dhe Flavio Nantes Bolsonaros, nga Partia Liberale.
Lula, 80 vjeç, kërkon mandatin e katërt. Flávio Bolsonaro, 45 vjeç, synon një fitore në emër të të atit, Jair Bolsonaro. Ish-presidenti u mund me më pak se dy pikë përqindjeje në zgjedhjet e katër viteve më parë dhe më pas u dënua me 27 vjet burg për përpjekjen për grusht shteti, me të cilën kërkoi të pengonte marrjen e detyrës nga rivali i tij, Lula.
Sondazhet e cituara në artikull i japin Lulës një epërsi të lehtë në raundin e parë: 45% kundrejt 40% për Bolsonaron. Por kjo epërsi zhduket në parashikimet për raundin e dytë, ku dy kandidatët kryesorë shfaqen në barazim, me nga 42%.
Votimi elektronik, i kundërshtuar nga Trump
Brazili përdor që prej vitit 1996 një sistem votimi elektronik, i cili mundëson marrjen e rezultateve pak pas mbylljes së qendrave.
Megjithatë, duke qenë se këtë herë parashikohet një garë kokë më kokë, me diferencë shumë të vogël, artikulli ngre mundësinë e një vonese në shpalljen e rezultatit.
Sistemi ka dy pajisje: njërën për punonjësin e qendrës, ku identifikohet zgjedhësi, dhe tjetrën për zgjedhësin, i cili e hedh votën duke shtypur numrin e kandidatit.
Lula përdor tradicionalisht numrin 13, ndërsa Bolsonaro numrin 22. Pasi zgjedhësi vendos numrin, në ekran shfaqen emri i kandidatit, fotografia, posti për të cilin kandidon dhe shkurtimi i emrit të partisë. Zgjedhësi konfirmon votën dhe kalon te posti tjetër.
Siguria e këtij sistemi është kundërshtuar disa herë dhe me forcë nga ish-presidenti Jair Bolsonaro dhe aleati i tij amerikan, Donald Trump.
Gjatë përdorimit, pajisja e votimit nuk ka lidhje me internetin, Wi-Fi apo Bluetooth dhe nuk transmeton të dhëna deri në mbylljen e votimit. I gjithë procesi i nënshtrohet më shumë se 40 fazave të verifikimit.
Kandidatët
Për presidencën garojnë 13 kandidatë, një më shumë se në vitin 2022. Megjithatë, Lula dhe Bolsonaro janë shumë pikë përqindjeje përpara rivalëve të tjerë, duke treguar ndarjen e fortë të elektoratit mes dy kampeve.
Lula është i vetmi kandidat që ka zgjedhur për zëvendëspresident një politikan jashtë partisë së tij, nga një forcë e djathtë. Ai është pjesë e koalicionit të gjerë që ka qeverisur Brazilin deri tani.
Për postet e guvernatorëve, përballjet më të rëndësishme zhvillohen në São Paulo, Rio de Janeiro dhe Minas Gerais. Edhe në këto gara, nëse asnjë kandidat nuk siguron shumicën e votave, më 25 tetor zhvillohet balotazhi./CorrieredellaSera







Komente
Komento