Curraj, refleksione per një
krahinë, historia e një epoke…

Curraj, refleksione per një<br />krahinë, historia e një epoke…
Kullat karakteristike prej guri tashmë janë rrënuar, rrugët brenda fshatit janë mbuluar, arat dhe livadhet janë gërryer nga shirat dhe mbetet vetëm lumi i kthjellët që ndan fshatin përmes, i pandryshuar me troftat e tij, që tashmë janë shtuar. Kisha qindravjeçare e riparuar, mbetet simbol i besimit të banorëve që dikur ishin aty, por tashmë nuk ndodhen më.
 
Kjo është pamja që të pret në fshatrat Curraj Epër, Qeresh dhe Mulaj të krahinës së Nikaj Mërturit, Tropojë, ku banon vetëm një familje, ndërkohë që të tjerët janë larguar prej vitesh.

kulle mullaj

Vetëm një familje, e cila nuk don të identifikohet, të pret me kënaqësi, pasi mundësia për të parë njerëz tashmë është shumë e rrallë, ndërsa fshati është braktisur. Kryefamiljari I vetëm i këtij fshati, të tregon se dikur e provoi edhe ai të largohej, pikërisht atëherë kur pa se të gjithë po largoheshin e kur mendoi se jetesa në atë vend kishte marrë fund.

kulle

Banori  thotë se familja e vet nuk kishte dashur të kthehej dhe se e kishin kundërshtuar fillimisht, por më pas e kanë respektuar vullnetin e kryefamiljarit.
 
Tashmë të gjithë banorët janë larguar nga fshati, e ndonëse ai ka mall dhe nostalgji për ta, ngrys ditët me fëmijët dhe gruan në vendlindjen e tij. Pa drita. Energjia elektrike prej vitesh nuk ekziston në Curraj Epër. Dikur kishte centralin që furnizonte tre fshatrat, Curraj Epër, Qeresh dhe Mulaj.

Fëmijët  nuk kanë mundësi shkollimi, ndërkohë që ai thotë se banori më i afërt ndodhet në fshatin fqinj, që është tre orë larg, por ai ka besim se një ditë  do të popullohet ashtu siç ka qenë dikur.

“Frika më e madhe është që fëmijët të mos më sëmuren, e sidomos në dimër, pasi është shumë e vështirë për t’i çuar në fshatin pranë për t’i vizituar”, rrëfen kryefamiljari. Ndërkohë thotë se për momentin ka si shqetësim të sigurojë një racë qeni të aftë t’u rezistojë ujqërve, të cilët janë shtuar në këtë zonë, sidomos pas largimit të gjithë banorëve. Rezervat dimërore i grumbulloj në vjeshtë me mushka, thotë ai, teksa vijon të shpjegojë se fëmijët e kalojnë ditën me të ëmën e tyre në shtëpi ose duke kullotur bagëtinë, pasi ata mbajnë lopë e disa krerë të imëta.

1

E ndërkohë, kur largohesh, pas të ndjek vështrimi i kryefamiljarit të vetëm të tre fshatrave. I veshur me kostumin karakteristik të zonës, ai ia nis një kënge të moçme sa bjeshkët: “Fort po shndrit ai diell e pak po nxe /ç’po e merr fryma rrapin e Jutbinës /Borë e madhe paska ra /Randojnë ahat për me u thye /Kanë çetinat vetëm kreshtat /Prej borës së madhe që ka ra…”

Ndërsa poetët thurin elegjitë e dhimbjes për braktisjen e Nikaj Merturit:
 
Nën peshën prehistorike të shekujve,
U ngrit trimërisht për t’u rrënuar një ditë;
E qyqet s’pushuan kukamën asnjëherë,
majave trishtuese lartësuar  n’rrokaqiell…
 
Sado të mallohemi,veç  shkruajmë fjalë lojcake,
Se zëri ka mbetur varur bjeshkëve të fëmijërisë
Prapa një rudine,prapa një kodre…
 
Delir trazuar vargu im,
E ndjej dhimbje mikluese për këto rreshta,
Përzier me britma,imazhe dhe kujtime të rinisë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Pasdite në kopshtin e shtëpisë', 'Servili i Grave' dhe 'Hana, vajza që kapi diellin', tre librat e rinj në rubrikën 'Në librari'

'Pasdite në kopshtin e shtëpisë', 'Servili i Grave' dhe 'Hana, vajza që kapi diellin', tre librat e rinj në rubrikën 'Në librari'