Avokati mbrojtës i kreut të bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, dënuar një ditë më parë nga Gjykata me dy vjet burg për “shpërdorim detyre”, ka akuzuar gjykatën për një vendim jo në varësi të provave.

Në një deklaratë për mediat, Genc Gjokutaj ka sqaruar pozicionin e klientit të tij, duke thënë se cështja është shumë e qartë dhe e pastër, duke thënë se për cështjen për të cilën akuzohet nuk është harxhuar asnjë qindarkë nga buxheti i bashkisë.

“Tenderi nuk është realizuar asnjeherë, nga buxheti i bashkisë nuk është harxhuar asnjë qindarkë, kjo kompani nuk a paraiqtur asnjë dokumentacion. Cilat janë provat që e bëjnë të paqenë këtë episod. Kompania ka fituar tenderin në bashki, nga ana e saj i është dhënë afati maksimal për depozitim dokumentacioni për kontratë, kompania jo vetëm nuk e dorëzoi por në shkelje të ligjit, nuk paraqiti të paktën siguracionin e kontratës”­ tha Gjokutaj.

Sipas tij, prokuroria nuk e ha hetuar këtë fakt  “Jemi detyruar ne e kemi sjellë këtë fakt në gjykatë, gjykata e shqyrtoi dhe nuk e përmend në vendimin e saj, që do të thotë se vendimi nuk është marrë në rezultanten e provave, por e një gjykimi subjektiv për të mos thënë më tepër”­ deklaroi ai.

Çështja u zbulua pas kallëzimit të firmës “Gjoka”, e cila vuri në lëvizje organet e hetimit, pas pretendimeve të kësaj shoqërie se ishte skualifikuar pa të drejtë nga tenderi, pavarësisht ofertës së ulët me të cilën  kishte garuar.

Nga veprimet hetimore, sipas prokurorisë, gjithashtu në këtë çështje i ishte shkaktuar dëm ekonomik edhe shtetit, pasi në procedurën e tenderimit ishte pranuar oferta më e lartë e një firme tjetër.

Sipas të njëjtit qëndrim, në një rast kishte fituar tenderin, por ishte shmangur gjatë vitit 2013 për të lidhur një kontratë, në mënyrë që të fillonte punimet, ndonëse disa herë ishte tentuar të komunikohej me dy të bashkakuzuarit dhe me Mziun. Nga veprimet hetimore rezultoi se, pavarësisht që firma në fjalë ishte shpallur fituese, punimet i ishin besuar një firme tjetër. 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)