Komisioni i Disiplinës ka vepruar më dorë të hekurt ndaj dhunës që është ushtruar në javën e fundit të kategorisë Superiore në stadiumet e Flamurtarit dhe Kukësit.

Komisioni pasi mori në shqyrtim të gjitha materialet vendosi që të dënojë ekipin e Flamurtarit me zbritjen e tre pikëve në renditje dhe zhvillimin e katër ndeshjeve jashtë fushës. Shkak i dënimit është dështimi në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit të Skënderbeut, ku u godit nga një tifoz presidenti i ekipit korcar, Ardian Takaj.

Përvec Flamurtarit, Disiplina ka dënuar edhe ekipin e Kukësit. Verilindorët për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të ndeshjes dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 me Vllazninë dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve jashtë stadiumit.

Pas vendimit të Disiplinës fitorja e Flamurtarit me Skënderbeun 2-1 zerohet pas heqjes së tre pikëve, ndërsa Kukësi përvec zhvillimit të 4 ndeshjeve jashtë nuk humbet gjë tjetër, pasi përballë Vllaznisë humbi 1-3.