SHKODER - Një nga zonat më problematike përsa i përket përmbytjeve është edhe komuna e Dajçit të Bregut të Bunës. Në fshatin e Shirqit, uji ka përmbytur pothuajse gjithë tokën bujqësore duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme banorëve te zonës.

Përveç dëmeve në bujqësi, probleme të konsiderueshme ka edhe në blegtori, e cila reflektohet në mungesë të ushqimit për gjënë e gjallë. Nga ana tjetër banorët deklarojnë se gjatë kësaj situate askush nuk është kujtuar për to.

Shkarkimet në të tre Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës vijojnë edhe gjatë ditës së hënë duke bërë që lumi Buna të dalë nga shtrati dhe të përmbyt sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore si dhe të izolojë banesa në komunën e Dajçit të Bregut të Bunës.

Aksi që lidh këtë komunë me Shkodrën është i bllokuar për shkak se niveli i ujit i kalon 1.5 metra dhe e vetmja mundësi për t’u futur në këtë komunë është me mjete lundruese. Fshati më i dëmtuar nga përmbytjet është Shirqi, ku përveç dëmeve në bujqësi dhe blegtori numëron dhjetëra banesa të izoluara nga uji dhe shtatë shtëpi të përmbytura.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)