Dy humbjet radhazi të Skënderbeut kanë sjellë pështjellim në radhët e klubit korçar. Në prag të ndeshjes së sotme me Flamurtarin, trajneri Ilir Daja ka pranuar se dënimi i rëndë i ardhur nga Komisionet Disiplinore të UEFA-s kanë ndikuar psikologjikisht te futbollistët dhe ambienti përreth klubit, pavarësisht seriozitet në stërvitje apo vlerësimeve të ndeshje.
“Janë dy humbje radhazi, aq sa kishim bërë gjatë gjithë kampionatit. Dy humbje në kompeticione të ndryshme dhe kjo është disi më e lehtë. Por, janë dy humbje që kanë ardhur menjëherë pas vendimit të UEFA-s, që shkaktoi jo pak probleme te të gjithë ne, duke mos na lënë të ishim më të qetë si në fillim. Nuk ka arsye neglizhimi në këtë mes. Ne kemi qenë në të tilla kushte edhe më parë, kur diferenca ishte 15 pikë para se të dilte vendimi dhe të gjithë ju e dini se çfarë kemi bërë në fushë. Por, tani gjendja psikologjike e të gjithëve nuk na le të shprehemi si duhet dhe si duam. Kjo është e gjitha”.
Ilir Daja, trajner i Skënderbeut
Skënderbeu humbi 0-1 në mesjavë me Flamurtarin në Korçë, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe i duhet të përmbysë në Vlorë mesjavën e ardhshme. Ndërsa sot në Vlorë luhet ndeshja e fundit e javës së 28-të të Superiores. Korçarët kërkojnë revansh, por njëkohësisht edhe për të siguruar sa më shpejt titullin kampion, sepse Kukësi tashmë ndodhet 9 pikë larg.
“Është ndeshja e parë e fazës së katërt të kampionatit dhe duhet të themi se kërkojmë që ta nisim mirë këtë fazë. Do të jetë një ndeshje delikate, pasi Flamurtari vjen nga një ecuri jo fort e mirë në ndeshjet e fundit dhe do të kërkojë që të bëjë maksimumin në shtëpinë e vet për ta marrë rezultat. Më shumë se sa kjo, mund të them se dy humbjet e para që vijnë si rezultat i ngarkesës psikologjike dhe kjo do të jetë një tjetër problem në këtë ndeshje që do të duhet ta kalojmë. Unë e them me bindje se Skënderbeu shkon kudo dhe kërkon të marrë maksimumin, qoftë kjo një ndeshje në shtëpi apo në transfertë” – shton Ilir Daja.
Nga ana tjetër, Flamurtari kërkon të bëjë më të mirën edhe përmes kampionatit, të paktën për të kapur vendin e katërt, që këtë sezon mund të të çojë në Europë. Sipas trajnerit Daja, Skënderbeu mund ta humbë vetë këtë kampionat, pasi vështirë se rivalët mund të bëjnë diçka.
Ndërsa këto ditë pritet vendimi i Komisionit të Apelit të UEFA-s, që me shumë gjasë do të lërë në fuqi vendimin 10 vjeçar për mospjesëmarrje në Europë. Klubi korçar të gjitha shpresat i ka në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, teksa kërkon pafajësinë.