TIRANE- Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, ka konfirmuar se çështja e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës është marrë në shqyrtim dhe se tashmë dosja do të verifikohet fletë pas flete. Kreu i këtij inspektoriati Zyhdi Dajti, është shprehur i bindur se nëse do arrijë të gjejë shkelje për këtë rast nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë. Dajti ka nenvizuar se çështja tashmë i ka kaluar drejtorisë qëndrore në Tiranës, dhe se është në verifikim e sipër.

Pallati disa katësh i ndërtuar në zonën e “Ujit të Ftohtë”, konsiderohet që është ndërtuar në një zonë turistike dhe që konsiderohet si pasuri kombëtare. Në kallëzimin e INUK të bërë në muajin shkurt 2011 është konstatuar se me vendimin nr.5 të datës 28 gusht 2002 të KRRTRSH si dhe me studimin pjesor të zonës, miratuar nga KRRT e bashkisë Vlorë, ku është parashikuar ngritja e këtij objekti. Në përfundim të shqyrtimit të kujdesshëm analitik dhe krahasues të këtyre dokumentave të rëndësishme, është konstatuar se studimi pjesor si dhe lejet derivuese të ndërtimit për objektin në fjalë, të miratuara nga KRRT e bashkisë Vlorë, lejojnë ndërtimin në një teritor, i cili në planin rregullues të përgjithshëm urbanistik për zhvillimin e zonës qëndrore të qytetit të Vlorës, të miratuar nga KRRT dhe KRRTRSH, nuk klasifikohet si zonë e destinuar për ndërtim.

Shkrimi u publikua sot (3.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)