Dalan Luzaj feston ditëlindjen
në kasollen e internimit

Dalan Luzaj feston ditëlindjen<br />në kasollen e internimit
Tiranë-Megjithse me dy operime në zemër, në moshën 69 vjec, poeti Dalan Luzaj, , kryetari i shkrimtarëve shqiptaro- amerikanë, këto ditë ndjeu të domosdoshme të kapërcejë Atllantikun, që nga Cikago Illionis  dhe mbrriti këto ditë në Shqipëri, të festojë në 3 gusht ditëlindjen në kasollen e Interrnimit, në Sherishte Vlorës, së bashku me bashkëshorten etij, Burbuqen.

Të dy nuk i kishin njohur baballarët, mbasi të dyve u ishin larguar në Amerikë të përndjekur nga komunistët, të dy ishin shoqëruar kudo me zellin e vigjilencës ndaj “armikut”, të dy u fejuan në kushtet e kësaj “barazie”paradoksale, u martuan, lindën katër fëmijë dhe për 23 vite kaluan interrnimin në një Kasolle me kashtë në fshatin e Sherishtës, kasolle që do të mbetet në kujtesën e tyre për tërë jetën.

E kisha takuar në qershor të vitit 2010, në hotel Tirana, ku kish shoqëruar poetin anglo-amerikan  Frederik Turnerin së bashk me studjuesin Gjek Marinaj, në takim me shkrimtarë e artistë të Shqipërisë.

Në 27 korrik , të këtij viti , ndërsa pija kafe, në një nga mijëra karriget e vendosura në tortuaret e Tiranës, më qëndroi pranë një burrë simpatik, që rrezatonte mirësi, paqe e fisnikëri të dukëshme.

”Më falni, a njihemi, bashkë ?!...” më pyeti.I thashë  se duhej të njiheshim patjetër...”Jam Dalan Luzaj…”, pohoi dhe ky emër më kujtoi fjalët e dhëna në një intervistë për” Illyria”, zonjës Kozeta Zylo: “Asnjëherë në jetë s’e kam  ngatërruar Atdheun me Partitë… Ai ngeli  një dhimbje mbi dhimbjet, që përcjell çuditë e bijve  …”

Më dhuroi librin e tij Kasollja e Interrnimit, botuar mbas katër vëllimeve poetike.Pyetjes se c’përfaqësontë Kasollja, ju përgjigj se fëmijërinë  e kaloi në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ku kreu dhe shkollën fillore.  Në vitet 1962-1963 mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë.

Punoi pak vite si mësues në fshatrat e Tepelenës, por u kujtuan se ai ish biri i Profesor Isuf Luzit, një nga personalitetet më të shquar të nacionalizmit në Shqipëri, bashkthemelues I Partisë Social-Demokrate me Musine Kokalarin e Kastriot Mucon, ..

Prof Isufi edhe  pse   ishte për një kohë shok në Paris me Enver Hoxhën , dhe më vonë mësonjësa në të njejtin Lice, në Korçë , si dhe me vajtje ardhje  familjare, u vendos në shinjestrën e pushkatimit, të cilit i shpëtoi me largim të menjëhershëm nga Atdheu në  tetor të vitit 1944, duke lënë mbrapa gruan dhe pesë fëmijë, të cilët u përndoqën e u mbajtën nën ankthin e ferrit e kërkëllimave të zinxhirave për në cdo natë në ëndërr.

Pikërisht kjo kasolle në Sherishtë, e mbuluar me llamarina, që pikonin në dimër, me mure kashte e balte që sa s’binin jo pak herë nga stuhitë, me ujin që shkonte jo pak herë në mes të krevatëve të sajuar, nuk mund të harrohej dhe do të vendosej në kujtesën e Dalanit, motrave e vëllezërve e nipave e mbesave, për të kryer peligrinazh në atë vend …Ajo kasolle është prishur, por vendi është dhe Dalani ka porositur një pllakë për ta vendosur me diciturën:”Miq bij e bashkëatdhetarë të cdo shtrese ohore…, këtu qëndruam për 23 vite, të interrnuar pa asnjë faj ...Të most ë harrojmë kurrë, të most ë përsëritet kurrë…”


Në vitin 1990, Dalani niset në Ambasadën amerikane , ku punonjëses Gabriela  I pohon se kish 45 vite pa e takuar babanë dhe e kish në Amerikë…Gabriela ‘smund të fliste…Nuk dihet se cllahtarë e dramë ndjeu në ato moment …Vetëm shkroi në një letër “Thuaj babait ti shkruaj ambasadës amerikane  se është I sëmurë…”Eh, Gabriela vendosi të kërkojë të gënjehet , qoftë të ndëshkohet, por vetëm të zhdukte nga faqje e dheut dramen e këtij djali që ….

Në këtë moment, pikërisht unë nuk mund të shkruaj…E kam të pamundur ta përshkruaj, I përfshirë nga një ndjesi që s’mund ta duroj , po përsëris fjalë për fjalë, ( duke i kërkuar ndjesë që si kam marrë leje) ato që Dalani ka shkruar më  2010:

“Dola  nga zyra dhe renda në postë, i spjegova babait ç’më tha Gabriela.
-Po bir m’u pergjigj babai, tani ma lërë mua në dorë.
Ai kishte biseduar me ambasadorin italian dhe ne na ngeli përgatitja për nisje.
Në një telefonatë të shkurtër e pyeta:
-Po mirë që do nisem, por unë s’të njoh?
-Njeriu që do shikosh veshur me të bardha te porti në Trieste, është yt atë.


dalan luzaj
(Dalan Luzaj)

Nisja u bë një ditë gushti 1990 me një traget modern PALLUMBJA.  O Zot sa e gjatë ishte rruga nga porti, hyrja gjer te trageti!…  Emocione dhe frika e kthimit, apo më keq ndonjë arrestim na shoqëroi tërë udhëtimin.  Kjo luftë nervore, motivesh shoqërohej me një lëvizje të vazhdushme timen, pa parë dhe ndierë që gjjthë trupi ishte ujë, djersën e ndjeja gjer në këpucë, dhe më bëhej sikur të isha në Sherishte me çizmet e prera me ujin brenda…Isha  ndarë, trupi ne traget, ndërsa mendja e shthurur s’gjente vend ku të rrinte.  Më solli në vete tronditja e tragetit që lëvizi, ende s’më besohej…

Trageti dolli në ujërat neutrale dhe unë fillova të thoshja BABA, bëja prova si e thoshja, si e shqiptoja, kjo ishte nje fjalë e një fjalori të panjohur për mua, a do ta thoshja duke i dhënë edhe ndjenjën, se fjalet mëmë edhe baba kanë brenda ëmbëlsinë dhe dashurinë, detyrën dhe përgjegjsinë që na mungonin, ndaj dhe s’i ndërtoja saktë.
S’më flihej, përkrah kisha bregdetin “Dalmat” dhe sipër  një hënë e plotë që udhëtoi me ne gjer sa ra mugëtira e mëngjesit.
Ngadalë, që për mua ishin largësi mujore, po afrohej Triestja, në të cilën dalloheshin ndërtesat dhe njerëzit. Në një port të thjesht detar dukej një turmë njerëzish.
Ja i thashë zemrës, mes turmës një njeri shtatlartë me të bardha i cili mes tyre binte në sy për i huaj mes të huajve.
Sapo trageti preku tokën, pa u hedhur cimat, kalova në tokë.

Po i afrohesha po  kujt?…
Dielli të digjte, im atë s’e priste që të dilja kaq shpejt dhe po bisedonte me dikë në një gjuhë që edhe sot s’e kam marrë vesh, s’e kuptova ngaqë s’e pyta.
Iu afrova, O Zot, më jep  forca po lutesha!
I dola përballë!…  Dashuri, dhimbje, tronditje, mungesa dhe pikëllimi i nënës, të cilën  një vit më parë e lamë nën selvi dhe s’pa një ditë të bardhë, dhe sot mungonte, vuajtjet dhe gjithë shqetësimet e jetës u bën xhëng në grykë dhe s’më lejonin të flisja…
Këto lloj emocionesh janë tepër të rralla qe i kam provuar, por e keqja ime është se s’mund të përciellë as pjesën më të vogël të tyre…
Isha plot me djersë dhe më ndodhi një fenomen i çuditshëm si: “në se ndonjë nga ju e ka provuar në gjumë, mes një ëndrre të frikshme që kërkon ndihmë, kërkon të flasë dhe s’flet dot”…
BABA, s’di se ç’më doli nga shpirti një pjesë e tij apo ai xhëngu që më merrte frymën…  Nga sytë e Tij zbritën nje zinxhir lotësh, ne ishim ballë per ballë.  Ai ishte truphedhur, më rroku, koka ime ishte në gjoksin e tij.  Unë ndjeva aromën e babait pas 45 vjetësh, për ta besuar që ishte im atë ndjeva mbi flokë pikat e strehës së kasolles, ku na internuan, që në vjeshtë pikonte mbi mua.


Isha në në një botë të panjohur, është e madhe bota e prindrit dhe sidomos e atij që na kishte lënë një boshllëk aq të madh?  S’di sa ndenjëm se s’isha i përqëndruar, ish  kohë, apo endërr e jetuar?…  Më largoi dhe me duart e tij në supet e mij më vështroi thellë që hyri gjer në gjak ai vështrim…
-Përse kaq i dobët mor bir?…
Dëgjova bir per herë të parë e cila erdhi dhe u bë si një ombrellë.  Unë ndjeja një lloj ngrohtësie që s’e kisha ndjerë, ngrohtësi shpirti jo lëkure.
Më rroku dhe ndjeja një lëkundje sizmike të përqëndruar në ato centrimetra katrore ku shpirtrat tanë komunikonin me një urdhër hyjnor.
Ai që kish humbur luftën dhe familjen i trokiste brenda vetes e kaluara e hidhur dhe
padyshim mbante pohueshëm pjesën e “fajit” që Atij i kish rënduar gjithë  jetës.
Hodha sytë në qelqet e Triestes që dërgonin gjithë diellin me një dritë që sikur ishte shpirti i asaj Drite (emri i nënës sime) që vuajti aq shumë dhimbje të cilat s’na u ndanë kurrë…”
 
                        
- Dalani, ka katër fëmijë.Në Amerikë, në vitin 2000, disa ditë para vdekjes, I ati, prof Isufi  u la detyrë të botonin  kolanin prej 120 librave të shkruara më dorë e të vendosura në kasafortë të koduar.Deri tani janë botuar 10 libra të professor Isuf, prej poetit dhe studjuesit XhevatBeqaraj ...Për fat të keq media ka bërë shumë pak, ose më sakt, intelektualët shqiptarë nuk kanë përqëndruar seriozisht vëmëndjen ndaj kësaj figureje poliedrike:Filozof, poet, shkrimtar, politikanvlerësuar nga presidentët e Amerikës Regan dhe Bush, personalitete nga më të mëdhenjtë në Itali, Francë , Argjentinë etj.
                 
Vepra e prof Isuf Luzaj, me gjithë përkushtimin e pazakontë të Xhevat Beqaraj , nuk është përhapur e propoganduar sa duhet.
Akademia e Shkencave dhe Universitetet shqiptare s’po e vendosin në programe, këtë personalitet të shquar të universiteteve amerikane e më tejë.Shtëpia Botuese Omska, s’ka kryer shpërndarjen dhe reklamimin në nivelin që e mëriton ky burrë i madh i kombit…

isuf luzaj

Portreti i Isuf Luzaj

Jeta në arrati dhe kulmet e karrierës

Isuf Luzaj
 (1913-2000) Isuf Luzaj lindi në Kaninë më 21 shkurt 1913 në një familje fetare, i ati ishte hoxha i fshatit.Isuf Luzaj shkollën fillore e kreu në Vlorë me 1926. Gjimnazin e vijoi në Shkodër, ku e kreu më 1933. Në vitin e dytë fitoi bursë nga gjimnazi për të studjuar jashtë vendit, aplikoi për bursë por iu refuzua. Për të shkuar me studime u detyrua ta shesë pjesën e vet të tokës me ullinj.Me 1933 shkoi  në Paris.

Pasi ishte regjistruar dhe kreu liceun u regjistrua pranë Universitetit të Sorbonës.N.ga pamundësia ekonomike u detyrua të tërhiqej nga studimet në Francë.Në Shqipëri kthehet me 1936. Pas betimit para mbretit Zog fillon punën në Normalen e Elbasanit si mësues frëngjishteje, drejtor i së cilës ishte Aleksandër Xhuvani. Mandej u transfeua në liceun e Korçës po si mësues frëngjishteje në periudhën 1936-'38, ku asokohe punonte dhe udhëheqësi i ardhshëm i Shqipërsisë  Enver Hoxha .

Pas Protestës së Bukës të mbajtur në Korçë më 28 nëntor të vitit 1938, e kalojnë në Institutin Tregtar të Vlorës ku jep letërsi.[Në vitin 1938 botoi përmbledhjen e parë poetike me titull "Rrëfime". Pasi botoi këtë përmbledhje, e cila nuk arriti as të shpërndahet si duhet, u burgos, dhe si shkas ishte poezia "Neroni". Pasi u hodh në gjygj , mbas 94 ditëve burg u lirua si i pafajshëm....Me 120 studentë kishte vendosur të luftojë kundër trupave italiane të cilat zbarkoheshin më 7 prill të vitit 1939 bashkë me Hysni Lepenicësn, Skënder Muçon  merr pjesë ndër protestat e djalërisë dhe qytetarisë vlonjate me 28 nëntor 1939 me flamurin shqiptar pa shenjat e liktorit.


I dyshuar për vrasjen e një polici italian burgoset në Vlorë, transferohet në Durrës nga ku, pas disa muajve, transferohet në Brindisi të Italisë me 12 studentë të Institutit Tregtar të Vlorës, andej në Gaeta e prej andej në Ventotene (ishull) , deri në 1942. Mandej nga këtu transferohet në kështjellën e Cortona D'Arezzo për shkak të disa poezive kushtuar Luftës së Vlorës. Aty ra në kontakt me Ali Këlcyrën, Mit'hat Frashërin, Fuad Bej Dibrën e Lef Nosin të cilët  në kështjellë kishin shkruar Dekalogun e Ballit Kombëtar. I sufi propozoi që në Dekalog të hynte pika e shtatë: “Organizata e Ballit Kombëtar do të zbulojë vlerat e vërteta, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike”.

Lirohet nga burgu dhe kthehet në Shqipëri në tetor 1942. Organizon çetat e Ballit në Dukat. Në Selenicë komandon luftën prej 13 orësh dukë dalë fitimtarë ndaj pushtuesit. Në vitin 1943 në fshatin Vajzë futet brenda një autoblinde Italianë ku lufton më tepër se një orë. Iu bashkua patriotëve të vendit dhe ishte pjesëmarrës aktiv i Konferencës së Mukjes. Merr pjesë në themelimin e Partisë Social-Demokrate në rrethet Shkodër, Tiranë dhe Vlorë me Musine Kokalarin dhe av. Skënder Muço me 12 tetor 1943...Në vitin 1944 më 28 nëntor largohet  nga Shqipëria, duke lënë në Kaninë gruan më 5 fëmijë të mitur.

Djali i madh nuk kishte veç 7 vjet, Shkoi në Itali e aty arrestohet, si i dyshuar për vrasje e gjeneralit Zanini. Kërkohet nga qeveria komuniste shqiptare të riatdhesohet që t'i nënshtrohet “gjyqit të popullit për krime lufte”. Punoi më tepër se 2 vjet, me rekomandim të Sandro Pertinit, me të cilin ishte njohur në Ventotene, në Bibliotekën e Vatikanit, gjatë vuajtjes të dënim-internimit.Pas amnistisë del nga burgu, vendoset në Brescia ku jep mësim latinisht në një seminar pranë qytetit. Me 1948 largohet drejt Argjentinës. Fillon punë në Ministrinë e Arsimit si përkthyes i frëngjishtes, italishtes, latinishtes, në spanjisht.

Përveç kësaj punë ai përgatiste edhe lajmet për radion Europa e Lirë, dhe gazetën “Laprensa”. Njihet me shkrimtarin Jorge Luis Borges Me 1957 diplomohet në letërsi e filozofi. Po atë vit fillon punë në Universitetin e Buenos Airesit. Me 1960 emërohet drejtor i institutit francez."La France à l'étranger" i cili përshëndetet dhe vizitohet personalisht nga ish-presidenti i Francës De Gaule. Në vitin 1961-1962 emërohet këshilltar i Ministrit të Arsimit në Argjentinë, ku përgatiste programet akademike për universitetet  e vëndit.. Më 1965 dekorohet me medalje ari nga Universiteti i Buenos Aires-it.Në vitin 1965 anëtarët e Ballit e thërrasin në Amerikë, pasi kishte vdekur Ali Këlcyra më 1963.

Në kongresin e mbajtur në Neë York zgjidhet kryetar i Balli Kombëtar.Në ShBA fiton konkursin në frëngjisht dhe fillon punë si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge, në Universitetin e Neë Hampshire (Nju Hempshajer). Në vitin 1966 në Ministrinë e Arsimit Ëashington D.C., Bën unifikimin e diplomave që kishtë marre në Argjentinë. Mes 1966 e 1968 emërohet shef katedre po në Universitetin e Neë Hampshire. Vitin akademik 1968-'69 punon profesor i letërsisë spanjolle, frënge, dhe drejtor i përgjithshëm i departamentit të gjuhëve të huaja në Barat College-Lake Forest, Illinois. Vitin tjetër akademik, 1969-'70 emërohet profesor i letërsisë frënge në St. Joseph College, Indiana, SHBA. Punon shef katedre në Universitetin e Indiana-s, ku programonte dhe drejtonte kurset e 59 profesorëve të filozofisë.

Del në pension më 1980, por gjithnjë aktiv qëndron në krye të katedrës së filozofisë në Universitetin e shtetit të Illinois-it ku ishte emëruar që nga viti 1979. Në vitin 1979 ishte emëruar titullar katedre i 87 profesorëve në universitetin e Illinois-it. Më 29 Dhjetor 1990 jep dorëheqjen për arsye moshe dhe shëndetësore.
              
Vepra të prof Isuf Luzaj të botuara:

Në vitin 1946 përfundon librin “Ideoligjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë. Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë. Në vitin 1954 boton novelën politike-shoqërore filozofike kundra komunizmit “Lumejt derdhen të kuq” në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), shtëpia botuese Ultramar. Në vitin 1965 boton “Metodologjinë për studimet e filozofisë” që është përdorur për shkollat e mesme. Ndër vitet 1963-'90 boton artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi filozofinë e Historisë së Markzizmit në teori dhe praktikë. I janë botuar 10 libra  gjatë 15 viteve të fundit në Shqipëri.

Isuf Luzaj ka marrë titullin "Professor emeritus" në SHBA, një dekoratë që mban shënimin "Profesor i Amerikës" dhe të cilën ia pat dorëzuar vetë presidenti Regan, se kishte dhënë mësim në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj. Në vitin 1990 Universiteti i Illinois-it i dorëzon medaljen “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike”. Në këtë ceremoni merrte pjesë presidenti i atëhershëm i ShBA George H. Ë. Bush, guvernatori i shtetit të Illinoisit dhe Sekretari i Arsimit. Në dhjetor 1990 Shoqata e Gazetarëve të Amerikës i jep “Medalje nderi” për 94 artikuj të botuar tek “Edistenologjia e Materializmit Historik”.

Në Shqipëri dekorohet me Urdhëri i Punës, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë , në vitin 2012, Ndërsa 100 vjetori i lindjes së tij, që iështë  pikërisht këtë vit asqë u përkujtua.

Një projekt pranë kasolles së interrnimit.

Dalan Luzaj, ka sjell bashkë me projektin për një pelegrinazh ne Kasollen e Interrnimit, edhe 12 vëllime filozofike, nën titullin “ Kujdesi Bletes “, te Prof Isuf Luzaj.Ai, ju ka bërë thirrje një grupi akademikësh e studjuesit ta paraqitin të tërë kolanën  e këtij filozofi të përmasave botërore...

Mbas varrimit në vendlindjen e tij, Kaninë, sipas amanetit të tij të lënë (vdiq 25 nëntor 2000 në Cikago), botimi i kësaj kolane do të jetë zbatimi i një amaneti tjeter të rëndësishëm për kombin tonë.

I vlerësuar nga personalitetetet më të mëdhënjë në Itali, Francë, Argjentinë, Amerikë, besoj se edhe në vëndin e lindjes do të marrë vlerësimin e plotë e të merituar.Kjo wshtw nw nderin e Akademisw, tw presidencws, tw twrw popullit shqipfolws brwnda dhe jasht hartws gjeografike.

 
Dalan Luzaj
KASOLLJA E INTERRNIMIT

Kasolles, shiu  ia  zhveshi  baltën mureve  për  rreth,
Paralele   purtekat, si  brinjët  tona, pentagram,
Druri  që  lidhte  purtekat në mes.,
 Si një  solfezh ngulu  në shpirt  ende e kam.
 
Paralele  hynin  te  shpejta  vetëtima,
Larg  ishin  gjëmimat, qaseshin  ngadalë
Pentagramit, pikat  e  shiut, notat  më  të  vështira.,
 Kompozohej  melodrama  e  ferrit  fatal.  
 
 Uji  brinjëve  të cara, uji  dhe  nga  lart,
Fëmijët  në  mes, ne  për  rreth,
Një  duf  errësire  dilte  jashtë,
Te  hollat  vetëtima , i  shkelnim  baltës  në  mes.
 
Më  zgjodhi fati, tjetër  gjë  do  të zgjidhja,
Internimi   ngeli kycur, pa  spjegim,
Një  qind  ferre  shpirtit  do  t`ia  hidhja,
Në  se  gjeja  fajin  që  zgjodhi  fatin  tim.
 
Kur gjëmon, edhe sot ndjej frikë,
Mos vërshon uji, brinjëve, në kasolle.,
 Ndal o mesnatë!Jam në Amerikë,
O ëndëerr përvëlonjese dhe këtu ma sollle?
 
Herë shkoj në Sherishtë , herë vjen ne Oak Parke,
Zbërthyer brinjët , kalbur , duke tretur,
U kërrus nën vuajtje, shkrihet pak nga pak,
Interrnimi dhe kasollja, bashkë  kemi për të vdekur.
 
Qytetare në shpirt, detin kam në gen,
Ky vend , m’i  mjekoi plagët që më dhe,
Plagosur malli im vjen dhe të gjen,
 Mbret  në Amerike , rob  në  Mëmëdhe.

Nga Novruz Xh Shehu

Redaksia online
(b.t/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë