Të shtunën, më 26 prill, duke nisur nga ora 10:00, do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës për Papa Françeskun në Vatikan. Vetë Selia e shenjtë publikoi pamjet e para të trupit të pontifit në arkivolin e drunjtë, i cili pas qëndrimit një natë në rezidencën “Santa Marta”, do të transferohet të mërkurën në Bazilikën e Shën Pjetrit për t’u ekspozuar për besimtarët.
Ashtu siç është paralajmëruar, pas ceremonisë në Shën Pjetër të shtunën trupi i Papa Françeskut do të dërgohet Bazilikën e Santa Maria Maggiore për t’u varrosur aty, amanet të cilin vetë Ati i Shenjtë e kishte lënë.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe zonja e parë Melanie, konfirmuan ndër të parët liderë botërorë praninë e tyre në homazhet e së shtunës, kur priten që në Vatikan të zbarkojnë drejtues të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe kreu i Elizee Emanuel Macron apo presidenti ukrainas Volodimir Zelensky. Rusia ka konfirmuar se Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë.
Qeveria italiane ka urdhëruar marrjen e të gjitha masave për mbarëvatjen e këtyre ditëve deri në ceremoninë zyrtare, ndërsa ka vendosur edhe 5 ditë zie kombëtare.
Mesazhet e ngushëllimit vijnë nga anekënd globit. Edhe Kina, përmes ministrit të Jashtëm shprehu dhimbjen për humbjen e Papës. Ky ishte reagimi i parë zyrtar i Pekinit 24 orë nga njoftimi i Vatikanit për shuarjen e Papës. Nuk është ende e qartë nëse Kina do të dërgojë një përfaqësues apo një delegacion në funeralin e Papa Françeskut.
Në Shtetet e Bashkuara ish-presidenti Bill Clinton dhe gruaja e tij, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, në një mesazh ngushëllimi e quajtën jetën dhe trashëgiminë e Papa Françeskut të jashtëzakonshme.
E shtuna e varrimit do të shënjojë edhe nisjen e asaj që quhet ‘novediali’, 9 ditët e zisë që do të pasojnë. Vetëm pas këtyre 9 ditëve do të mund të caktohet një datë për mbledhjen e konklavës së re, e cila do të zgjedhë kreun e ri të Kishës Katolike.
Papa Françesku ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare të hënën e 21 prillit 2025. Vatikani tha se Papa vdiq pasi pësoi një goditje në tru dhe arrest kardiak, duke i dhënë fund një sundimi shpesh të turbullt, në të cilin ai vazhdimisht u përplas me tradicionalistët dhe mbrojti të varfërit dhe të margjinalizuarit. Papa kaloi pesë javë në spital në fillim të këtij viti duke vuajtur nga pneumonia e dyfishtë.
Foto: Giorgia Meloni dhe Papa Françesku
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka ndarë një kujtim nga takimi i saj i fundit me Papa Françeskun.
"Takimi i fundit ishte të hënën e kaluar. E pashë shumë të lodhur, prandaj nuk qëndrova gjatë me të. Pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore ai nuk e kishte humbur sensin e tij të zakonshëm të humorit. "Si je?", e pyeta duke u përpjekur të fsheh shqetësimin tim. Dhe ai u përgjigj menjëherë: "Epo, unë jam akoma gjallë", qeshi , dhe pastaj më tha të qeshja me të. Një gjë të cilën ai u përpoq t'ua transmetonte të gjithëve rreth tij, kujtdo që pati fatin ta takonte”, tha Meloni në një intervistë për 'Il Messaggerò.
Foto: Volodymyr Zelensky dhe Papa Françesku
Presidenti amerikan Donald Trump, ai francez Emmanuel Macron dhe homologu i tyre ukrainas, Volodymyr Zelensky kanë njoftuar se do të marrin pjesë në varrimin e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë një ditë më parë.
"Melania dhe unë do të shkojmë në funeralin e Papa Françeskut në Romë", shkroi në ‘Truth’ presidenti amerikan.
Ndërkohë Macron tha për mediat lokale: Ne do të jemi të pranishëm në funeralin e Papës, siç është e drejtë”.
"Presidenca është në pritje të datës së funeralit të Papës dhe po përgatitet për vizitën e presidentit ukrainas në Romë për t'i dhënë lamtumirën Papës," tha një burim në kushte anonimiteti.
Foto: Trupi Papa Françeskut në arkivol
Vatikani ka publikuar fotot e Papa Françeskut në arkivolin e tij.
Ndërkohë kardinalët janë mbledhur në Vatikan këtë mëngjes për të filluar planifikimin e funeralit të Atit të Shenjët dhe ritualeve që do të mbahen – të cilat shënojnë fundin e një papati dhe fillimin e tjetrit.
Dalja e fundit e tij ishte pikërisht në festën e Pashkëve, ku uroi dhe bekoi njerëzit.
Komente

