KUKES- Niveli i liqeneve dhe prurjet në kaskaden e lumit Drin vazhdojnë të pësojnë rënie, për shkak të mungesës së gjatë të reshjeve, por edhe nivelit të larta të prodhimit. Ndërsa vetëm para 3 ditësh rënia e nivelit të ujit ka nxjerrë edhe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukesit,duke treguar edhe nivelin minimal të rezervës së ujit në kaskadën e hidrocentralit më të madh në vend.

Dalja në sipërfaqe e rrënojave të qytetit përveç se shenjës negative për burimin e energjisë ka ngjallur edhe nostalgji dhe kujtime për banorët e vjetër të Kukësit, pasi një pjesë e jetës së tyre është varrosur së bashku me historine e mbulimit me ujë në vitin 1978 të Kuksit si dhe 24 fshatrave të tij.

Nga të dhënat e Koorporatës Elektroenergjetike shqiptare rezulton se Fierza ka zbritur poshtë kuotës së 257 metrave, ndërkohë që prurjet vlerësohen tepër të ulëta.

Në tre muajt e fundit, niveli i Fierzës ka rënë me afro 30 metra. Burime zyrtare në KESH shpjegojnë se kjo rënie ka ardhur si pasojë e mosrealizimit të importit nga ana e kompanise, CEZ shpërndarje, e cila ka detyrim ligjor të mbulojë me import humbjet që ka në rrjet. Aktualisht, për të plotësuar kërkesat e vendit për energji, korporata prodhon rreth 16 milionë kilovat orë në ditë, ndërkohë që konsumi vlerësohet rreth 20 milionë kilovat ore në ditë.
(sg/shqiptarja.com)