TIRANË- Në një kohë kur pritej njoftimi se do të shkrihej, Bordi i Transparencës është mbledhur sërish këtë të martë dhe ka vendosur të rrisë çmimin e naftës dhe benzinës. Duke nisur nga sot ora 18:00 nafta do të kushtojë 9 lekë më shumë, pra nga 199 lekë që ishte do të shitet me 208 lekë për litër. Rritje ka pësuar edhe çmimi i benzinës. Nga 178 lekë që ishte do të shitet me 189 lekë për litër, e ndërsa gazi mbetet i pandryshuar 71 lekë/litri me pakicë.

"Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 16.1.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 842, +116 nga data 19.12.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 937, +82 nga data 19.12.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 107. 99 (-0.27 nga data 19.12.2022).

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 196 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 114 lekë/litër. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 17 Janar, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes", thuhet në vendim. 

Në 10 janar të këtij viti, u bë me dije se për shkak të normalizimit të çmimeve të karburanteve në tregun global, pritet që në mbledhjen e rradhës të Bordit të Transparencës të firmoset shkrirja dhe fundi i aktivitetit të tij, mirëpo një vendim i tillë ende nuk është marrë.  Opozita dhe Kofindustria thotë se Bordi nuk mbron interesat e qytetarëve, mirëpo në njoftimin e tyre, thuhet se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës

“Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës", thuhet në njoftim. 

Vetë ministrja e financave, Delina Ibrahimaj tha se së shpejti, Bordi i Transparencës do të shfuqizohet, por ende nuk ka një datë.