Tirane, 3 Dhjetor /ATSH/- Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese zhvilloi të mërkuren nje seancë dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, për prezantimin e ecurisë së procesit për përcaktimin e zonave me përparësi turizmin.
I pranishëm ishte zv.Ministri, Alfred Dalipi dhe përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
Z. Dalipi tha se dokumenti që do të prezantohej në komision bazohet në ligjin e ri të planifikimit të territorit dhe është një detyrim ligjor.
"Nuk është një qasje e re, por është një dokument i ri i pa hartuar ndonjëherë më parë. Përcaktimi i zonave me përparësi të zhvillimit të turizmit ka qenë një projekt i lançuar në vitin 1993 dhe mbeti gjithmonë një projekt dhe asnjëherë nuk mori formën e një akti ligjor. Jemi shumë afër një akti nënligjor që do të jetë rrjedhojë e ligjit për planifikimin e territorit dhe gjithçka është ende në statusin e mendimmarrjes", tha ai .
Përcaktimi i zonave më përparësi zhvillimi turizmi është një akt nënligjor i cili do të interferojë në dy ligje: ligjin e planifikimit dhe ligjin e turizmit", deklaroi zv.Ministri i Zhvillimit Urban dhe Turizmit, teksa përfaqësuesit e ministrisë prezantuan ecurinë e procesit për përcaktimin e zonave me përparësi turizmin.
Pas prezantimit mbledhja vijoi me pyetjet e anëtarëve të komisionit për të ftuarit, të cilët iu përgjigjën interesit të deputetëve për çështje të caktuara të draftit. e.xh/f.n/











