Dalja e Serbisë në bregdetin malazez

Dalja e Serbisë në bregdetin malazez

Milo Gjykanoviç

Ndonëse nuk ka arritur t’i fitojë luftërat kundër 4 popujve të ish-Jugosllavisë (sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës), Serbia, megjithatë, vazhdon t’i destabilizojë përmes popullatës serbe dy vende që ka tentuar t’i zhbëjë (Bosnjën dhe Kosovën). Në Bosnjë përmes entitetit serb, në Kosovë përmes “partisë” Lista Serbe.

Shteti i tretë që pandërprerë gjendet nën presionin serb është Mali i Zi. Fushata permanente antimalazeze, e orkestruar nga Beogradi zyrtar, nga kisha ortodokse serbe dhe nga shërbimet sekrete ruse sot, me sa duket, arriti një fitore në etapën për zhbërjen e shtetësisë së Malit të Zi: humbja e Millo Gjukanoviçit është fitore e “botës serbe” në Ballkan. (Për këtë humbje të pritshme gjithsesi bart përgjegjësi edhe Gjukanoviçi, i cili si shumë udhëheqës historikë nuk arriti të përgatis një pasardhës të denjë dhe krejt pushtetin u përpoq ta mbajë në duart e tij. Kush e mban krejt pushtetin në duart e veta, në fund bëhet përgjegjës për të gjitha gabimet).

Gjithsesi, është ironi e historisë që në rrëzimin e Gjukanoviqit mori pjesë nga një pozitë e rëndësishme politike edhe një shqiptar i Malit të Zi (me përkrahjen e rrjeteve parapolitike shqiptare jashtë Malit të Zi). Mbetet për t’u parë nëse Mali i Zi do të degradohet edhe më tutje në rrugën e të qenmit vasal i Serbisë. Ky rrezik ekziston.

Fitorja e ultranacionalistëve serbë në Mal të Zi do t’i japë krahë regjimit të tanishëm në Beograd për të vazhduar politikat e sabotimit të Kosovës përmes “Listës serbe” dhe grupeve kriminale të lidhura me të. Djegia e shtuar e veturave në veri të Kosovës vetëm për shkak të targave të Kosovës është sinjal i qartë se Serbia nuk ka bërë asnjë kthesë në Ohër para disa ditësh.

Për partitë politike shqiptare në Kosovë hovi i ri i shovinizmit serb në Ballkan është një rast i ri për të kuptuar se asnjë qeveri e Kosovës nuk duhet të jetë e varur nga votat e një partie që dirigjohet direkt nga Beogradi. Çfarë ka ndodhur në të kaluarën, le të mbesë në të kaluarën.

Fitorja e opsionit proserb dhe proputinist e kthen Serbinë sërish në brigjet e Adriatikut malazez, jo vetëm në mënyrë simbolike. Përmes nismës “Ballkani i hapur” Serbia ka hapur rrugën për qasje të papenguar edhe ndaj porteve të Shqipërisë. Në të vërtetë këtë rrugë shqiptarët qeverisës të Tiranës ia hapën vetë përmes shkurtpamësisë strategjike dhe aleancave politike që marrin parasysh vetëm interesat mendjengushta dhe afatshkurtra për të mbajtur pushtetin.

Millo Gjukanoviq qëndroi në pushtet mbi 30 vjet. Në fillim të karrierës ka qenë gabimisht i orientuar, por pastaj: ka kundërshtuar Millosheviqin, Koshtunicën, Tadiqin, Daçiqin, Nikoliqin, Sheshelin dhe së fundi Vuçiqin. Gjukanoviq e ka bërë Malin e Zi të pavarur, duke e anëtarësuar në NATO. Ai e ka pranuar pavarësinë e Kosovës më 2008, më 1999 ka strehuar refugjatë nga Kosova dhe vazhdimisht ka atakuar politikat e Beogradit kundër Kosovës.

Nga gjenerata e tij Millo Gjukanvoviq mbetet politikani që ka bërë kthesën më spektakulare pozitive në karrierën e tij (duke u bërë kundërshtar i nacionalizimit serbomadh) dhe gjithsesi edhe politikani më i artikuluar politikisht në dekadat e fundit në Ballkan. Si shembull po japim këtu një citat nga një intervistë e tij dhënë një televizioni të Sarajevës në janar 2021: “Ka disa familje burimore malazeze në Beograd që shtyhen me bajrak për idetë serbomëdha. Ja, për shembull, ai Beçkoviqi (Matija Beçkoviqi, poet serbomadh dhe ideolog antimalazez, v.j.), e ka thënë një ‘mendim të madh politik: Kosova është fjala më e shtrenjtë serbe’. Në vend se populli të tallet me këtë thënie, sepse, fatkeqësisht, Kosova e ka përjetuar fatkeqësinë që e përjetoi, nën një: falë politikës së gabuar disadekadëshe të Beogradit ndaj Kosovës, pastaj, nën dy: falë përpjekjes për spastrim etnik në Kosovë më 1999.

Është e nevojshme që pak të hallakatin arkivat e shërbimeve të tyre sekrete, nëse nuk i kanë shkatërruar, dhe të shohin se ka ekzistuar plani i përgatitur për një inxhiniering të ri etnik, me ç’rast shqiptarët do të dëboheshin dhe do të zhdukeshin gjurmët e jetës së tyre në Kosovë, përmes asgjësimit të të gjitha evidencave, përfshirë edhe librezat shëndetësore. Por kur për këtë plan kuptoi bashkësia e gjerë ndërkombëtare, NATO e pa të nevojshme të reagojë në atë mënyrë siç reagoi. E tani na shfaqet mendimtari i madh politik (Matija Beçkoviqi), i cili thotë: ‘Kosova është fjala më e shtrenjtë serbe’. Dhe kjo bëhet ide prijëse e politikës shtetërore (serbe). Kjo është tragjedi. Tragjedi. Sepse ky poet edhe më tutje do të vazhdojë të kalojë kohën nëpër kafehanet e Beogradit, por populli që ka rënë viktimë e këtyre budallallëqeve edhe më tutje do të rrëshqasë nga disfata në disfatë, edhe më tutje do të vuajë, por, natyrisht, do t’i shkaktojë vuajtje edhe të tjerëve”.

Me presidentin e ri proserb në Podgoricë raportet me Kosovën nuk do të jenë të mira siç ishin nën udhëheqjen e Millo Gjukanoviqit. Por ky është problem në radhë të parë i Malit të Zi. Kryetari i ri ka premtuar se do të mbajë kursin proeuropian. Frika se Mali i Zi mund të çnjoh Kosovën duket e pabazë tani për tani, sepse do të ishte në kundërshtim të plotë me interesat e një shteti anëtar të NATO-s që aspiron të hyjë në BE.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë