TIRANË- Për më shumë se 60 minuta, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, ka dhënë një dëshmi në SPAK, në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.

Në një prononcim për mediat, Gjiknuri deklaroi se është paraqitur në SPAK për të dëshmuar për një nga abuzimet më të mëdha në rrugën Tiranë-Elbasan, që ishte kontraktuar për t’u ndërtuar me një vlerë që nisi me 240 milionë euro dhe përfundoi me 400 milionë euro. Ai dha shpjegime për këtë çështje pas pafajësisë që morën ish-zyrtarët e kallëzuar.

‘Isha për të dëshmuar në lidhje me rolin tim si Ministër në konstatimin e një nga abuzimeve më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri! Rruga Tiranë - Elbasan e cila ishte kontraktuar me 250 milion euro dhe përfundoi me një kosto 400 milion euro. Shpjegimet e mia i dhashë në Prokurori, kështu që skam ndonjë gjë për të shtuar’, deklaroi ai

Gjiknuri, në kohën kur ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë kallëzoi në prokurori abuzimet e konstatuara nga raporti i auditit të kryer për zbatimin e këtij projekti dhe përgjegjësitë e ish-drejtuesve të ARRSH. Gjiknuri urdhëroi auditin dhe dorëzoi kallëzimin në Dhjetor të vitit 2017.

Kujtojmë se Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Transporteve, kallëzoi në prokurori, abuzimet financiare që ishin bërë nga ish-drejtuesit e ARRSH në rrugën Tiranë-Elbasan.

Gjiknuri ju drejtua me një kallëzim kryeprokurores së përkohshme Arta Marku. Pas një muaj nga ky kallëzim, prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj urdhëroi arrestimin e tre ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ish-drejtori Dashamir Xhika dhe dy ish-drejtorët e menaxhimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Albens Alite dhe Aksel Qurduka. 

Ish-drejtori i ARRSH-së Dashamir Xhika dhe ish-zyrtarët e tjerë morën pafajësi në gjykatën Penale, por në vendim thuhej se ishte kryer abuzim dhe duhet të hetohej për të gjetur përgjegjësit.