TIRANE - Blerja e veprave për bamirësi në ankand është kthyer në një shfaqje ekstravagante të VIP-ave dje në mjediset e Hotel Sheraton në Tiranë. Vlerat e veprave të artit është rritur herë pas here. Shitja e tyre ka nisur me shifrën 7 mijë euro dhe ka përfunduar me 100 mijë euro. Nuk kanë munguar as mëritë dhe grindjet mes vipave në këtë rast. Ankandi ka nisur në orën 22.30 dhe pas disa minutash ka shënuar veprën e parë të shitur: Vepra e Shkëlqim Kokonozit “Peizazh” 2011, 80x65 cm, vaj mbi kanavacë u shit e para, duke nisur nga 7 mijë euro dhe u shit 30 mijë euro.

Vepra “Origjina e së majtës dhe e së djathtës” 2007, 40x33 cm, pastel mbi karton e Alban Hajdinajt që nisi me 900 euro është blerë me 1500 euro nga Shkëlqim Beshiri. Veprën e Milto Jorgjit, kompozim” 1974, 58x48 cm, vizatim mbi letër me laps e bleu Artan Santo me 50 mijë euro. Veprën e Parid Teferiçit “Interier” 2012, 40x100cm, vaj mbi kanavacë e blenë 17 mijë euro. Veprën e Alush Shimës “Natyrë e qetë” 2006, 70x80 cm, vaj mbi kanavacë (vazo me lule) e bleu 100 mijë euro biznesmeni Rezart Taçi. Veprën e Sali Shijakut “Legjenda” 2012, 50x60 cm, vaj mbi kanavacë e bleu 70 mijë euro një biznemen i miellit. Veprën e Arben Golemit “Godina të vjetra në Nju Jork”, 2006, 68x48 cm, flamaster mbi letër e bleu 15 mijë euro biznesmen veshjesh. Veprën e Orion Shimës, “Pema e jetës” 2012, 80x70 cm, akrilik mbi kanavacë e bleu 53 mijë euro Francesko Beketi. Vepra e Ali Osekut “Peisazh” 2012, 80x70 cm, vaj mbi kanavacë u ble 10 mijë euro. Vepra e Alush Shimës “Peisazh”, 100x80 cm, vaj mbi kanavacë u shit 100 mijë euro nga Beketi. Vepra e Ibrahim Kodrës “Peshkatarja” 1975, 46x55 cm, vaj mbi kanavacë u shit 55 mije euro. E bleu Astrit Veliaj.

ankandi berisha skema

PIKTURAT

Vepra “Peshkatarja” e Ibrahim Kodrës e vitit 1975, një vepër e rrallë, ishte një nga pikturat më të veçanta në ankandin me dyer të mbyllura nga të gjitha burimet mediatike, që u organizua dje në praninë e Kryeministrit Sali Berisha dhe zonjës Liri Berisha në Hotel Sheraton Tiranë. Mes 15 veprave të artit të 13 autorëve pjesëmarrës në këtë ankand, vepra e Ibrahim Kodrës ishte një zbulim më vete. Kjo vepër nuk ishte bërë publike më parë dhe në albumin e këtij ankandi ishte regjistruar vetëm më emrin e autorit, ku shkruheshin dhe komentoheshin më poshhtë të dhënat: “Ibrahim Kodra “Peshkatarja”, 1975. Vepra e rrallë e Ibrahim Kodrës është me përmasat 46 me 55 në vaj mbi kanavacë dhe është prezantuar edhe në albumin e këtij ankandi si një nga veprat më të rëndësishme të këtij artisti. Në album shkruhej se kjo vepër “ka profilizuar më së miri stilin kubist të Ibrahim Kodrës. Më tej: “ka dritë dekorative dhe ngjyra të gjallëruara”.
Autorët pjesëmarrës sipas listës së këtij ankandi ishin Shkëlqim Kokonozi, Dennis Kapo, Milto Jorgji, Arben Golemi, Parid Teferiçi, Genti Korini si dhe piktori Sali Shijaku, i cili prezantohej me një vepër “Legjenda”, që i referohej temës së “Konstandinit dhe Doruntinës”, e cila është punuar nga autori në vitin 2002. Të tjerë emra në listën e ankandit ishin Eltjon Valle, Orion Shima, Albana Hajdinaj. Së fundi, nuk i mungoi këtij ankandi as piktori i njohur Alush Shima që prezantohej me veprën “Pesiazh” të përmasave 100 me 80 cm. Ky ishte një peizazh i rrallë i bërë ndonjëherë nga peneli i Alush Shimës me ngjyra purpuri, të gjelbra dhe toke.

Shkrimi u botua ne numrin e sotem te se perditshmes SHQIPTARJA.com