TIRANE - Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë festuar mbrëmjen e djeshme zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, Bujar Nishani. Rreth orës 20.30, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, kreu i LSI, Ilir Meta dhe 70 deputetë të PD janë mbledhur në lokalin luksoz “Sofra e Ariut” në darkën e shtruar nga kryeministri për Nishanin. Në tryezën e festës ka marrë pjesë edhe deputeti Kastriot Islami, i cili pak orë më parë ka bërë publik votën e tij pro emrit te Bujar Nishani gjatë votimit në Kuvend më 11 qershor.

Kryeministri Berisha ka mbajtur fjalën përshëndetëse, një ritual i njëjtë ky me atë të 5 vjetëvë më parë, kur President u zgjodh Bamir Topi. Mediat shkruajnë sot se kryeministri Berisha ka falenderuar në vecanti LSI për votat e dhëna për kandidatin demokrat.
Falenderimet për votën deputetëve i ka shprehur edhe Presidenti Bujar Nishanit.
Darkës nuk i është bashkuar deputeti demokrat, tashmë kryetar grupit nismëtar të FRD, Gazmend Oketa si edhe kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule.

Kreu i LSI, Ilir Meta është ulur në krah të kryeministrit Berisha dhe presidentit të votuar Nishani në tavolinën kryesore të fstës.
Pavarësisht se nuk ka qenë i pranishëm për arsye familjare, kryetari i PBDIU, Shpëtim Idrizi është kujdesur që në festën e demokratëve të ishte deputeti i kësaj partie, Dashamir Tahiri. Por, një tjetër aleat që i ka munguar festës ka qenë edhe republikani Fatmir Mediu, i cili konfirmohet se ndodhet jashtë vendit.

NISHANI PRESIDENT
Më 11 qershor, Bujar Nishani u votua me 73 vota në Kuvend (shumica absolute e mazhorancës) për të qenë Presidenti i ri i Shqipërisë. Opozita nuk mori pjesë në votim, ndërkohë që me këtë votim mazhoranca konfirmoi se nuk ka rrjedhje të votive, pavarësisht krisjes pas përplasjeve me presidentin ende në detyrë, Bamir Topi.
(aq/shqiptarja.com)