Shtetet e Bashkuara shpallën të premten si të padëshiruar tetë individë për organizimin dhe zbatimin e planit për kremtimin e Ditës së Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë , kremtimi i të cilës është shpallur jokushtetues nga institucionet e vendit dhe është dënuar nga shtetet perëndimore.
Departamenti amerikan i Shtetit iu referuar në njoftimin e saj kremtimit të kësaj dite në vitin 2024 dhe tha se personat e përfshirë në vendim “përkrahën agjendën secesioniste” të Presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Republika Serbe në Bosnjë kremtoi javën e kaluar të njëjtën ditë me një parakalim në qendër të Banjallukës, kryeqytetit të këtij entiteti, megjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kundër një kremtimi të tillë.
Sipas Departamentit të Shtetit, kremtimet e 9 janarit, që bëhen në shenjë kujtimi të kësaj dite në vitin 1992, kur serbët e Bosnjës shpallën krijimin e shtetit të tyre që shkaktoi luftën e përgjakshme katërvjeçare me mbi 100,000 viktima, “janë veprime emblematike të përpjekjeve të kahershme të Dodikut për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, shtyllë e paqes dhe sigurisë rajonale”.
“Veprimet e këtyre individëve kërcënojnë integritetin territorial, paqen dhe stabilitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës duke minuar kornizën e (Marrëveshjes së Paqes) së Dejonit dhe institucionet e saj, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Departamenti i Shtetit tha se shtatë nga të përcaktuarit e së premtes “ndihmuan në planifikimin dhe organizimin e kremtimin edhe në vitin 2025”.
Departamenti i Shtetit po ashtu njoftoi se ka përcaktuar edhe pesë persona të tjerë dhe një entitet si pjesë e rrjetit financiar të zotit Dodik dhe familjes së tij.
“Dodiku ka shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare për të krijuar pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me familjen e tij në dëm të banorëve të Bosnjës”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit. Sipas tij, Dodiku dhe familja e tij “mbështeten shpesh në një rrjet të bashkëpunëtorëve të besueshëm për të fshehur gjurmët e përfshirjes së tyre dhe për t’u shmangur sanksioneve amerikane”.
Lufta në Bosnjë mori fund në vjeshtën e vitit 1995 me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Marrëveshja e arritur në Dejton çoi në krijimin e entitetit serb dhe atij boshnjako-kroat në Bosnje, që mbahen të lidhura nga institucione të dobëta qendrore.
Serbët e Bosnjës, megjithatë, synojnë të fitojnë sa më shumë pavarësi të jetë e mundur. Udhëheqësi nacionalist pro-rus Milorad Dodik ka bërë thirrje hapur për shkëputje nga Bosnja, duke sfiduar sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë ndaj tij për shkak të qasjes politike.
Vendimi i së premtes vjen pak ditë pasi Presidenti amerikan Joe Biden zgjeroi urdhërin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor që parashikon sanksione për individët dhe entitetet që shkelin apo janë pjesëmarrës në minimin e marrëveshjet që u dhanë fund luftërave në rajon apo paraqesin kërcënime për sigurinë e tij./ VOA