Andrea Ndoj ka lënë grekët e Olympiacos dhe ka kaluar në huazim te Rio Ave në Portugali. Mbrojtësi 21-vjeçar nuk po kalon ditë të mira dhe këtë sezon në elitën e futbollit të Greqisë ka zhvilluar vetëm gjashtë takime.
Tanimë Ndoj do jetë pjesë e një lige të re ku do kërkojë më shumë minuta në pesë muajt që vijnë, për t'u rikthyer në Athinë me bindjen se do ketë më shumë hapësira.
I dalë nga moshat e Olympiacos, Ndoj ka kontratë deri në verën e 2028 me ekipin grek dhe disa muaj më parë cilësohej si një ndër talentet e mbrojtjes, madje në sezonin e kaluar mori minuta dhe një fanellë titullari.
Tanimë duket se gjërat kanë ndryshuar dhe Ndoj është pjesë e Rio Ave. Emri i tij u lakua shumë fillimvitin 2024, me mbrojtësin që ishte pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe refuzoi ekipin e parë kuqezi, pasi vendosi të përfaqësojë Greqinë. Me ekipin e parë të Greqisë ai ka luajtur dy takime.