Eshtë 20 vjetori i betimit para presidentit të të parës qeveri demokratike pas 45 viteve diktaturë, si e kujtoni?
Nuk e kisha kujtuar më parë këtë ditë, por mendoj se është një ndër ditët më të rëndësishme. Ajo për ne që ishim në qeverinë e asaj kohe, ka qënë një ditë normale, e madhe por për të gjithë shqiptarët ka qënë një ditë shumë e madhe, një ditë ndryshe. Pasi vinte qeveria e parë demokratike, me zgjedhje të lira pas 45 vitesh diktaturë të egër komuniste. Vinte një qeveri që kishte si synim hapjen dhe integrimin e vendit në Evropë, pikërisht një fjalë e padëgjuar kjo në 45 vite mbyllje, për shkak të diktaturës së egër.
Si punonin ministrat e asaj qeverie dhe si shihej ajo?
Mendoj se askush nga anëtarët e kabinetit qeveritar nuk ka qënë profesionist si shtetar, por ishim profesionistë në profilet tona dhe ishim të pajisur me idealin për të ndërtuar dhe integruar vendin. Kemi punuar me idealizëm.
Mendoj se qeveria e ardhur pas zgjedhjeve të 22 marsit të vitit 1992 kishte një vlerë shumë të madhe, pasi për herë të parë pas shumë vitesh, nën një regjim të egër diktatorial vinte një qeveri ndryshe. Shumë ndryshe nga ato që ishin mësuar të shohin për 45 vite me radhë nëpër tribunate kongreseve.
Janë kryer reforma të dhimbshme asokohe, sipas jush cilat kanë qënë më të vështirat dhe a ka pasur gabime...?
Në atë periudhë janë kryer reformat më të mëdha, pasi ishte një periudhë historike dhe kushdo që do të kishte qënë në atë kohë në këto pozicione kush më shumë dhe kush më pak atyo do ishin bërë. Na qëlloi fati ne që t'i realozonim. Në vitet 1992-1996 janë kryer aq shumë reforma në të gjitha fushat sa asnjë qeveri deri më sot nuk i afrohet qeverisë së parë jo komuniste që doli nga zgjedhjet e 22 marsit 1992. Pikërisht nga kjo qeveri janë kryer mbi 90 për qind të reformave në vend dhe vetëm 10 përqinbd të reformave kanë mbetur për të gjithë qeveritë pasardhëse deri më sot.
Po reformat e gabuara cilat mendoni se kanë qënë...?
Ne kemi gabuar për reformën në pronësi. Duhet të kishte përfunduar procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave dhe për mendimin tim duhej të ishte abroguar menjëherë ligji 7501 për tokën. Kam qënë gjithnjë kundër këtij ligji dhe jo vetëm unë, pasi ishte miratuar nga parlamenti i dominuar nga deputetët e PPSH të dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991. Një reformë tjetër e gabuar ishte dhe ajo për privatizimet, në të cilën ka gabime sa të duash. Pasi u bënë privatizime pa një ligj të përshtatur sipas standardeve, por gjithçka u bë pasi ishim qeverisje e re dhe ndoshta nuk i dinim mirë gjërat, megjithëse mund të them se kemi punuar vërtetë me idealizëm.
Po reforma në polici asokohe si ishte...?
Për mendimin tim ndryshimet drastike në polici në atë kohë kanë qënë një gabim shumë i rëndë. U hoqën profesionistët e policisë nga puna, duke i zëvendësuar me njerëz pa përvojë dhe mendoj që me këtë veprim dobësuam shumë moralin e policisë shqiptare dhe prekëm rëndë profesionalizmin e saj. Ata ishin profesionistë dhe nuk kishin lidhje me partitë apo me partinë, kishin bërë punën e tyre pjesa më e madhe.
Gjatë kësaj qeverisje janë shfaqur dhe firmat mashtruese piramidale, kush mendoni se është përgjegjës....?
Shfaqja e firmave humarrëse mashtruese piramidale ishte një ndër gabimet e mëdha të asaj kohë. Por nuk ishte një gabim vetëm i qeverisë shqiptare. Kishte gabime nga Banka e Shqipërisë, Parlamenti i asaj kohe e deri tek Presidenti i atëhershëm. Por historia ka treguar se kjo qeveri ka qënë qeveria më e suksesshme deri më tani.
Për piramidat kishte gabim dhe presidenti i atëhershëm Berisha...?
Pa diskutim që dhe presidenti ka pasur gabime për gjithçka ndodhi me paratë e shqiptarëve në atë kohë. Madje ai ka ndërruar tre kryeprokurorë dhe kryetarë gjykatash, vetëm e vetëm se kishte një problem, që kërkonte të fuste në dorë dhe të dominonte të gjitha institucionet e pavarura, për të futur në dorë drejtësinë. Unë i them gjërat hapur, i kam thënë gjithnjë hapur.
(jm/im/shqiptarja.com)