Opozita kërkon që të shkarkojë nga posti i kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshin, kërkesë kjo që bie në kundërshtim të plotë me mazhorancën. Për Report Tv në ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori, ishte i ftuar ish-deputeti demokrat Dashnor Sula, ku komentoi këtë çështje, por dhe zhvillime të tjera politike.

Sula tha se opozita nuk po tregon seriozitet me kërkesën për shkarkim nga detyra të Peleshit, të cilin e cilësoi si një person me integritet dhe një shembull për politikanët. Ish-demokrati tha se kjo kërkesë nga opozita, duhet të vijë në një kohë që ka fuqinë për të vendosur dhe jo sot që nuk plotëson as votat.

“Në thelb nuk bën sens se nuk ka mbushur dy muaj si kryetar Kuvendi dhe unë për sa kohë që jam në politikë por edhe gjatë periudhës që kam qenë aty, bëhet fjalë për një njeri serioz dhe të qetë, një njeri që është model për politikanët.

Mendoj se në gjithçka është njeri korrekt. Nuk besoj që ka indicie kryesore që do të duhej që të kishte nismë për shkarkimin e tij. Por eksitojnë manovrat politike mes mazhorancës dhe opozitës.

Duhen parë dhe procedurat sesi ka ndodhur problematika që opozita ngre me kaq forcë. Nuk mund të ndodhi se nuk mund të sillet opozita si mazhorancë. Opozita duhet të jetë serioze, këto i bën kur e di që ka numra, e di që e rrezikon postin e kryetarit të parlamentit”, tha Sula.

Ish-deputeti foli dhe për vendimin që pritet të japë Gjykata Kushtetuese lidhur me shkarkimin apo jo të Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, vendim ky që do të sjellë debat për secilën palë, tha Dashnor Sula.

"Unë po them sido që të ndodhi, ky do të jetë një vendim shumë i diskutueshëm për të dy krahët. Në rastin që pranohet kërkesa e Veliajt, por është në dëm të interesit publik. Dhe po të shkarkohet do të kemi përsëri interpretim nga një pjesë se është dikush që është zgjedhur nga qytetarët.

Është problem i madh dhe për shkak të politikës. Po shkak të ngarkesës politike që ka pasur Veliaj, nuk është diçka që do të kalojë lehtë. Veliajt për mendimin tim duhet të shohë problemin e fajësisë dhe të pafajësisë së tij, kjo është thelbi.

Edhe po ta fitojë betejën e tij me Gjykatën Kushtetuese, ai përsëri nuk përmbush detyrën. Do të jetë një kryetar bashkie i arrestuar. Por do i bëhet një dëm i madh interesit të qytetarëve që u duhet një kryetar bashkie që duhet ë përmbushi të gjitha funksionet”.

Sula komentoi gjithashtu dhe kandidatët në garë për bashkinë e Tiranës, duke thënë se për kryeqytetin e mira do të ishte një garë e përbërë nga kandidatë me backgroud politik.

“Ajo bukë që na serviret tani, nuk është më e mirë e mundshme. Por as më e keqja. E shikoj midis një normaliteti sesa një të mirë të madhe, për të gjithë kandidatët. Secili kandidat ka anën e tij pozitive dhe problematike që i shoqëron. Do doja të kishim një garë më politike. Mospasja e një petku të fortë politik, e dëmton. Manastirliu ka anën politike të fortë. Nëse do të kemi zgjedhje, kuptohet që do të jetë më e qartë, dhe nga platforma, se deri tani me frena dore po ecin. Duhet transparencë 100%”.

Dashnor Sula e mbyll fjalën e tij duke thënë se Partia Socialiste është një makineri elektorale, duke lënë të nënkuptohet se zgjedhjet e pjesshme i takojnë të majtës, ndërsa sot opozita për Sulën, është një pilot pa makinë.