Dashuria e çmendur e vajzës së
gjeneralit rus për M. Xhemalin

Dashuria e çmendur e vajzës së<br />gjeneralit rus për M. Xhemalin
E kanë cilësuar ndër vitet që jetoi e këndoi edhe “mbreti i këngës”, por mbreti i këngës është harruar. Më 12 maj Mentor Xhemali kishte 90-vjetorin e lindjes, por s’pati asnjë kujtesë për të në institucionet e kulturës. Mentor Gega Xhemali lindi më 12 Maj të vitit 1924 dhe vdiq më 9 prill të vitit 1992. Ishte një personalitet i shquar, jo vetëm i muzikës klasike, por edhe i këngës popullore.

Veprimtaria koncertore artistike e Mentor Xhemalit shtrihet nga Shqipëria në skenat ndërkombëtare, që nga ish-Bashkimi Sovjetik, Hungaria, Polonia, Bullgaria, Turqia, Gjermania, Franca, Kuba, Kina, Austria, Finlanda 1963, Kina, etj, Në Austri, Finlandë dhe Poloni ka nderuar vendin me çmime dinjitoze. Në Festivalin e Rinisë në Vjenë ai sjell në atdhe Medaljen e Artë. Madje, atje i bënë ofertë të qëndronte e Mentori nuk u tundua nga ofertat e bëra nga teatrot më në zë të Vjenës. Medaljet e Mentor Xhemalit po i jepnin famë Shqipërisë dhe për këtë ai pati një vizitë në shtëpi nga diktatori Enver Hoxha dhe bashkëshortja në vitin 1969. Kjo shkaktoi habi se nuk kishte ndodhur një vizitë e tillë në familjen e asnjë artisti të shquar të kohës.

“Por Mentori nuk e shfrytëzoi kurrë këtë rast. Ishte njeri i thjeshtë dhe pa pretendime”, rrëfen i biri Maskimi. 
Mentori, djali i Xhemalit, të cilit emri i të atit i mbeti si mbiemër në popull, në pasaportë njihet me emrin Mentor Gega. Mentor Xhemali ka lënë gjurmë të pashlyeshme, jo vetëm në skenat e vendit ku lindi, por edhe në skenat botërore. I biri Maksim Gega Xhemali sjell për “Shqiptarja.com” disa nga kujtimet e shumta që ka për të atin, me të cilin e lidh jo vetëm ndjenja si prind, por edhe adhurimi si artist. Maksim Gega ka kënduar në korin e operës që nga viti 1970 dhe ndonëse ka dalë në pension ai vazhdon të këndojë në opera me kontratë. Ka zë të mirë, është dinjitoz dhe pasionant, por Mentorin si artist e konsideron të paarritshëm. Modeli i babait e ka bërë Maksimin më të pasionuar, më studios në punën e tij, ndaj TKOB ka ende nevojë për të...  

Të kthehemi tek kujtimet që Maksimi ruan për të atin. Janë shumë e nuk rreshtin, përderisa nuk rreshtin edhe çmimet, Medaljet e Arta dhe të Argjendta të marra në skenat e teatrove të mëdha të botës. Por, Maksimi, djali i madh i Mentorit është ndjerë keq nga harresa që i është bërë figurës së artistit të madh dhe e sheh të udhës që t’i hedh kujtimet në letër. Bisedojmë me të. I shohim së bashku. Njihemi me brenga, dhimbje dhe sfidat e artistit. Jeta ende e panjohur e tij pret ndoshta biografin e duhur për të dalë në dritë...
 
 
Zoti Maksim, babai juaj ka studiuar në Moskë. Çfarë të ka treguar nga ajo periudhë?
-Edhe babai më ka treguar, por edhe shokët e tij, se pedagogu i kantos në Moskë një emër i madh e mori për të bërë vokalica e kur e dëgjoi i tha: “Ku ke studiuar ti djalë?”. Mentori iu përgjigj se “unë kam qenë në mal partizan dhe kam kënduar ca kohë në ansamblin e ushtrisë. Ai e ndërpreu mësimin dhe i tha: “Unë ty s’kam ç’të bëj, se të prish. Ty zoti të ka bekuar e të ka dhënë këtë zë të madhërishëm”. I thirri gjithë pedagogët e tjerë dhe u tha: “Hajde dëgjoni një ekzemplar shqiptar”.

Në një kurs me Mentorin studionte edhe basi i madh bullgar, Nikola Georov. Ai kur dëgjonte zërin e Mentorit, i afrohej afër, e përkëdhelte te gusha dhe i thoshte: “Më jep një çikë nga ky zëri yt që të dërrmoj botën”. Zakonisht kur bënin studentët saxhion, Nikola nuk dilte kurrë mbas Mentorit, “sepse nuk kam vlera mbas Mentorit”, thoshte. Nikola Georovi shkoi në Itali dhe u bë një nga basët më të mëdhenj të botës. Do të ndalem përsëri këtu. Në vitin 1976 në një pasdite, kur ishim duke parë RAI Uno bashkë me Mentorin dhe po jepte operën “Rigoleto” të Xhuzepe Verdit. Ky ishte rol të cilin e luante edhe Nikola në atë kohë. Nikola ishte bas më famë botërore. Babai e dëgjoi dhe u shtang. “Po ky është Kola. Po po, Kola” tha Mentori dhe filluan t’i mbusheshin sytë me lot. Doli nga dhoma, ndezi një cigare dhe doli në ballkon. Unë e ndoqa pas dhe i thashë: “Çfarë ke e o babi, pse u preke kështu”. Ai më vështroi i trishtuar dhe më tha: “Atje do të isha unë tani, dhe ju nuk do të ishit këtu”.

Mentori me vështirësi dhe me mund filloi të shkruante dhe të lexonte gjuhën ruse. Filloi lëndët e tjera si solfexhin, histori muzike, etj që bëheshin në konservatorin “Çajkovski”. Në Moskë ai filloi të njihej edhe në publik, sepse ata shkonin dhe jepnin koncerte nëpër teatro të ndryshme.
 
Pra u bë i njohur atje?
-Po. Madje në Moskë ai u njoh edhe me një adhuruese të tij, një vajzë ruse, e cila e ndiqte Mentorin në çdo koncert. Atë e magjepste zëri i bukur i Mentorit. Me kalimin e kohës ajo ra në dashuri me të dhe i thoshte që “Unë o të marr, o do vdes.” Mentori i thoshte që “Unë jam i martuar dhe kam dy fëmijë në Tiranë”. E kishte emrin Ana dhe ishte vajza e një gjenerali madhor në Bashkimin Sovjetik. Këtë e mori vesh edhe i ati i saj dhe u bë një problem i madh. Lajmi për dashurinë e saj erdhi deri në Tiranë dhe qeveritarët e asaj kohe e kthyen Mentorin ende pa mbaruar studimet. Gjithmonë Mentori thoshte: “Jam kthyer me firmën e Liri Belishovës”.
 
Si shkoi jeta e tij artistike pas këtij incidenti ku duket se Mentori nuk ka ndonjë faj?
-Me ardhjen në Tiranë ai caktohet në korin e filarmonisë së korit. Ky ishte dënimi që iu dha. Ai u mërzit shumë nga ky vendim, por ishte i detyruar të shkonte. Ka qenë viti 1994 kur në Tiranë erdhi një nga pedagoget ruse. Ajo sapo hyri në sallën e Teatrit të Operës iu drejtua kuadrove: “Ku e keni atë basin e madh”. “Kë,- i thanë ata, -ai bruni që quhet Mentor Xhemali. -E kemi çuar në kor”. Ajo u indinjua, vuri duart në kokë dhe u tha me zë të lartë: “Ma sillni shpejt ta takoj”.

Me ndërhyrjen e saj dhe të dirigjentit Mustafa Krantja u bë e mundur që të jepej një koncert i madh recital i Mentor Xhemalit. Suksesi qe i jashtëzakonshëm dhe Mentori emërohet solist në Teatrin e Operës. Ai fillon të këndojë te operat “Nusja e shitur”, “Jolanda”, “Traviata”. Në vitin 1955 zhvillohet festivali botëror i rinisë në Varshavë. Atje për herë të parë merr pjesë edhe kori i Operës, i drejtuar nga dirigjenti i talentuar Konstadin Trako. Ishte edhe basi i shquar Luk Kaçaj. Të dy ishin shokë, kolegë por edhe konkurrent me njëri-tjetrin. Luka atje e sëmurë dhe nuk mundi të konkurrojë. Një korist i teatrit të operës i quajtur Shaban Kapllani, një aktor i talentuar më ka treguar; “sa filloj të këndoj Mentori, salla heshti e të gjithë ngrinë, pastaj filluan duartrokitjet dhe ovacione pa ndërprerje”.

Një sukses i jashtëzakonshëm i këtij djaloshi shqiptar. Megjithatë ai u laurua me çmimin e tretë në rang botëror. Në takimin e dytë në vitin 1957 në Moskë, ai laurohet me Medaljen e Argjendtë dhe në festivalin e Vjenës 1959, Mentori shpallet fitues i Medaljes së Artë të festivalit. Te diploma e saj, është firma e tenorit të madh italian, Tito Skipa, i cili më vonë kur erdhi në Shqipëri kërkoi të bënte një vizitë në shtëpinë e Mentorit. Kjo gjë i alarmoi organet drejtuese të cilët nxituan dhe i dhanë Mentorit falas një dhomë gjumi dhe një piano të cilën e kam edhe sot e kësaj dite. Megjithatë Tito Skipa nuk erdhi në shtëpi, por e takoj Mentorin në “Hotel Dajti”, pas mbarimit të festivalit Mentorit i bëhet një ofertë nga Opera e Vjenës të qëndronte atje. Këtë gjë ma ka treguar Mentori me gojën e  tij. Deshën ta blenin, duke i dhënë një vilë e para, por ai u tha se “Të gjitha i kam në Shqipëri”.
 
Ju keni në arkivin tuaj edhe një foto me Vaçe Zelën, cilat kanë qenë marrëdhëniet mes dy këngëtarëve të mëdhenj?
-Dua të them se Mentor Xhemali ishte i vetmi këngëtar që i këndonte të gjitha gjinitë e muzikës. Këngën “Për ty atdhe”, e këndonin të dy. Vaçja e këndonte shumë bukur. Të dy e këndonin shumë bukur sipas mënyrës së tyre, por megjithatë Vaçja e pëlqente interpretimin e Mentorit dhe i tha: “Mentor kjo këngë është bërë për zërin tënd”.

Vaçja si artiste e madhe, e kuptoi që kjo këngë ishte shkruar enkas për vokalin e Mentorit. Por në fakt Mentorin artistë si Vaçe Zela, Gaqo Çako, Anvi Mula, Krantja, etj  e donin se ai i jepte shpirt çdo kënge. Ai iu dha shpirt edhe këngëve popullore “Mora rrugën për Janinë”, “E mi preve balluket”, “Bilbili me vesë” e të tjerave që i ka kënduar me orkestrën e artistit të Popullit Laver Bariu.  

Shkrimi u përditësua në 25 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike