Psikologia Jeta Toçila Dedja, ka folur për herë të parë për jetën e saj në Kanada, martesën me ish-deputetin Taulant Dedja si dhe aktivitetin e saj, angazhimin në fushën e psikologjisë në Montreal. E ftuar në “Rreze Dielli” në Report TV, Toçila tha se rikthehet në Tiranë me mall dhe dashuri.

“Atdheu të tërheq, malli, dashuria, familja edhe pse emigrimi mbi 40 vjeç nuk ishte i lehtë. Më merr malli për ngrohtësinë që kanë shqiptarët, edhe pse jemi pak të pa takt, pasi pyesim shumë, por kjo nuk ndodh në Kanada, atje janë të kufizuar”, tregoi ajo duke vijuar, se ajo që nuk i pëlqen kur vjen këtu është se ka shumë kaos, ka agresivitet e të shohin sikur po ju merr pjesën. “Ndoshta kjo vjen nga padrejtësia ose mungesa e oportuniteteve, duket sikur njerëzit janë në garë jo të mirë”, u shpreh ajo.

Toçila foli për jetën në Kanada, martesën e saj me ish-deputetin Taulant Dedja, duke e cilësuar si njeriun që e ka bërë të lumtur.

“Taulanti është një bashkëshort që më ka shtyrë të realizoj potencialin tim, jam vetëvetja me të, ndihem shumë mirë, ka bërë gjithçka që unë të jem e lumtur.  Portali që ai ngriti “Fol Shqip” ishte një pikënisje për të më dhënë mua mundësi të publikoja aty shkrimet e mia”, u shpreh ajo.

Toçila tashmë, prej disa vitesh pasi përfundoi Universitetin në Montreal, është aktivizuar në fushën e saj si psikologe. Por gjithmonë i mban lidhjet me Shqipërinë, ajo që e solli në Tiranë në këtë kohë është festa e librit, Panairi i Librit. Toçila vjen tek publiku me botimin për fëmijë “Kush s’ka putra, ka pupla” i cili sjell një përmbledhje me përralla.

“Dashuria për përrallat lindi tek unë pasi u bëra nënë, fëmijët e mi kënaqeshin kur ja u lexoja, madje kur jetoja në Tiranë jam bërë pjesë e një sërë projektesh ku jam angazhuar për të dubluar përralla. Përrallat i kam përdorur edhe në terapitë që zhvilloj me fëmijët. Ishte familja që më shtyu t’i botoja në një libër”, u shpreh ajo. 

Një mesazh të fortë psikologia Toçila dha dhe për prindërit, pasi sipas saj fëmijët më shumë po i rrit teknologjia sesa prindërit vetë, ndaj apeli është që çdo prind duhet të paktën 30 minuta në ditë të shpenzojë kohë me fëmijën duke komunikuar me të dhe duke u parë në sy.