Jeta e re për Mbretëreshën Suzanë
Pas Martesës së Mbretit Leka të Shqiptarëve dhe vajzës australiane, Susan Cullen-Ward, mbreti dhe nusja e tij do të zhvillojnë një tur nëpër Australi, për të vizituar komunitetet shqiptare në këtë vend
Nga Anne Matheson, Madrid
Monarkë në ekzil, mbretër të kurorëzuar dhe mbretëresha në fron, përfaqësues shtetesh nga të gjitha anët e botës, do të mirëpresin celebrimet festive të dasmës së Mbretit Leka I të Shqiptarëve me Susan Cullen-Ward në Francë, në fund të shtatorit. Gjithashtu, do të ketë më shumë se 1000 vetë që përfaqësojnë 76 komunitetet shqiptare të diasporës të shpërndarë ngado në botën e lirë. 34-vjeçarja Sue Cullen-Ward do të jetë kësisoj dy herë e martuar dhe tri herë e bekuar për shqiptarët, duke i shtuar edhe një bekim të katërt që ajo do ta marrë nga pastori i Kishës Anglikane. E para nga dy ceremonitë e saj të dasmës do të jetë civile. Tjetra, në përputhshmëri me kushtetutën mbretërore shqiptare, do të bëhet nën prezencën e Avokatit Selim Beu, Kryekancelar mbretëror. Sue do të njihet nga shqiptarët si Mbretëresha Suzani ( shën.: duket qartë se emri Suzani është vetëm perceptim i gabuar i shqiptimit të emrit Suzanë, që ngjan disi i vështirë për anglishtfolësit e që gjatë gjithë materialit, vijon të shkruhet si i tillë nga autorja), siç shqiptohet ajo në shqip.
“Unë nuk vendosa ta ndryshoj emrin tim në martesë, siç më sugjeruan, thotë ajo. Ajo shpreson të mësojë mjaftueshëm shqip, një gjuhë që ajo e mendon se është e lehtë për tu shkruar, porse e vështirë për tu shqiptuar, në mënyrë që të jetë e aftë të mirëpresë njerëzit e bashkëshortit të saj gjatë ceremonisë së dasmës zyrtare, që do të mbahet tri javë pas asaj civile në kështjellën mesjetare të Markezit të Kalderonit (Marquis de Calderon) në Toledo të Spanjës. Mbreti Leka dhe e shoqja do të bekohen nga myslimanët (ai është mysliman, pasi 75 % e shqiptarëve janë të tillë), Kisha Orthodokse e Shqipërisë, Kisha Katolike dhe ajo Anglikane. Nëna e Mbretit, Mbretëresha Geraldinë, është një nga 10 përqind e shqiptarëve që mbartin besimin katolik. Sue do të vijojë të mbetet një anëtare e Kishës Anglikane. Fakti se ajo është e divorcuar (ajo ka qenë martuar para pesë vjetësh me një anglez, Richard Williams, por ata u divorcuan katër vjet më parë) nuk përbën ndonjë pengesë për martesën me një Mbret mysliman.
“Profeti Muhamed u martua me një të krishterë dhe pastaj pati një divorc”, na thotë një zëdhënës i Mbretit, “kështu që e kemi një preçedent”. Sue do të mbajë veshur pjesërisht kostumin kombëtar shqiptar përgjatë ceremonisë së dasmës, si dhe simbolet e familjes mbretërore e bizhutë e dhuruara asaj nga Nëna Mbretëreshë, Geraldinë. Fustani i dasmës, është i këndshëm dhe elegant; i zbukuruar me qëndisje në fije ari, modeluar nga stilistja australiane, Zonja Hughes, që po bëhet gati në Madrid. Ajo nuk do të mbajë një kurorë mbretërore. Mes të parëve që i dërguan urimet më të mira për lumturi çiftit kur u shpall fejesa, ishin miqtë më të afërt të Mbretit. Mbreti Boduin dhe Mbretëresha Fabiola e Belgjikës. Të tjerë koka nën kurorë që kanë nisur urimet dhe lajmëruan se do jenë në ceremoni, ishin edhe Shahu i Persisë dhe Mbretëresha Farah Diba, Mbreti Hussein i Jordanisë dhe Mbretëresha Alia, si dhe Mbreti Bhumibol dhe Mbretëresha Sirikil e Tailandës.
“Ai mund të martohej me çdo princeshë europiane”
Gjenerali Franco nuk do të mundet të jetë prezent, por ai do të dërgojë atje bashkëshorten e vet, Zonjën Franco, dhe pasardhësin e tij të shpallur, Princin Juan Carlos dhe të shoqen, Princeshën Sophia. Mbreti Simeon i Bullgarëve, i cili gjithashtu jeton në ekzil, në Spanjë, dhe Mbretëresha Margarita, ambasadorë nga shumë vende, ambasadori Australian në Madrid, dhe një kushëri i Suzanës, David Brown i Sidnejt, i cili ndodhet në Europë për një kurs studimor, numërohen ndër të ftuarit e tjerë. .....Nëna Mbretëreshë privatisht na thotë: “Mua më pëlqeu shumë unaza e martesës së Suzanës. Diamanti ka një ngjyrë të bardhë në nuance bojëqielli, shumë i rrallë, punuar në formë ovale me skaje të theksuara i rrethuar nga gjashtë diamantë të tjerë ….
Mbretit iu deshën gjashtë muaj për të gjetur gurët perfektë që nga momenti që unë u takova me të. Përgjatë dy vjetëve ajo ka jetuar në Spanjë ku ne na u desh ta njihnim më mirë njëri-tjetrin. Unë mendoj se ajo është shumë e sinqertë, zemërgjerë dhe simpatizon çështjen tonë. “Ajo është një vajzë e dashur. Unë nuk u surprizova kur Madhëria e tij ra në dashuri”. Të tjerët në botën e sofistikuar të monarkëve në ekzil dhe miqtë e tyre aristokratë ishin, gjithsesi, të surprizuar e disa madje të shokuar e të zhgënjyer. “Ai mund të martohej me çdo princeshë europiane”, na thotë gruaja e një diplomati. “Ne e konsiderojmë Madhërinë e tij njërin nga dhëndurët më të lakuar të Europës”, na thotë kyreredaktori i një reviste. “Askush nga ne nuk kishte dëgjuar për Susan Cullen-Ward më parë”, thotë ajo me një vështrim nga lista e gjatë plot emra aristokratësh e trashëgimtarësh mbretërorë, me të cilët emri i saj është mpleksur tashmë, duke zënë vend në kolonën e rubrikës “gossip”.
Leka I është një djalë 36-vjeçar, pak më i gjatë se 2 metra, një djalosh sharmant e që mbart një karakter heroik. Ai nuk është vetëm një goxha trup, por mban me vete edhe dy armë: është një ushtarak i stërvitur në Sandhurst, një pilot avioni, ekspert i infiltrimeve dhe mjeshtër i taktikave të luftës guerrile. Mes këshilltarëve të tij bëjnë pjesë edhe ata të cilët u përpoqën të rregullonin një martesë mes mbretit të tyre dhe njërës nga priceshat gjermane që ka një pasuri të madhe dhe gjithashtu edhe një kështjellë për të krijuar një aleancë. Baroni von Blomberg, biznesi i të cilit konsiston në ndërmjetësimin e martesave mbretërore dhe në këshillimin e familjeve monarkike, thuajse ishte bërë gati të deklaronte këtë fejesë mes tyre. Ai na tha se ai kishte qenë gjithmonë në prapaskenë, duke lëvizur në këtë drejtim. “Por unë kuptova - ndërsa përpiqesha të rregulloja këtë martesë për Mbetin Leka - se kjo ishte një detyrë tashmë e pashpresë për mua, pasi nëse ai do të martohej, atëherë ai do ta bënte këtë vetëm për dashurinë dhe për asgjë tjetër”, pohon ai. “Dhe të lë fare pak të dyshosh se Mbreti ndodhet si në qiellin e shtatë në krah të Sue”. Kjo ishte pikërisht ajo që më dha goditjen e parë. Fytyra e Mbretit merr një buzëqeshje të lehtë ndërsa Sue afrohet drejt dhomës për të biseduar me të.
Ndërsa Susan Cullen Ward në ditët e para të trajnimit për të marrë rolin e Mbretëreshës ndjek në mënyrë rigoroze protokollin, duke iu referuar atij si “Madhëria Juaj”, Mbreti vetë thjesht i drejtohet asaj me fjalën “darling”. Çifti u njoh në Sydney (Australi) gjatë një party dhe ata patën rast të takoheshin sërish shkurtimisht në Londër. Ajo ishte rrugës për në Sorbonë, në Paris, për të vijuar studimet e saj të artit. ....”Interesi im ndaj kauzës së Madhërisë së tij, sa vjen e shtohet tek mua”, thotë ajo. “Unë e admiroj atë për gjithçka ai ka bërë për t’i mbajtur shqiptarët të bashkuar në ekzil, si një popull me zakonet e kulturën e vet, ruajtur ndër breza”. Mbreti Leka shpjegon se ai nuk është Mbret i Shqipërisë, siç përshkruhet ndonjëherë gabimisht. Ai vend i vogël është nën një regjim komunist. Ai është Mbreti i Shqiptarëve. Janë më shumë se 5 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të shpërndarë në 35 shtete të ndryshme. Janë rreth 80.000 në SHBA dhe 16.00 në Australi. “Komunitetet e para që ata do viziojnë janë pikërisht ato të shqiptarëve të Australisë”, thotë ajo. Më të moçmet prej tyre gjenden në Mareeba dhe në Cairns në shtetin e Queensland-it, e më të rinjtë, në Shepparton e gjetkë në shtetin e Viktorias”. Mbreti Leka i viziton të paktën një herë në vit ata. “Ata më ftojnë e unë i kushtoj vëmendjen e respektin tim”, shpjegon ai. “Më pas... unë marr prej tyre ose shtrëngime duarsh, ose puthje, siç është edhe zakoni. Përpiqem t´u flas të gjithëve”.
Mbreti dhe Suzana do të jetojnë në Madrid pas martesës
“Madhëria e tij është shumë i dhënë pas arredimit e dizenjimit të ambienteve të brendshme”, thotë Suzana. “Ne do të ndërtojmë dhe dekorojmë shtëpinë tonë së bashku. Nuk do të jetë një pallat. Por do të ketë sigurisht, mjaft hapësirë për t u argëtuar”. Jeta për Mbretëreshën Suzanë do të jetë më shumë se formale në Spanjë, se sa çka qenë për Mbretëreshën Geraldinë në Shqipëri. Monarkët në ekzil vijojnë ta mbajnë akoma fasadën. Dhe po kështu edhe ai spanjoll, megjithëse ata e kanë hedhur pas krahëve monarkinë e tyre, janë ndër më të apasionuarit pas respektimit të protokolleve mbretërore. Ata kanë të paktën tri familje mbretërore në ekzil që kanë gjetur strehë në Madrid. Mbreti Leka është një biznesmen, me interesa në industrinë e rëndë dhe atë të hekurit. Por ambasadorët në Spanjë shpesh janë të detyruar ta thërrasin atë në ndihmë, e s’ka rëndësi se sa e madhe është çështja. Ai është një mbret dhe qeveria spanjolle insiston që ai të trajtohet si i tillë, edhe pse froni i tij është veçse një sedilje e rrotullueshme në një zyrë të dekoruar me pjesë e ornamente nga ekspozita të ndryshme dhe pallate mbretërore që i përkasin të shkuarës. Selim Beu nuk lodhet kurrë së mbikqyruri e përmenduri kushtetutën mbretërore shqiptare dhe traditat shqiptare. Si kancelar i Mbretit, ai nuk ka kursyer asnjë përpjekje për të parë jo vetëm që martesa të bëhet sipas rregullave strikte, në përputhje me kodin civil, por edhe që jeta brenda kornizave të ligjit, të jetohet sipas disa normave strikte.
Marrë nga: The Australian Women’s Weekly, 11 qershor 1975
( ne foto Suzana (Djathtas) me kostum kombëtar, në shoqërinë e mbretëreshësh Geraldinë)
(shkrimin e plote mund ta lexoni sot ne gazeten Shqiptarja.com)