TIRANË, 3 Tetor/ATSH/- Doganat kanë marrë shumë vendime të vështira e të guximshme përsa i përket reformës në këtë sektor, deklaroi David Smith, Drejtor i Programit të Crown Agents, kompanisë që po asiston qeverinë shqiptare në luftën kundër korrupsionit në sistemin doganor. Në një intervistë për ATSH-në, Smith thotë se ajo që mbetet gjithnjë sfidë, pavarësisht pranisë tonë ose jo, është që këto ndryshime të japin efektin e duhur dhe të jenë të qëndrueshme e në kuadrin e një reforme afatgjatë. "Siç e kam thënë edhe më parë, jam impresionuar me vendosmërinë dhe vullnetin për të ndërmarrë vendime të vështira e për t'ju përmbajtur atyre, gjë që nuk është e lehtë", shprehet Smith.
Keni mbyllur tashmë 3 mujorin e 2-të kontratës me qeverinë shqiptare. Cilat janë rezultatet e arritura dhe a janë përmbushur premtimet e bëra në fillim të punës tuaj?
Po, ne kemi mbyllur 6-mujorin e parë dhe aktualisht jemi në muajin e nëntë të programit. Ne i kemi dorëzuar një raport 6-mujor Ministrisë së Financave, i cili konfirmon përmbushjen e të gjithë objektivave, si përsa i përket kontrolleve dhe zbulimit të shkeljeve, ashtu edhe përsa i përket objektivave specifikë që kanë të bëjnë me burimet njerëzore, anti-korrupsionin dhe analizën e riskut. Raporti u shqyrtua nga Ministria e Financave dhe nga Doganat dhe të dyja palët konfirmuan që i pranojnë konkluzionet tona.
Sa kontrolle keni realizuar gjatë kësaj periudhe dhe çfarë keni konstatuar? Ku keni hasur vështirësi më tepër, në cilën pjesë?
Gjatë gjashtë muajve të parë të punës, që në fakt përfshijnë 4.5 muaj pune në terren, ne zbuluam në total 803 raste shkeljesh. Këtu përfshihen disa fusha, mes të cilave kontrabandim; faturim nën vlerë; përshkrim të gabuar të mallit; përshkrim i pasaktë i origjinës së tij; shkelje për sa i përket regjimit të lejimit të përkohshëm të automjeteve; shkelje të regjimit të akcizës për sa i përket produkteve të palicencuara apo prodhuesve të palicencuar të mallrave me akcizë; si edhe shkelje të tjera. Nuk mund të them se kemi hasur vështirësi specifike në ndonjë fushë të caktuar, vështirësitë kanë qenë të përgjithshme dhe kanë pasur të bëjnë kryesisht me paqartësitë kryesisht të sektorit privat, të cilët me sa duket jo gjithnjë janë të informuar për detyrimet e tyre ligjore. Shifra e 803 shkeljeve të zbuluara që dhashë më parë, nuk është absolutisht një tregues kriminaliteti, por shumë shpesh ka të bëjë me faktin që procedurat nuk janë të qarta, nuk zbatohen siç duhet, apo sipërmarrësit nuk dinë si të veprojnë. Në këtë aspekt, një pjesë e madhe e punës tonë i kushtohet edukimit të bizneseve përmes shpjegimit të përgjegjësive që ata kanë, përpara se të ndërmarrim masa shtrënguese ndaj tyre.
Cila është marrëdhënia juaj me Anti-Kontrabandën dhe me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave?
Në nivelin qendror, për sa i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe stafit të lartë menaxhues, mendoj se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Kemi një marrëdhënie shumë pozitive, të hapur dhe transparente, në të dyja drejtimet; pra ne u shprehim atyre pikëpamjet tona të sinqerta për çështje të ndryshme ndërkohë që ata na japin përgjigje shumë të sinqerta dhe të drejtpërdrejta, gjë që përbën një ambient pune shumë të shëndetshëm, dinamik dhe pozitiv. Kjo gjë e thjeshton së tepërmi punën tonë. Për sa i përket sektorit të Anti-Kontrabandës, ne gjithashtu kemi marrëdhënie pune shumë të mira dhe domosdoshmërisht duhet kohë që të kuptojmë se si duhet të funksionojnë gjërat në praktikë, duke qenë se punojmë në të njëjtën fushë. Jemi përpjekur dhe kemi arritur që së bashku të koordinojmë punën tonë në mënyrë më efikase, që të mos ketë mbivendosje apo kontrolle të dyfishta. Ne e dimë se çfarë bëjnë ata, ata e dinë se çfarë bëjmë ne, shkëmbejmë informacion me njëri-tjetrin çdo ditë. Mendoj se ajo çfarë mbetet për t'u arritur është një 'konkurrencë e shëndetshme' midis nesh. Të gjithë duam që të arrijmë rezultate të mira, prandaj edhe luftojmë së bashku që të arrijmë më të mirën e mundshme.
Cilat janë fushat ku është fokusuar më tepër puna juaj deri më tani? Po në të ardhmen? Pra cila do të jetë "fushata" e radhës?
Ne do të vijojmë me aktivitetet tona kryesore, që do të thotë me punën në terren të grupeve tona operative, si në kufi ashtu edhe në brendësi të territorit, e më saktësisht me kontrollet e importeve tregtare për kapjen e rasteve të faturimit nën vlerë apo të përshkrimit të gabuar të mallit, kontrabandës, etj. Ne do t'i kushtojmë vëmendje të veçantë edhe fushatës së akcizës. Ashtu siç e dinë të gjithë, fushata filloi në qershor por kjo nuk është fushatë e cila ka një fund sepse koncepti i edukimit të bizneseve për të respektuar ligjin është një proces i pandalshëm. Prandaj, fushata e akcizës do të vijojë, ashtu sikurse do të vijojë fushata për regjimin e lejimit të përkohshëm të automjeteve. Fushata e ardhshme e madhe, të cilën shpresoj të mund të lançojmë, do të jetë një fushatë e përbashkët me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, përmes së cilës grupe të përbëra prej punonjësve të Doganave dhe Tatimeve, do të bëjnë auditime të përbashkëta me synim identifikimin e papajtueshmërive të mundshme.
Si e shihni ndryshimin nga fillimi deri tani?
Unë e kam vizituar për herë të parë Shqipërinë në vitin 1996, pra kam parë shumë ndryshime në Shqipëri, veçanërisht në fushën e Doganave. Unë kam ardhur dhe jam larguar disa herë nga Shqipëria e kësisoj kam parë të ndodhin ndryshime shumë pozitive, por edhe ndryshime jo aq pozitive. Prej shtatorit të vitit të kaluar e deri në momentin e firmosjes së kontratës unë erdha katër herë në Shqipëri kështu që kam parë jo vetëm ndryshime që kanë ndodhur pasi ne filluam punë në muajin shkurt, por kam pasur mundësinë të shoh ndryshime në krahasim me periudhën e mëparshme. Kjo javë shënon edhe 1-vjetorin e emërimit të Drejtores së Përgjithshme të Doganave. Pra, edhe pse programi jonë ka 8.5 muaj që ka filluar, zj. Spiropali ka 12 muaj në krye të këtij institucioni. Mendoj se ndryshimet janë shumë domethënëse. Doganat kanë marrë shumë vendime të vështira e të guximshme për sa i përket reformës në këtë sektor. Ajo që mbetet gjithnjë sfidë, pavarësisht pranisë tonë ose jo, është që këto ndryshime të japin efektin e duhur dhe të jenë të qëndrueshme e në kuadrin e një reforme afatgjatë. Siç e kam thënë edhe më parë, jam impresionuar me vendosmërinë dhe vullnetin për të ndërmarrë vendime të vështira e t'ju përmbajtur atyre, gjë që nuk është e lehtë./a.gjonaj//m.m/