Trajneri i Kombëtares Gianni De Biasi për herë të parë flet hapur për objektimin e Shqipërisë. “Duam vendin e dytë në grup, në Brazil shkojmë nga faza play-off”.

Në një intervistë për mediat italiane tekniku i Kombëtares së pari analizon 5 ndeshjet e para në grupin E kualifikues: ”Rezultatet janë të mira. Kemi 9 pikë aq sa Islanda që është skuadra tjetër surprizë në grupin tonë. Kemi luajtur 5 ndeshje dhe po kaq kanë mbetur .Do t’i luajmë deri në fund të gjitha shanset për të shkuar në Botëror”, tha tekniku italian.

Ashtu si për shumë ekspertë futbolli, edhe për De Biasin Zvicra është skuadra më e fortë e grupit dhe favoritja për tu kualifikuar drejtpërdrejt si e para e grupit por italiani sqaron: “Ne do jemi shumë të kënaqur ta mbyllim grupin të dytët dhe të luajmë fazën play-off për të tentuar të shkojmë në Brazil”.

Ndeshja e qershorit ndaj Norvegjisë është thelbësore për shanset e Shqipërisë dhe italiani e analizon në detaje këtë sfidë: “Të fitonim sërish ndaj Norvegjisë do të ishte shumë e rëndësishme. Në Shqipëri pritet me shumë entuziazëm kjo sfidë. Gjithsesi njerëzit janë të kënaqur me rezultatet e Kombëtares dhe ka shumë entuziazëm”, shprehej De Biazi.

Në fund De Biasi tregon edhe recetën se si ka arritur të ndërtojë një skuadër me kaq shumë nivel.

“Kemi shkuar nëpër Europë dhe kemi marrë shumë futbollsitë shqiptarë që luajnë në kampionate të ndryshme dhe kemi krijuar një ansambël të mrekullueshëm”, përfundon tekniku i Shqipërisë.

(a.k/v.gj/shqiptarja.com)