Gianni De Biasi, ish-trajneri i Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, ka komentuar shortin e Italisë në play-off-et e Kupës së Botës 2026, duke dhënë një analizë të qartë për sfidat që e presin skuadrën e drejtuar nga Gennaro Gattuso.

Në një prononcim për La Repubblica, ai theksoi se Italia duhet të jetë e kujdesshme, por njëkohësisht ka të gjitha mundësitë të kalojë më tej.

De Biasi e konsideroi shortin pozitiv, ndonëse kujtoi se në këtë fazë asnjë kundërshtar nuk është i lehtë.

“Askush nuk duhet nënvlerësuar, por shorti nuk më është dukur i pafavorshëm. Italia i ka të gjitha mundësitë për ta mundur Irlandën e Veriut”, tha ai.

Sipas tij, sfida më e madhe për Gattuson nuk është rivali, por presioni i jashtëzakonshëm që vjen pas dy dështimeve radhazi në kualifikimin për në Botëror.

“Presioni do të jetë i madh. Gattuso dhe stafi duhet të dinë t’i izolojnë lojtarët nga zhurma që krijohet para ndeshjes”, vijoi trajneri.

I pyetur për mundësinë e një finaleje të mundshme kundër fituesit Uells - Bosnjë, ai u shpreh i prerë: “Italia nuk duhet të mendojë shumë larg. Vetëm ndeshja kundër Irlandës së Veriut ka rëndësi. Madje një finale në transfertë nuk më shqetëson, presioni në shtëpi do të ishte edhe më i madh”, tregoi De Biasi.

Trajneri theksoi se sfidat reale në Botëror do të vijnë nga elita e futbollit botëror.

“Favoritet janë kombëtaret e Amerikës së Jugut si Brazili e Argjentina dhe gjigantët europianë si Spanja, Anglia, Gjermania dhe Franca. Me 48 ekipe, Botërori do të ketë shumë befasi”, tha ai.

Në fund, ai vuri në dukje rolin e rëndësishëm të trajnerëve italianë në futbollin ndërkombëtar.

“Sot është normale të punosh jashtë vendit. Ne po kontribuojmë në globalizimin e futbollit”, tha De Biasi.

Kujtojmë se Gianni De Biasi ia doli të çonte Shqipërinë për herë të parë në fazën finale të një Evropiani, atë të Francë 2016.