De Biasi: Në stërvitjen e fundit
vendoset kush shkon në Francë

De Biasi: Në stërvitjen e fundit<br />vendoset kush shkon në Francë
Gianni De Biasi i jep shpresë të 27-të lojtarëve që ka grumbulluar se mund të jenë një prej 23 vetave që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Europian të Francës. Në konferencën për shtyp që dha dje para ndeshjes me Katarin, që zhvillohet sot në orën 17.30, në Harburg të Austrisë, trajneri i kombëtares sonë ka deklaruar se vetëm ditën e fundit të grumbullimit të kuqezinjve në Austri do të mësohet lista përfundimtare. “Zgjedhja do të bëhet më datë 31, pas stërvitjes së fundit”, deklaroi De Biasi.

Ndeshja me Katarin
Për trajnerin e përfaqësueses kuqezi, testi ndaj Katarit është shumë i rëndësishëm për të parë gjendjen e skuadrës, por ai shton se nuk është vendimtar për listën përfundimtare. “Është ndeshja e parë pas më shumë se dy muajsh e gjysmë dhe jam shumë kurioz të shikoj gjendjen e skuadrës. Kjo ndeshje do të më ndihmojë mua të dal në disa përfundime.

Vendimin e listës së lojtarëve që do të vijnë në Francë, do ta marr në datën 31 pas stërvitjes së fundit dhe më pas do të bëj zgjedhjen përfundimtare. Të gjithë meritojnë të vijnë në Francë. Vendimi do të jetë shumë i kujdesshëm, por edhe i dhimbshëm, sepse çdo lojtar e konsideroj si djalin tim dhe nuk është aspak e lehtë të heq dorë nga ndonjëri prej tyre. Por këto janë sfidat e futbollit”, theksoi trajneri italian.

Optimizëm
De Biasi e shikon me optimizëm momentin e kombëtares. Trajneri i kuqezinjve theksi se është i qetë pasi skuadra ka arritur të punojë mirë gjatë ditëve të fundit, e ndihmuar edhe nga kushtet optimale në qëndrën stërvitore. Dukshëm i relaksuar, De Biasi theksoi se puna më e madhe është bërë në aspektin difensiv dhe ofensiv, ndërsa u ndal te risia e kësaj faze përgatitore, marrja e të gjitha të dhënave fizike për çdo lojtar falë sistemit GPS.

“Gjatë gjithë ditëve kemi bërë punë të personalizuar me cdo lojtar dhe jemi në dijeni të veprimeve që bëjnë gjatë gjithë stërvitjes për të vlerësuar gjendjen tërësore të çdo futbollisti. Jam shumë i kënaqur me punën që kemi bërë në aspektin fizik. GPS të jep informacione më të sakta dhe ky është aspekti më i rëndësishëm. Ne do të përpiqemi të bëjnë një vlerësim të saktë fizik të situatës”.

Për De Biasin, dy ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme për të vlerësuar gjendjen fizike të skuadrës, ndërsa për të, jo pak i rëdësishëm është edhe aspekti fizik, pasi sipas tij, skuadra duhet të ruajë të njëjtin mentalitet pasi nëse humbet karakteristikat që e çuan në Europian, atëherë nuk do të shkojë askund.

E ardhmja e trajnerit
De Biasi mohoi çdo lajm mediatik për të ardhmen e tij, madje edhe në mënyrë paksa të vrazhdë. “Janë muhabete baresh dhe gazetash. Unë jam i interesuar për punën e skuadrës dhe për të motivuar grupin që të arrijmë diçka të rëndësishme duke dhënë 110 % të mundësive tona. Gazetat mund të thonë çfarë të duan, por janë njerëzit ata që ndajnë të vërtetën nga gënjeshtra”.

Sfidat në grup
Për De Biasin është Rumania kundërshtari që mund të bëjë surprizën, duke theksuar se Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes në përballjen me ballkanasit. Në fund, ai bëri një koment edhe për sfidën me Zvicrën ku në fushën e lojës do të përballen shumë shqiptarë.

“Nuk dua të flas për këto gjëra. Kur dikush zbret në fushë mban një fanellë dhe luan ndaj kundërshtarëve, ai nuk mendon për të shkuarën. Në fushë duan të fitojnë të gjithë. Xhaka do të luajë kundër vëllait të tij për ta mundur, gjithçka tjetër janë thashetheme të kota. Askujt nuk i intereson se nga vjen, atyre që luajnë për Zvicrën nuk u shkon mendja se nga vijnë”.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Momenti shokues! Tezja telefonoi, fëmija i çiftit u përgjigj në kamera dhe tregoi trupin e Eleonorës: Babai vrau mamin!

Momenti shokues! Tezja telefonoi, fëmija i çiftit u përgjigj në kamera dhe tregoi trupin e Eleonorës: Babai vrau mamin!