Revista analizon ngjitjen e futbollit shqiptar përmes një analize të gjatë dhe intervistës me trajnerin italian që drejton kombëtaren. Në artikullin kryesor të titulluar “Shampanjë në akull”
shkrimi nis “Hap pas hapi, Shqipëria e drejtuar nga De Biasi arriti që të ngjitej në vendin e 25 në FIFA duke lënë pas emra si SHBA, Meksikë apo Suedi”.
Ndërsa Gianni De Biasi tregon të gjitha vështirësitë në punën e tij në Shqipëri. “Kur mora drejtimin e kombëtares së Shqipërinë sfida më e madhe ishte të kuptoja mentalitetin e njerëzve, pasi secili ka zakone të vështira për t’u ndryshuar, por mendoj se ia kemi dalë mbanë. Futbollistët shqiptarë kënaqen me nivelin që arrijnë dhe nuk janë mësuar të shohin nga e ardhmja dhe të vendosin objektiva më madhorë” shprehet ai.
Më pas tekniku është ndalur për të folur për arritjet e këtij edicioni dhe mundësitë për kualifikim dhe momentet më të bukura në Shqipëri. “Sigurimi i “Play-Off”-it është një arritje e madhe, pasi askush nuk e imagjinonte. Kualifikimi do të ishte një mrekulli, por kemi ende shumë punë për të bërë. Përsa i përket ndeshjeve më të bukura do të theksoja fitoret në Norvegji e Portugali për eliminatoret dhe ndaj Francës në miqësore”.
Por a do të pranojë De Biasi që të rinovojë kontratën me Shqipërinë edhe për edicionin e eliminatoreve të Botërorit të Rusisë? “Duhet të kuptojmë planet e federatës shqiptare, nëse ka dëshirë të vazhdojë me mua në drejtim, apo të ndërrojë stafin drejtues” e mbyll me përgjigjen diplomatike italiani. Nuk kishte si të mungonte një pyetje edhe për shqiptarët e Kosovës, që përbëjnë boshtin e Shqipërisë.
“Asgjë nuk do të ndryshojë për lojtarët që janë aktualisht pjesë e Shqipërisë, ata do të mbeten me ne edhe kur Kosova të pranohet në UEFA dhe FIFA”.Në fund tekniku ka vlerësuar punën e FSHF për terrenet sportive, por ka këshilluar klubet që të punojnë më shumë. “Është e vështirë për të gjetur terrene stërvitore për fëmijët, edhe pse këto vitet e fundit ka pasur përmirësime në këtë drejtim.
Federata Shqiptare po punon shumë, por edhe klubet duhet të jenë më të organizuar dhe të kenë dëshirë të vazhdojnë të rriten. Ecuria e mirë Skënderbeut këtë edicion konfirmon rritjen e kampionatit, që ka ende shumë punë për të bërë dhe duhet të përmirësohet në aspektin e mentalitetit.
Kur lojtarët luajnë jashtë shtetit, rriten shumë dhe edukohen, ndërsa në Shqipëri ka nevojë për lojtarë të huaj cilësorë, nga shtete si Brazili e Italia, për shembull, në mënyrë që lojtarët vendas të testohen kundër tyre dhe të mësojnë”përfundon intervistën italiani.
d.b/shqiptarja.com