Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit Xhani De Biazi në prag të ndeshjeve eleminatore të kampionatit botëror Brazil 2014 ka dalë në një konferencë për shtyp në FSHF. Italiani ju është përgjigjur interesit të mediave në lidhje me shumë pyetje duke filluar nga lista e futbollitëve që janë grumbulluar, idetë për dy ndeshjet me Islandën dhe Slloveninë dhe ëndrrën për biletën e Brazilit.

Në lidhje me listën e futbollistëve që ka grumbullur për dy ndeshjet e radhës, tekniku është shprehur se nuk ka qenë shumë e lehtë, por në fund mendon se ka bërë zgjedhjet e duhura.
“Aktualisht janë disa futbollistë që po realizojnë një paraqitje mjaft të mirë në kampionatet respektive. Nuk e kam pasur shumë të lehtë që të vendos. Kapllani, Bala dhe Berisha, por edhe futbollistë të tjerë që po paraqiten mirë, shumë shpejt do të marrin ftesën. Në sulm, ka qenë më e vështirë zgjedhja, por nuk mund të lija jashtë listës Sadikun që po shënon cdo ndeshje apo Bogdanin që pavarësisht se ka qenë në stol, trajneri ka shumë besim te aftësitë e tij. Ndërsa Salihi ka shënuar ndeshjen e fundit, edhe pse nuk është në formë të mirë, unë kam besim te ai që me kombëtaren bën diferencën.

Kundërshtarët?
“Islanda është një ekip i vështirë, pasi është i përgatitur mjaft mirë fizikisht dhe nuk do të jetë e lehtë që të përfitojmë në fushë. Megjithatë mendoj se do të marrim një rezultat pozitiv, pasi e krahasoj pak a shumë me ekipin e Qipros. Ndërsa, Sllovenia është dicka tjetër, por më parë të kalojmë Islandën.

Për të shpresuar në kualifikim, të paktën Shqipëria duhet të mundë Slloveninë, e cila është pretendente kryesore për vendin e dytë? Por, De Biazi i shmanget me elegancë pyetjes duke theskuar se” Në fillim duhet të mendojmë për Islandën dhe jo të kursejmë energjitë për Slloveninë. Do ti luajmë ndeshjet një nga një, më parë duhet të kalojmë Islandën, më pas të mendojmë për Slloveninë”

Ndërsa në fund nuk kishte si të mungonte edhe pyetja 1 milionë dollarëshe për kualifikimin, e cila nuk mungon asnjëherë. Italiani nuk nguron të përgjigjet edhe këtë herë duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve për të realizuar ëndrrën.

“Kualifikimi është shumë i vështirë, pasi ndodhemi në jnë grup majft të fortë, por ne do të luajmë shanset tona. Duhet shumë punë dhe vullnet për të arritur vendin e dytë në grup, ç’ka do të ishte një arritje për futbollin shqiptar”

(d.b/shqiptarja.com)