Trajneri i kombëtares spanjolle të futbollit, Luis de la Fuente ka bërë publike këtë të hënë listën me 26 emrat që do ketë të gatshmë për në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Bie në sy se asnjë futbollist i grumbulluar nuk është pjesë e Real Madridit. Në lidhje me këtë fakt, trajneri de la Fuente tha se nuk ka mendësinë e një tifozi.

"Unë jam trajneri i ekipit kombëtar dhe nuk e marr parasysh se nga vijnë lojtarët. Ata janë lojtarë të ekipit kombëtar, nuk e shoh një klub apo një tjetër. Nuk kam paragjykimet që mund të ketë një tifoz. E tëra çfarë dua është që këta lojtarë të ndihen krenarë që përfaqësojnë ekipin kombëtar", tha trajneri.

Nga ana tjetër, në ekip gjenden tetë futbollistë të Barcelonës, të cilët përbëjnë edhe boshtin e ekipit.

"Nuk e di nëse janë tetë dhe nëse e di, e kam harruar tashmë. Ata janë lojtarë që mund të luajnë për Spanjën, që i përkasin ekipit kombëtar. E dini historinë e Gavit me dëmtimet, ai vlerësohet shumë. Ai është pjesa kyçe e ekipit dhe nuk kam nevojë t'ju tregoj asgjë të re për aftësitë e tij në futboll", tha de la Fuente.

Sipas trajnerit, Spanja është e aftë të fitojë Kupën e Botës.

"Është kaq e thjeshtë, do ta them qartë, ne ndihemi favoritë, po, të aftë për të fituar Kupën e Botës, po, por kjo nuk garanton asgjë. Por ka edhe ekipe të tjera që janë po aq pretendente sa ne. Jemi të etur të luftojmë deri në fund, por në futboll mund të humbasësh edhe nëse je superior ndaj kundërshtarit tënd. Do të luftojmë për gjithçka, për këtë askush nuk duhet të dyshojë", tha trajneri, i cili shpreson në rikuperimin në kohë të Lamine Yamal.

Spanja vjen si fituesja në fuqi e Evropianit 2024 dhe 'Furia e Kuqe' do të pretendojë edhe trofeun e Kupës së Botës, gjë që e ka fituar vetëm një herë në histori, në vitin 2010 në Afrikën e Jugut.

Lista:

Portierët: Unai Simón (Athletic), David Raya (Arsenal), Joan Garcia (FC Barcelona)

Mbrojtësit: Pedro Porro (Tottenham), Marcos Llorente (Atlético), Laporte (Athletic), Eric Garcia (FC Barcelona), Marc Pubill (Atlético), Pau Cubarsí (FC Barcelona), Marc Cucurella (Chelsea), Alejandro Grimaldo (Bayer Leverkusen).

Mesfushorët: Gavi (FC Barcelona), Mikel Merino (Arsenal), Pedri (FC Barcelona), Rodrigo Hernández (Manchester City), Zubimendi (Arsenal), Álex Baena (Atlético), Fabián Ruíz (PSG).

Sulmuesit: Mikel Oyarzabal (Real Sociedad), Lamine Yamal (FC Barcelona), Dani Olmo (FC Barcelona), Nico Williams (Athletic), Yeremy Pino (Crystal Palace), Víctor Muñoz (Osasuna), Ferran Torres (FC Barcelona), Borja Iglesias (Celta).

Trajneri ka përpiluar edhe një listë me futbollistët mbështetës, të cilët do të stërviten me ekipin përpara Kupës së Botës dhe në rast të dëmtimeve, ndonjë prej tyre mund të përfshihet në ekip deri para datës 11 qershor.

Lista emergjente: Bernal, Javi Rodríguez, Jesús Rodríguez, Leo Román, Gonzalo García, Sergio Gómez, Jon Martín, Beñat Turrientes dhe Javi Guerra.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:58
VIDEO/ Shumicën e sezonit i lënduar, Gavi s'i mban lotët kur dëgjon emrin e tij mes futbollistëve të Botërorit

Që Barcelona funksionon si një familje, kjo nuk ka dyshime. Diçka e tillë u pa edhe sot gjatë prezantimit të listës së Spanjës për në Kupën e Botës 2026. Trajneri Luis de la Fuente vendosi që të grumbullonte mesfushorin Pablo Gavi, paçka se ky i fundit shumicën e sezonit e kaloi pushim për shkak të një dëmtimi.

Lajmi u prit me gëzim nga Gavi, i cili ndodhej në stërvitje me Barçën, aty ku nuk i mbajti lotët dhe festoi me shokët e skuadrës. Madje video e shpërndarë në kanalet e komunikimit u filmua nga Lamine Yamal.