Deputetët e Kuvendit të Kosovës aprovuan dy projektligjet e rëndësishme për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë .
Projektligji për Hoçën e Madhe, pas një debati të gjatë në Kuvend është miratuar me shumicë votash. Ligji është miratuar me 59 vota për, 26 kundër dhe 7 abstenime.Debati është zhvilluar kryesisht mes anëtarëve të komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe Qeverisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës miratoi edhe ligjin për Hoçën e Madhe pas shumë kundërshtimeve dhe pakënaqësive të deputetëve të opozitës. Është miratuar edhe projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit. Shumica e amendamenteve të propozuara nga Komisioni funksional nuk kanë kaluar derisa qeveria është tërhequr nga propozimet e saja të fundit, duke i kthyer në funksion ato të fillimit. Ligji në formën siç ka kaluar për opozitën, por edhe për disa deputetë të pozitës është antikushtetues.

Vërejtje kanë pasur anëtarët e Komisionit, por që ato nuk u morën parasysh dhe gjatë shqyrtimit të ligjit dhe të amendamenteve u ngriten shqetësime nga deputetet të cilët kishin amendamentet, ku pas secilit në kllapa ishte shkruar se si duhet votuar, për dhe kundër. Kjo u quajt ofenduese dhe u kërkua që të dihet autori i saj.

Ndërkohë deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar seancën në shenjë revolte ndaj miratimit të këtij ligji, të cilin e quajtën totalisht antikushtetues dhe të keq. Deputetët e mbetur, kryesisht të mazhorancës kanë votuar edhe Kodin Penal të Kosovës për të cilin po ashtu pati reagime, posaçërisht lidhur me amendamentin e pestë, i cili ka të bëjë me burimet e medieve.

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Pieter Feith ka mirëpritur miratimin e ligjeve për Qendrën Historike të Prizrenit dhe fshatin Hoçë e Madhe nga Kuvendi i Kosovës.
"Prizreni dhe Hoça e Madhe janë jetike për trashëgiminë kulturore dhe historike të Kosovës. Ruajtja e kësaj trashëgimie është e rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare", ka thënë Feith.

Seanca e sotme kishte nisur me akuza dhe kundërakuza mes pozitës dhe opozitës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se po tentohet që të rikthehen tema që nuk i kontribuojnë agjendës së konsolidimit të shtetit, andaj kërkoi që Kuvendi të vazhdojë me axhendën e rregullt, ndërsa u shpreh i gatshëm që për këto çështje të flasë në seancë të veçantë.

Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se Qeveria nuk po bën asgjë për t`u pavarësuar ekonomikisht nga Serbia ndërsa deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ngriti sërish çështjen e takimeve të përfaqësuesve politikë me ministra dhe zyrtarë të Serbisë.


Ndërkohë, opozitarët reaguan për mënyrën se si Televizioni Publik i Kosovës, RTK, ku gjatë seancës së djeshme ndërpreu transmetimin menjëherë pas fjalës së kryeministrit, duke mos u dhënë mundësinë edhe reagimeve të opozitarëve që të transmetohen drejtpërdrejt. 

/rg/shqiptarja.com/