Ish- ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti kërkon nga qeveria që të marrë masa të jashtëzakonshme për të luftuar situatë nga koronavirusi dhe ndikimin në sektorin e bujqësisë. "Kriza e pandemisë në Bujqësi "luftohet" me masa të jashtëzakonshme! Si në kohë lufte! Në qendër të këtyre masave është fermeri sepse ai është më i godituri! Nuk është koha për politizim, por për veprim! Veprim, edhe jashtë procedurave dhe protokolleve për injektimin e fondeve! Sepse nuk jemi në situatë normale thonë ministrat e bujqësisë të BE. Sepse duhet që mbështetja të jetë sa më direkte dhe kapilare për fermerin.
Pra thënë ndryshe, paratë në këtë krizë të shkojnë, kryesisht për atë që prodhon dhe që jeton me prodhimin. Këtë e thotë Komisioneri për Bujqësinë i Evropës Wojchiechoëski të cilin po e citoj: "Fleksibiliteti në përdorimin e fondeve të BE, është plotësisht i mundur edhe brënda rregulloreve aktuale. Prandaj Komisioni ka vënë në lëvizje një proces të përshpejtuar për tu mundesuar administratave kombëtare që ta përshtatin financimin e bujqësisë sipas situatës". Ministrja italiane e Bujqësisë ishte edhe më e drejtpërdrejtë. Ajo tha: Të zbatojmë një program ndihme të jashtëzakonshëme me burime të jashtëzakonshme edhe përtej politikave bujqësore evropiane. Ekzekutivi i BE u vu në lëvizje dhe miratoi një akt normativ provizor sipas të cilit masa e financimit mund të shkojë deri në 120 mijë euro për fermë. Po ekzekutivi ynë?" ngre pyetjen Panariti.
Por nuk ka munguar reagimi i ministrit aktual të Bujqësisë, Bledi Çuçi që i përgjigjet duke i thënë se ka perënduar koha kur IPARD ‘flinte’ në ministri prej 4 vitesh për shkak të mosakreditimit. Kjo është një situatë dinamike, thotë më tej ministri, që shton ne po e monitorojmë me kujdes dhe do të ndërmarrim masat e nevojshme në momentin e duhur.
"Nisur nga disa reagime për skemën e granteve IPARD dhe impaktin e emergjencës së Covid-19 në sektorin rural, dua të bëj disa saktësime per publikun. Fondet e kësaj skeme nuk ‘flenë në sirtar’, por janë në dispozicion të fermerëve dhe agrobiznesit. Falë kësaj skeme sot kemi investime të rëndësishme në ferma, makineri, linja prodhimi dhe asete të tjera sipas masave përkatëse. Ka perënduar koha kur IPARD ‘flinte’ në ministri prej 4 vitesh për shkak të mosakreditimit. Ka 1 vit e gjysem qe kjo skemë ka një kontribut të madh në investimet që po bëhen në sektorin rural. Në Thirrjen e Parë të IPARD ne kontraktuam 25 milionë euro. Në Thirrjen e Dytë kemi 377 aplikime dhe plot 56 milionë euro në dispozicion. Shqipëria është vendi i vetëm që evitoi djegien e fondeve dhe madje shfrytëzoi ato që nuk ishin shfrytëzuar më parë. Po kështu jemi i vetmi vend, ndër ato që përfitojnë nga skema IPARD, që çelëm dy thirrje brenda një viti për të gjitha masat e akredituara.
IPARD është një program që parashikon investime, jo mbështetje direkte për fermerët dhe pavarësisht krizës së Covid-19, nuk ka patur deri më tani diskutime për modifikimin e tij. Pagesat direkte janë vetëm për vendet anëtare të BE. Ecuria e IPARD në Shqipëri është sipas parashikimeve dhe shumë investime në të gjithë vendin janë sot realitet, të tjera janë duke u përfunduar dhe plot projekte presin që të financohen. Edhe pse në kushtet e masave kufizuese të kësaj emergjence, sektori bujqësor në Shqipëri vijon punën. Megjithatë kjo është një situatë dinamike që ne po e monitorojmë me kujdes dhe do të ndërmarrim masat e nevojshme në momentin e duhur" shkruan Çuçi.