TIRANË- Radha për të bërë kundërshtimet e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme, ishte kryefjalë e debatit të nxehtë në gjyqin e Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, në seancën që po mbahet në GJKKO. Ish-Presidenti ndërhyri në momentet që prokurori Sotir Kllapi po relatonte të dhënat e episodit të lobimit të LSI-së në SHBA. Akuzat e Metës ndaj trupës gjykuese, ishin të ashpra, me replika të vazhdueshme me kryesuesin, Erion Bani.

Pjesë nga debati

Meta: Kjo bëhet qëllimisht që të konfuzohet media që të mos kuptohet se po bëhet mashtrim. Mos më ndërprisni fare. Prokurori e nisi me seancën e kaluar. Rregullat i di mirë unë, gjykata duhet të jetë edhe e pavarur edhe e paanshme. Dua ti jap një përgjigje për seancën e kaluar dhe pastaj vazhdojmë sipas asaj që ka. Jeni ekstremisht njëanshëm ta dëgjojë edhe media dhe unë jam këtu si terrorist ukrainas.

Erion Bani: gjykata vendos kush flet e kush jo, duhet të mbarojë prokuroria pastaj ju, ka rregulla procesi

Ilir Meta: Kanë tmerr nga e vërteta, kjo është paanësia e gjykatës. Jeni ekstremisht i njëanshëm.

Erion Bani: Bëj kërkesë për përjashtim trupe

Ilir Meta: S’kam asnjë kërkesë, sepse më e mira nga të gjithë ju është Irena Gjoka. Kam respekt për rregullat e ligjin, derisa zotëria e filloi me seancën e kaluar ishte e drejta ime të jepja sqarim për këtë gjë sepse gazetarët mund të ikin të lëvizin.

Ndëshkimit me gjobë 10 mijë lekë nuk i shpëtuan Monika Kryemadhi dhe avokati i Metës, Kujtim Cakrani, për shkelje të solemnitetit të gjykatës. Ndërsa prokurori fliste, të dy nisën debatet, të cilat detyruan gjykatën të ndërhyjë me vendim për gjobë.

Prokurori Kllapi ndërkohë vijoi me relatimin, duke dhënë detaje të mënyrës se si Lëvizja Socialiste për Integrim kishte paguar në 2016-ën, 463 mijë dollarë te kompania DSIS, e cila ka deklaruar kontratat e lidhura me partinë e Ilir Metës. Kllapi tha se kjo kompani ka siguruar takime të Metës me senatorë, anëtarë të Departamentit të Drejtësisë, me zyrtarë të Departamentit të Artit dhe Kulturës. Kompania ka vënë në dispozicion të gjitha faturat. Në vitet 2016-2017, njerëz të kësaj kompanie kanë ardhur në Shqipëri dhe pagesat e qëndrimeve në hotel janë bërë me kartat e Ardian Shatkut, çka ka shtuar dyshimet se edhe pagesat e tjera të jenë kryer nga vetë ai.

Qëndrimi i SPAK për lobimin e LSI në SHBA

Në SHBA gjendet një organizëm zyrtar që quhet FARA. Në këtë faqe zyrtare interneti, që funksionon në varësi të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, të gjitha kompanitë e lobimit raportojnë aktivitetet e tyre. Ndër të tjera, aty janë raportuar edhe kontratat e lobimit të LSI-së. Ekziston edhe marrëveshja me kompaninë DSIS, e cila ka deklaruar kontratat me LSI-në për vitin 2016, të gjitha faturimet dhe aktivitetin që ka kryer për llogari të saj. Fillimisht ka pasur një nivel komunikimi me Ilir Metën, më pas është komunikuar me Petrit Vasilin. Ka dyshime se nga shuma prej 463 mijë dollarësh që ka raportuar kompania, nga LSI janë paguar vetëm 93 mijë dollarë përmes tre pagesave dhe faturave. Kemi kërkuar të dhëna, por na është thënë se nuk kishte më akses në këto llogari, pasi ato janë mbyllur. Vijuam hetimet për shërbimet që ka ofruar kjo kompani, ku mësuam se ajo ka siguruar takime të Ilir Metës me senatorë, anëtarë të Departamentit të Drejtësisë, si dhe me zyrtarë të Departamentit të Artit dhe Kulturës. Kompania ka vënë në dispozicion të gjitha faturat.

Nga Meta, Vasili dhe Luan Rama janë ngritur pretendime se nuk kanë dijeni për pagesa të tjera, ndaj ne vijuam hetimet. Ndër të tjera rezulton se, përveç takimeve që përmendëm në seancën e kaluar, kjo kompani ka organizuar ardhjen në Shqipëri të disa shtetasve gjatë viteve 2016-2017. Në këto rrethana u interesuam për aktivitetin e tyre në Shqipëri. Kemi verifikuar pagesat në hotele dhe rezulton se disa prej tyre janë kryer nga Adrian Shatku ose me kartat bankare të këtij të fundit. Ngrihen dyshime se edhe pagesat e tjera, në total, mund të jenë bërë nga ky shtetas ose nga kompanitë e tij. Duke qenë se DSIS ishte mbyllur, dërguam letërporosi për llogaritë e Adrian Shatkut. Nga përgjigjet rezulton se, në kuadër të marrëveshjes me DSIS, kjo e fundit i ka lëshuar LSI-së 18 fatura.

Tre fatura, e para, e dyta dhe e katërta, ishin ato që kishim gjetur në Shqipëri nga marrëdhëniet me DSIS. Nga totali i faturave rezulton se DSIS ka lëshuar 18 faturime për LSI-në në shuma të ndryshme. Tre janë paguar nga LSI, ndërsa 12 janë paguar nga kompania Unifi në shumën rreth 279,783 dollarë. Për tre fatura të tjera, në vlerën rreth 93 mijë dollarë, nuk kemi mundur të sigurojmë të dhëna. Akuza është se shuma prej 279,783 dollarësh, përveçse përbën produkt të korrupsionit, është përdorur edhe një formë për pastrimin e produkteve të veprës penale. Këto para janë paraqitur si pagesa të ligjshme, ndonëse sipas dyshimeve përbënin përfitim nga vepra penale e korrupsionit.

Është nënshkruar një marrëveshje e ligjshme në dukje, me para që paraqiteshin si të ligjshme. Ilir Meta ka qenë disa herë në SHBA. Përveç vizitave zyrtare, ai ka zhvilluar edhe takime të tjera jashtë axhendës zyrtare, të cilat janë raportuar si shërbime të ofruara nga kompania DSIS. Ai ka qenë i vetëdijshëm për këtë fakt. Në funksion të kësaj marrëveshjeje janë ftuar dhe janë raportuar takime edhe për funksionarë të tjerë, si ministri Petrit Vasili. Shërbimi i ofruar nga kompania në SHBA është i ligjshëm, ndërsa sipas akuzës, mënyra e sigurimit të parave për financimin e tij është e paligjshme.

SPAK ka kërkuar të thirren rreth 110 dëshmitarë në gjyq, mes të cilëve Ardian Shatku, Agron Cela, Nasip Naco, Vangjel Tavo, Baton Haxhiu, Damian Gjiknuri dhe Bashkim Ulaj.

Para nisjes së seancës, një dialog mes Metës dhe sekretarit të përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ra në sy, përmes së cilit Meta tenton të ironizojë sekuestrimet e fundit të pasurive nga SPAK.

Ilir Meta: Tedi, më thuaj pak të lutem si paraqitet kursi i këmbimit valutor pas këtyre operacioneve e sekuestrimeve. Çfarë janë këto?

Tedi Blushi: Ka rënë ende më shumë, ka rënë në 94. Do bjerë akoma më shumë.

Ilir Meta: Mooosss! Do ketë remitanca. Po çfarë bëni ju në opozitë?

Tedi Blushi: Në shesh, protesta.

Ilir Meta: Tedi, theksoni kursin e euros, ajo është kryesorja.

Ish çifti i bashkëshortëve, po gjykohen në një proces, të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ata akuzohen për aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA, apo marrëdhënien korruptive me biznesmenin Adrian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit. Për këtë të fundit SPAK thotë se ish-çifti përfituan rreth 526 mijë dollarë, 234 mijë dollarë blerje nga Kryemadhi me kartën e kreditit dhe pjesa tjetër për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:40
Gjyqi i Ilir Metës/ SPAK kërkon të thirren mbi 30 dëshmitarë (EMRAT)

SPAK ka kërkuar të thirren mbi 30 dëshmitarë në gjyqin e Ilir Metës. Emrat e dëshmitarëve të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme u paraqitën në seancën e sotme, mes tyre kushëriri i Monika Kryemadhit, Ardian Shatku, Agron Çela, Nasip Naco, Vangjel Tavo, Baton Haxhiu, Damian Gjiknuri dhe Bashkim Ulaj.

DËSHMITARËT E THIRRUR NGA SPAK
Jozef Hajse
Ervis Mataj
Ardian Shatku
Pirro Xhixho
Ema Çoku
Esmeralda Shkjau
Ardian Shatku
Kastriot Ismailaj
Vojsava Ismailaj
Milena Harito
Perparim Spahiu
Sokol Hysenaj
Majlind Lazimi
Agron Cela
Luan Rama
Endrit Brahimllari
Petrit Vasili
Spartak Braho
Ilir Kulla
Fatos Mahmutaj
Theodhori Çami
Nasip Naco
Vangjel Tavo
Lindita Troka
Baton Haxhiu
Erjol Brahimllari
Damian Gjiknuri
Ralf Gjoni
Bashkim Ulaj
Ora 12:19
Seanca në GJKKO/ Meta interesohet për euron pas goditjes së SPAK, i jep porosi Blushit: Në protestë flisni për kursin e këmbimit

Para nisjes së seancës gjyqësore në GJKKO, ish-presidenti Ilir Meta është përfshirë në një bisedë cinike me sekretarin e përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ku tema ka qenë kursi i këmbimit të euros, një çështje që kjo parti e lidh me fenomenin e pastrimin e parave të pista. Duke komentuar prej së largu  operacionin e fundit të SPAK ku për herë të parë u lëshua një urdhër arrësit ndaj Salvador Aliut, 50 vjeccarit nga Elbasani që konsiderohet si bosi i bosave të trafikut të drogës, Meta shprehu kërshëri lidhur me zhvillimet e mëtejshme me kursin e euros

“Tedi më thuaj pak të lutem si paraqitet kursi i këmbimit valutor pas këtyre operacioneve e sekuestrimeve, ça janë këto”, dëgjohet të thotë Meta.

Ndërsa Monika Kryemadhi tentoi t’i përgjigjej, Meta kërkoi që përgjigjen ta jepte Blushi.

“Ka rënë ende më shumë, ka rënë në 94 lek. Do bjerë akoma më shumë”, iu përgjigj Blushi, duke i mbajtur ison ish-presidentit.

“Moosss, do ketë remitanca, po çfarë bëni ju në opozitë?”, reagoi Meta, ndërsa Blushi iu përgjigj se opozita është në protesta.

Më pas, Meta e këshilloi bashkëpunëtorin e tij politik që në protestë të theksohet çështja e kursit të euros. ‘Ajo është kryesore’ tha Meta.

 

Ora 11:56
Seanca për Metën në GJKKO shoqërohet me tensione, Monika Kryemadhi dhe avokati i ish-presidentit gjobiten me nga 10 mijë lekë

1778505681_ilirmetamonikakryemadhi.jpeg

Tensione dhe debate kanë shoqëruar seancën e radhës në GJKKO ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ku gjykata ka vendosur të gjobisë me nga 10 mijë lekë ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi dhe avokatin Kujtim Cakrani.

Vendimi është marrë për thyerje të solemnitetit të gjykatës gjatë zhvillimit të seancës.

Gjatë debatit në sallë, avokati Redi Llanaj është shprehur: “Më harrove edhe mua”, ndërsa Kujtim Cakrani ka reaguar duke thënë: “Harrove edhe ‘terroristin ukrainas’ Ilir Meta”.