Rasti i dronit detar të tipit ukrainas që u gjet pranë Lefkadës, i mbushur me eksploziv, vijon të krijojë debat në Greqi.

Sipas reportazhit investigativ të televizionit STAR, autoritetet greke po përqendrojnë hetimet në dy porte nga ku dyshohet se mund të jetë nisur mjeti ushtarak: portin e Vlorës në Shqipëri dhe portin e Misratës në Libinë Perëndimore.

Të dyja zonat konsiderohen pika me interes strategjik për lëvizjet në Mesdhe, ndërsa për Libinë përmendet edhe prania e ekspertëve ukrainas të dronëve dhe personelit ushtarak. Autoritetet greke po përpiqen të kuptojnë rrugën që ndoqi droni, mënyrën se si përfundoi në Detin Jon dhe nëse objektivi i tij ishte një autokolonë ruse anijesh që lëvizte ditët e fundit në Mesdhe.

Pamjet satelitore që publikoi TV STAR tregojnë lëvizjen e anijeve ruse në jug të Kretës dhe Maltës. Analistë ndërkombëtarë dhe ekspertë të sistemeve pa pilot vlerësojnë se droni mund të ishte projektuar për të goditur këto anije në ujërat ndërkombëtare. Sipas specialistit Vaggelis Xanthakis, bëhet fjalë për një “torpedo të telekomanduar sipërfaqësore”, e aftë të shkaktojë dëme shumë të mëdha.

Mjeti i gjetur në Lefkadë identifikohet si dron detar ushtarak i tipit MAGURA V5 dhe sipas raportimeve mbante rreth 100 kilogramë eksploziv, sasi që ekspertët thonë se mund të dëmtonte rëndë edhe një anije të madhe.

Hetimet e rojës bregdetare greke vazhdojnë edhe për mënyrën se si u zbulua droni. Sipas dëshmive të peshkatarëve që e tërhoqën në portin e Vasilikit, dy bullgarë që peshkonin në shkëmbinjtë e zonës së Dukatos e panë të parët objektin në det dhe ndihmuan për ta nxjerrë. Autoritetet po shqyrtojnë tani nëse ata janë marrë në pyetje, si ndodheshin në atë pikë dhe nëse ndodhen ende në ishull.

Foto: Imazhe të publikuara nga reportazhi i televizionit STAR