“Kemi marrë informacion nga mediat për taksat që do të rriten. Nuk mund të ketë rritje të çmimit të energjisë. Në fillim duhen eliminuar humbjet në rrjet. Po kështu, jemi kundër rritjes së moshës së pensioneve”, tha Kalaja.
Ndërkaq, debate ka pasur edhe mes kryetarit të Komisionit Braçe dhe anëtarit Shehu, lidhur me mosthirrjen e të gjithë grupeve të interesit në komision.
“Të dëgjohen në seanca të posaçme grupet e interesit. Janë kontaktuar grupet e interesit, por s’janë paraqitur. Rritja e moshës së pensionit do të rriste papunësinë”, tha Shehu.
Ndërsa kreu i komisionit, Erjon Braçe, tha se “Janë ngritur dy komisione për reformën e pensioneve dhe energjisë. Në marrëveshjen me FMN, s’parashikohet rritje taksash apo mosha e pensionit”, tha Braçe.
BRACE: BERISHA E BASHA GENJEN, S’KA RRITJE TAKSASH
Pas përfundimit të seancës në Komisionin e Ekonomisë, kryetari i këtij Komisioni Erjon Braçe, ka përshëndetur miratimin e marrëveshjes me FMN, për huanë 331 milionë euro që i akordohet qeverisë së Shqipërisë. Braçe thekson se në memorandumin mes Qeverisë së Shqipërisë dhe FMN, nuk bëhet fjalë për rritje të 10 tatimeve e taksave të natyrave të ndryshme, duke i quajtur të pavërteta akuzat e PD për rritje taksash.
“Në Memorandumin mes Qeverisë së Shqipërisë dhe FMN, nuk bëhet fjalë për rritje të moshës së pensionit, por bëhet fjalë për një reformë të skemës së pensioneve e cila u trashëgua nga Qeveria e Sali Berishës e falimentuar, po e përsëris e falimentuar, për të cilën është ngritur një Komitet i cili do të diskutojë dhe paraqesë brenda Dhjetorit 2014 një reformë tërësore që shpëton skemën e pensioneve dhe garanton kontributet e çdo shqiptari që ka paguar sigurime shoqërore deri më sot;
Në Memorandumin mes Qeverisë së Shqipërisë dhe FMN, bëhet fjalë për një reformë të plotë të tregut të energjisë elektrike që synon të luftojë grabitjen e energjisë, uljen e humbjeve në rrjet, rritjen e arkëtimeve duke mos toleruar mospagimin e energjisë së konsumuar si dhe një reforme të tarifave të energjisë elektrike”, thotë Braçe.
Duke u ndalur tek çmimi i energjisë elektrike, Braçe thoshe se “çmimi që paguajnë sot familjarët është më i lartë se ai i faturuari”.
“Çmimi i energjisë elektrike që paguajnë sot familjarët nuk është reali, është shumë më i lartë se ai i faturuari; Qytetarët paguajnë sot dy herë; Herën e parë faturën;
Herën e dytë përmes tatimeve e taksave në buxhetin e shtetit i cili po financon, subvencionon çmimin e energjisë së prodhuar nga klientët e Sali Berishës që kanë licencat e koncesioneve; subvencionon çmimin e energjisë, i ulur qëllimisht, me të cilin KESH furnizon kompaninë CEZ. Kjo histori abuzimi duhet të marrë fund”, vijon Braçe.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)